Ndërlidhjet

VIZITA E ZOTIT TADIQ NË KOSOVË ËSHTË PROVOKUESE- THONË INSTITUCIONET, PARTITË DHE ANALISTËT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Vizita e kryetarit të Serbisë Tadiq në Kosovë dhe deklaratat, që ai ka bërë me këtë rast, janë cilësuar si destruktive dhe provokuese nga zyrtarë të qeverisë së Kosovës, të opozitës dhe nga analistë të pavarur.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Arben Qirezi, tha se qeveria ka pritur që Tadiq të dërgojë porosi konstruktive në lidhje me pjesëmarrjen e serbëve në jetën politike të Kosovës dhe për integrimin e tyre në institucione:
"Megjithatë, disa nga deklaratat e tij kanë dëshmuar se qëllimi i vizitës së tij nuk ka qenë përmirësimi i jetës së komunitetit serb, por u ka shërbyer qëllimeve të brendshme në Beograd".
Zëdhënësi Qirezi tha se qeveria e Kosovës është në linjë me porosinë që zotit Tadiq i ka dhënë kryeadministratori Petersen, se ai nuk duhet të mbjellë frikë te qytetarët serbë, por t’ua shpjegojë atyre realitetin, që do të thotë se qeveria e Kosovës po bën përpjekje për të përmirësuar jetën e serbëve, përfshirë edhe sigurimin e lirisë së lëvizjes:
"Qeveria e Kosovës pavarësisht nga deklaratat e Tadiqit do ta vazhdojë kursin e saj reformist. Gjatë tij pritet të fillojë procesi i statusit përfundimtar dhe si rezultat i këtij procesi, ne jemi të bindur që Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë".
Edhe opozita, vizitën e kryetarit të Serbisë Tadiq dhe deklaratat që ia ka bërë, i ka cilësuar si destruktive, që prodhojnë jostabilitet, tha Enver Hoxhaj deputet nga Partia Demokratike në Kuvendin e Kosovës:
"Vizita si e tillë është një provokim dhe kjo tregon se Serbia ashtu si në të kaluarën ka mundur ta projektojë dhunën dhe ta bartë në Kosovë, këtë herë ka filluar ta projektojë jostabilitetin dhe ta bartë jostabilitetin".
Zoti Hoxhaj ka kritikuar edhe institucionet vendore për qëndrimin që kanë mbajtur me këtë rast:
"Për ne si parti politike, është i pakuptueshëm reagimi pothuaj indiferent i institucioneve të Kosovës dhe deklaratat që lëvizin në drejtimin që një vizitë e tillë nuk vlen as të komentohet ".
Në anën tjetër, analisti i pavarur, Baton Haxhiu, tha për Evropën e Lirë se vizita e zotit Tadiq është kthim në të kaluarën, që kishte tri përmbajtje:
"Përmbajtjen e Milosheviqit më 1989, shëtitjen e Artemijes me eshtrat e Car Llazarit nëpër vendbanimet serbe të Kosovës dhe një përmbajtje të re, përveç simbolikës nacionaliste të veshur me një serbizëm të tepruar, ai e kishte huqur veshjen, pasi ajo veshje nuk shkonte me përmbajtjen e vizitës dhe me ritualin që ai e kishte vendosur".
Zoti Haxhiu tha se element tjetër është që Tadiq kishte huqur momentin, rrugën dhe kohën, pasi jemi në vitin 2005, që është një kohë kur duhet respektuar opinioni dhe jo që vizita të përdoret për konsum të brendshëm në Serbi
"Mendoj që ky mentalitet duhet ndryshuar pasi përveç që kjo i duhet për konsum të brendshëm në Serbi, ai nuk duhet të harrojë që memoria kosovare është e freskët, është e vjetër vetëm gjashtë vjet – janë 12 mijë të vrarë, mijëra të pagjetur dhe mijëra probleme të tjera, që duhet të ndërtojnë marrëdhëniet shqiptaro-serbe."
Analisti Haxhiu thotë se në këtë vizitë do përmendur gjuha që Tadiq ka përdorur, pasi ai nuk ka përmendur askund fjalën pajtim. Sipas Baton Haxhiut, hapi i parë do të duhej të ishte pranimi i gabimit dhe pranimi i krimit nga Serbia. Nëse Serbia nuk kërkon falje, nuk mund të ketë as proces të pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, shton zoti Haxhiu, për të cilin është e vështirë ecja normale e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

XS
SM
MD
LG