Ndërlidhjet

KOORDINIMI MES MINISTRIVE DO MUNDËSONTE KTHIMIN E PACIENTËVE NGA NISHI NË KOSOVË


Bekim Bislimi, Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, nuk kanë të dhëna të sakta se sa është numri i pacientëve shqiptarë në Spitalin e Psikiatrisë në Topanicë të Epërme në Nish, thonë përfaqësuesit e këtyre dy ministrive. Ismet Abdullahu, drejtor i departamentit për shëndetin mendor në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se kjo ministri ende i referohet numrit prej 47 pacientësh, që është bërë i ditur rreth 1 vjet e gjysëm më parë dhe se ekziston interesimi për kthimin e tyre në Kosovë.
“Padyshim që ne jemi të interesuar që gjithsesi ata ti kthejmë dhe ti integrojmë në shoqërinë tonë dhe me siguri ata do të kthehen. Mirëpo, po them, deri tani edhe ndoshta mungesa e ndonjë kontakti zyrtar me autoritetet e Serbisë, ka bërë që ata të mbeten edhe më tutje”.
Zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale pohojnë se sipas të dhënave jozyrtare, pacientët në Nish, nuk janë të vetmit pacientë shqiptarë me sëmundje psiqike që gjenden në Serbi. Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit për Mirëqenie Sociale, thotë:
“Ne kemi disa shënime jozyrtare se jashtë Kosovës ndodhen diku rreth 115 raste, që janë të strehuar në institucionet anë e mbanë Serbisë, ndoshta edhe në Vojvodinë dhe Mal të Zi, për të cilët ne nuk i kemi diagnozat, gjeneralitë ose shënimet e tyre. Por, në fakt, ne preokupohemi me atë brengë se ekzistojnë një numër i caktuar i njerëzve tanë, që një ditë duhet të kthehen në Kosovë, për hir të kontakteve familjare dhe për hir të lehtësive që mund të krijojmë dhe trajtimeve më të mira”.
Zoti Abdullahu, nga Departamenti i Shëndetit Mendor, thekson se Ministria e Shëndetësisë është duke punuar për krijimin e kushteve për akomodimin e personave me sëmundje psiqike.
“Ne jemi duke u angazhuar që të bëjmë së pari deinstitucionalizimin e personave, të cilët me vite të tëra qëndrojnë në institucione të ndryshme jashtë Kosovës, siç i kemi rastet në Nish. Domethënë të atyre personave, të cilët nuk e kanë vendin aty, por duhet të integrohen në shoqëri. Praktikisht, ne në Ministrinë e Shëndetësisë, jemi duke punuar për ndërtimin e shtëpive të integruara në bashkësi”.
Ndërkaq, zoti Gjocaj, thekson se Ministra për Mirëqënie Sociale, është e gatshme të marë pjesën e saj të përgjegjësisë, por:
“Në fakt, ministria e jonë është e gatshme, natyrisht, t'i pranojë të gjitha ato raste që janë vërtetë sociale dhe me ngecje të rënda mendore, që të rikthehen, mirëpo nuk mund të themi të njëtën gjë edhe për rastet me sëmundje psikiatrike, për shkak se kjo duhet të jetë përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetit. Sipas të gjithë indikatorëve, spitalet të tilla që kanë qenë jashtë Kosovës, kanë qenë për rastet psikiatrike”.
Në një kohë që flitet për ndarjen e përgjegjësive në mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj për Mirëqënie Sociale, pacientët shqiptarë në Nish kërkojnë të kthehen në Kosovë. Këtë e ka pohuar Lirie Konjusha Gashi, vëllai i së cilës, Xhemajl Konjusha, gjendet në spitalin në Nish dhe të cilin ajo e kishte vizituar vitin e kaluar.
“Kërkonte ai dhe kërkonin të gjithë. Të gjithë thoshin ‘kur po na dërgoni në Kosovë, kur po na merrni, mos na lini këtu, pse po na lini këtu. E pashë këtu se si është situata, se nuk kam ku ta çoj, nuk po ma pranojnë kurrkund. M'u desh të pranoj situatën dhe u ktheva”.
Ndonëse tashmë janë ndërtuar dy shtëpi të integruara në bashkësi dhe pritet që të ndërtohen edhe disa të tjera, në të cilat duhet të akomodohen pacientët me sëmundje psiqike, mungesa e financimit të stafit është nyja e problemit, pse ato nuk fillojnë punën, thotë zoti Abdullahu.
“Kufizimi i stafit është nga Ministria e Financave, e cila e ka kufizuar buxhetin. Ne këtë vit planifikojmë që të ndërtojmë 5 shtëpi të integruara, 2 në Prishtinë, ndërtimi i të cilave duhet të fillojë tani, gjatë këtij muaji, 1 shtëpi në Pejë dhe kemi me patur problem rreth pranimit të stafit të ri që duhet të punojë, sepse është numri shumë i kufizuar për pranimin e punëtorëve të ri”
Ndërkaq, zoti Gjocaj thekson se marrëveshja në mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë për Mirëqënie Sociale, do të krijonte mundësinë e kthimit në Kosovë të pacientëve shqiptarë nga spitali psikiatrik i Nishit.
“Shpresojmë që këtë vit do të gjejmë mirëkuptim me Ministrinë e Shëndetësisë, fillimisht t’i ndajmë përgjegjësitë rreth përkujdesjes së banorëve që aktualisht i kemi në Shtime. Dhe nëse ndodh kjo, unë besoj që në Shtime do të krijohet një hapësirë e duhur, edhe për rikthimin e këtyre banorëve, kudo që të jenë ata, edhe në Topanicë edhe diku tjetër”.



XS
SM
MD
LG