Ndërlidhjet

KOSUMI: QËNDRIMI I BE-SË KRIJON KORNIZËN PËR FORMIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS


Bajram Kosumi, ministër në qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, tema më e përfolur këto ditë në politikën e Kosovës është decentralizimi, pasi pilot-projektet e lansuara nga qeveria kanë shkaktuar thyerjen më të madhe deri tani në raport me opozitën. Si e vlerësoni ju këtë proces?

BAJRAM KOSUMI
Procesin e reformës apo të decentralizimin e vlerësoj si një proces që duhet të ecë dhe duhet të ketë progres. Në këtë fushë në Kosovë nuk ka lëvizje dhe nuk ka reforma me dekada të tëra dhe me të vërtetë është koha e fundit, kur ne duhet ta shikojmë realitetin dhe interesin tonë për të bërë reforma, e reforma të tilla që nënkuptojnë edhe decentralizimin. E kam fjalën për reforma, që pushteti të jetë më afër qytetarit, ndërsa edhe për decentralizim është një realitet i ri i krijuar tashmë – Prishtina i ka rreth 400 mijë banorë, është një komunë – kjo është absurditet i llojit të vet dhe nuk duhet të jetë kështu, por duhet të ketë shumë komuna në Prishtinë. Unë mendoj se ky proces duhet të ecë. Është përgatitur një projekt-dokument i qeverisë së Kosovës, ai dokument duhet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, të debatohet dhe të vendoset për atë dokument, të jepen sugjerimet e Kuvendit dhe pastaj të shkohet edhe një periudhë me pilot-projekte, që të bëhen provat e para deri sa të bëhet infrastruktura ligjore. Kjo nuk mund të bëhet për një javë siç kishte zëra në Kuvendin e Kosovës, pasi për një javë nuk mund të përgatitet as një ligj, e lëre më një tërësi ligjesh që kërkohet për këtë proces. Pra, duhet një kohë më e gjatë dhe në këtë periudhë mund të bëhen provat e para, se si do të funksiononte reforma dhe decentralizimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se do të jenë efektet e thirrjes së kryeministrit Haradinaj dhe kryetarëve të komunave të Kosovës drejtuar serbëve të zhvendosur që të kthehen dhe të integrohen në institucione?

BAJRAM KOSUMI
Këto janë thirrje serioze dhe besoj se shumica e qytetarëve të Kosovës i merr seriozisht këto thirrje. Mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare që është e pranishme në Kosovë, por edhe jashtë i merr seriozisht këto thirrje. Mendoj se është bërë mirë që është bërë kjo thirrje dhe kjo duhet të bëhet edhe në të ardhmen, duke pasur parasysh edhe faktin se një pjesë e serbëve të Kosovës, jo të gjithë, por një pjesë e tyre ende dirigjohen politikisht nga Beogradi dhe ata kanë nevojë dhe ne kemi nevojë t’ua përsërisim këtë thirrje, që t’u tregojmë se rruga e vërtetë për realizimin e interesave të atyre njerëzve, qofshin ato interesa kombëtare, politike ose jetësore është përmes institucioneve të Kosovës dhe jo përmes klubeve të Çoviqit apo qeverisë së Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti ministër serbët e Kosovës kanë paralajmëruar mundësinë që të hyjnë në institucione, duke e parë si zgjidhje kalimtare përfshirjen në grupet punuese për standardet. Si e shihni ju këtë zhvillim?

BAJRAM KOSUMI
Ky është një proces që do të ndodhte dikur. Ata kanë gabuar fillimisht kur kanë bojkotuar institucionet e Kosovës. Nëse dëshirojnë ta zhagisin gabimin e tyre, le ta zhagisin. Ne edhe atëherë u kemi bërë ftesë dhe edhe tani u bëjmë ftesë, që nuk duhet të paraqesin parakushte, për të bërë punën në institucionet e Kosovës. Puna në institucionet demokratike të Kosovës është parakushti për të zgjidhur problemet, prandaj nuk mund të vësh parakushte në parakusht. Nëse ata do të hyjnë në grupet punuese, mirë se vijnë, por unë e di se qoftë pas një apo dy muajsh, ata do të detyrohen të vijnë përsëri, sepse demokracia është rregull e lojës tani dhe ata duhet ta përfillin këtë rregull të lojës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, deri ku ka arritur puna e jetësimit të standardeve, sidomos në grupin tuaj?

BAJRAM KOSUMI
Puna për standarde ka një progres shumë të madh në tremujorin e fundit. Mund të them se ndoshta në kohë shumë më të gjata nuk është punuar sa është punuar për këta tre muaj të fundit dhe kjo është reflektuar pozitivisht me vlerësimin që u është bërë standardeve, qoftë këtu, qoftë në Këshillin e Sigurimit. Vlerësimi pozitiv i standardeve përfshirë edhe vlerësimin politik, ia hap rugën statusit përfundimtar të Kosovës. Sa i përket standardit të gjashtë për të drejtën pronësore, edhe këtu ka një progres dhe puna ka ecur përpara, pasi janë kryer shumë nga kërkesat dhe veprimet, por ende ka shumë të papërfunduara, sepse ky është një standardet më të vështira, pasi çështja e pronës nuk është e koklavitur vetëm në dy-tre vjetët e fundit, por që nga viti 1912, çështja e pronës private në Kosovës është e koklavitur, edhe me ligj është e koklavitur. Ka shqiptarë të Kosovës që e kanë blerë pronën e tyre katër herë brenda këtij shekulli dhe këto probleme nuk mund të zgjidhen menjëherë dhe sidomos problemi është theksuar pas luftës, me uzurpimin e banesave. Këto probleme nuk mund të zgjidhen për një javë, por, ajo që është e rëndësishme është se ne do të tregojmë se ne jemi në proces të zgjidhjes së këtyre problemeve. Ne jemi në procesin e bërjes së shtetit të Kosovës dhe një shtet demokratik parakupton si kusht themelor respektimin e pronës private.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, çfarë indikacionesh japin për të ardhmen e Kosovës tre opsionet e pamundshme të ministrave të Bashkimit Evropian për moskthim në 99-tën, mosndarje të Kosovës dhe mosbashkim me Shqipërinë?

BAJRAM KOSUMI
Mendoj se është një kornizë fillestare e mirë, është një bazë e mirë, do të thotë, në tre aspekte është qartësuar problemi dhe është shumë mirë që është bërë ky qartësim – do të thotë nuk ka kthim kah Serbia dhe kah asnjë lloj lidhje me Serbinë dhe Malin e Zi, nuk ka ndarje të Kosovës, siç ëndërrojnë disa politikanë në Serbi dhe nuk ka edhe bashkim me Shqipërinë, që do të thotë se përafërsisht është krijuar baza për zgjidhjen e statusit të Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran. Natyrisht mund të ketë përsëri kërkesa të tjera dhe standarde të tjera, por ne thjesht do të mësohemi që ato standarde t’i bëjmë për veten tonë e pastaj për të tjerët. Por ajo që është thelbësore me këtë deklarim të ministrave të jashtëm të Unionit Evropian është krijimi i një kornize të mirë për formimin e shtetit të Kosovës.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG