Ndërlidhjet

VARMA: "NUK KA KALIM TË UNMIK-UT NËN DREJTIMIN E BE-SË PARA EVALUIMIT TË STANDARDEVE"


Brenden Varma, zëdhënës i OKB-së në Nju Jork

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Varma, Këshilli i Sigurimit do diskutojë nesër raportin e zotit Annan për Kosovën. Cilat janë të përbashkëtat dhe dallimet e këtij raporti krahasuar me të mëparshmit?

BRENDEN VARMA
Raporti vazhdon të nënvizojë përparimin e shënuar gjatë kësaj periudhe në Kosovë. Siç e dini dhuna që shpërtheu marsin e kaluar ishte një goditje për bashkësinë ndërkombëtare, derisa në këtë raport vihet në pah se gjendja e sigurisë është e qëndrueshme dhe nuk ka pasur krime serioze ndëretnike që nga qershori i kaluar. Këto janë tregues të qartë se gjendja po përmirësohet.
Nga ana tjetër theksohet se me gjithë përmirësimin e gjendjes së sigurisë për pakicat, liria e lëvizjes për jo shqiptarët mbetet ende problematike.
Raporti njëherësh vë në dukje pëprarimin e shënuar në fushën e ekonomisë, rritjen e kapaciteteve institucionale në këtë fushë, përfshi sistemin bankar. Nga ana tjetër vazhdon kalimi i përgjegjësive tek institucionet e qeverisjes së përkohshme. Pra në vija të përgjithshme raporti nxjerr në pah shumë përparime të bëra në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e vutë në dukje raporti thekson përparimet e bëra në Kosovë. Nga ana tjetër UNMIK-u ka bërë të ditur se do të ndërmarrë reforma gjatë këtij viti. Çfarë mund të na thoni më shumë në këtë drejtim ?

BRENDEN VARMA
Reformat kryesisht kanë të bëjnë me zvogëlimin e misionit nga pikëpamja numerike. Ka numër më të vogël të njerëzve, pasi kalimi i përgjegjësive tek institucionet e vetqeverisjes së Kosovës bën që shumçka të bëhet nga këto institucione. Kemi të bëjmë me kalimin më të madh të përgjegjësive që është bërë në Kosovë. Nga ana tjetër duke folur për reformat do ndalesha tek anketat e opinionit, të cilat tregojnë se vlerësimi ndaj punës së UNMIK-ut ka njohur rritje. Është gjithnjë e më i madh numri i kosovarëve që janë të kënaqur me punën e UNMIK-ut. Kjo lidhet me kalimin e përgjegjësive, por njëherësh dhe me punën që ka bërë përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm, zoti Jesen Petersen. Ai ka marrë masa konkrete për rritjen e efikasitetit të UNMIK-ut, duke i dhënë më shumë përgjegjësi vendorëve. Këtë mund ta ilustrojë me shërbimin policor të Kosovës, por ka dhe një morri shembujsh të tjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët e BE-së, jo zyrtarisht por publikisht, kanë kërkuar që BE-ja të marrë përsipër drejtimin e UNMIK-ut, pasi siç kanë thënë ata Kosova nuk është përparësi për Kombet e Bashkuara. Cila është përgjigjja juaj?

BRENDEN VARMA
Kombet e Bashkuara janë gjithmonë të kënaqura të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian. Por aktualisht Kombet e Bashkuara do ta ruajnë praninë e vet në Kosovë dhe më duhet të them se Kosova është përparësi për organizatën botërore. Aktualisht gjendja në Kosovë është e qartë nga pikëpamja e administrimit; është misioni i UNMIK-ut që është përgjegjës për drejtimin dhe deri në mes të vitit kur mund të nisin bisedimet për statusin nuk ka diskutime për kalimin e misionit tek Bashkimi Evropian. Por siç e thashë edhe më parë Kombet e Bashkuara punojnë ngushtë me Bashkimin Evropian dhe mirëpretsin çdo lloj bashkëpunimi me ta.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e thatë në mes të vitit mund të fillojnë bisedimet për statusin. Cilat janë përgatitjet që po bëjnë Kombet e Bashkuara në këtë drejtim?

BRENDEN VARMA
Aktualisht nuk ka afate kohore për diskutimin e statusit. Është e qartë se në mes të vitit 2005 do të bëhet analiza e përmbushjes së standardeve dhe përparimet e bëra në këtë drejtim. Bazuar në rezultatet e evaluimit të standardeve në mes të vitit atëherë ndoshta mund të hapen bisedimet për statusin, por më duhet të theksoj se ky është vendim që merret nga Këshilli i Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si është bashkëpunimi mes Kombeve të Bashkuara e Këshillit të Sigurimit nga njëra anë dhe vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit nga ana tjetër lidhur me gjetjen e një zgjidhje për statusin përfundimtar të Kosovës?

BRENDEN VARMA
Ata janë në komunikim të ngushtë lidhur me këtë çështje. Siç e dini Grupi i Kontaktit është shumë i përfshirë në rajon dhe janë ata që i ofrojnë Këshillit të Sigurimit një numër rekomandimesh. Dhe kjo pasi Grupi i Kontaktit ka shumë përvojë në rajon.


Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG