Ndërlidhjet

NEXHAT DACI KËRKON PËRFUNDIMIN SA MË TË SHPEJTË TË MISIONIT TË OKB-SË


Albana Isufi, Prishtinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka tërhequr vërejtjen se viti 2005 duhet të jetë vendimtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, pasi sipas tij, në të kundërtën do të vihet në pikëpyetje stabiliteti politik i vendit.
“Nëse treni i pavarësisë nuk mbërrin këtë vit në stacionin përfundimtar, askush në Kosovë nuk mund të garantojë stabilitet politik”, tha Daci.
Kryeparlamentari Daci i bëri këto komente në hapje të forumit "Projekti Evropian për Mbështetje të Kuvendit të Kosovës".
Kryetari i Kuvendit kritikoi misionin e UNMIK-ut për mungesë të strukturave që, sipas tij, do të mundësonin krijimin e shtetit funksional dhe demokratik. Daci kritikoi edhe konfuzionin e krijuar rreth kompetencave. Ai tha se e vetmja gjë, që i ka takuar deri tani Kosovës, është fajësimi i saj për gjithshka. Prandaj kryeparlamentari Daci ka kërkuar që misioni i Kombeve të Bashkuara të përfundojë sa më shpejt. Ndryshe, sipas tij, misioni do të jetë i pasuksesshëm.
“Sepse të gjitha misionet e studjuara ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, që kanë zgjatur gjatë, kanë përfunduar me fiasko në tërë botën”.
Kryetari i Kuvendit, ka vlerësuar se krijimi i pozitës dhe opozitës në institucionet e Kosovës do t’i bëjë ato më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Me krijimin e pozitës dhe opozitës është hapur një lëmi e re, një lëmi e optimizmit, që vërehet në përgjithësi edhe në popullatën e Kosovës, që institucionet në pozitë dhe opozitë do të jenë më të përgjegjshme ndaj Kosovës dhe kosovarëve”.
Përveç deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në forumin që po mbahet në Prishtinë, po marrin pjesë edhe deputetë nga Gjermania, Franca dhe Belgjika.




XS
SM
MD
LG