Ndërlidhjet

PLANI PËR DECENTRALIZIM DO TË DEBATOHET NË KUVEND MË 10 MARS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Drafti i planit për zbatimin e pilot projekteve për decentralizimin e pushtetit, do të vihet për debat në Kuvendin e Kosovës më 10 mars. Kjo pikë është vënë në shqyrtim parlamentar pas një kërkese të mëparshme të Partisë Demokratike të Kosovës, si subjekti më i madh opozitar. Vendimi për vënien e decentralizimit për debat në Kuvend, është marë sot nga ana e kryesisë së këtij institucioni. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se debati do të përqëndrohet në planin e qeverisë, i cili tashmë iu është shpërndarë deputetëve për shqyrtim:
“Të gjitha kushtet janë përmbushur, qeveria e ka dërguar materialin me kohë dhe mendoj që nga kjo seancë do të dalë një konsensus i përgjithshëm për kahjet e mëtejshme të kësaj reforme, duke pasur parasysh edhe fazën shumë të ndjeshme që gjendet Kosova, apo në fazën e nevojës për përshpejtimin e procesit të përmbushjes së standardeve”, theksoi Sejdiu.
Në seancën e fundit plenare, Grupi Parlamentar i PDK-së pati lëshuar mbledhjen, për shkak të pakënaqësive me faktin se pozita nuk ishte pajtuar atë ditë për vënien në debat të çështjes së decentralizimit. Mirëpo, për seancën e radhës, deputetët e PDK-së, sipas Xhavit Halitit, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, do të marrin pjesë në debat dhe do t’i paraqesin pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë proces:
“Normalisht që ne nuk e kemi shpallur bojkotimin e Kuvendit të Kosovës. Ka qenë një akt i Grupit Parlamentar që e ka ndërmarë si shenjë proteste dhe besoj, edhe pse akoma nuk kemi marë vendim, që në seancën e ardhshme do të marrim pjesë si grup parlamentar”, tha deputeti Haliti.
Partia Demokratike e ka kundërshtuar në masën më të madhe planin e fundit të qeverisë, duke e quajtur atë si një plan ilegal, që nuk e gëzon mbështetjen e Kuvendit dhe duke e vlerësuar zbatimin e tij si rrezik që shpie Kosovën drejt ndarjeve etnike dhe kantonizimit. Mirëpo, plani i qeverisë në anën tjetër ka gëzuar përkrahjen e partive parlamentare nga radhët e pakicave të tjera. Deputeti Xhezair Murati, që përfaqëson grupin e pakicave jo serbe në kryesi, tha se decentralizimi nuk mund të krahasohet me kantonizimin, pasi ky proces sipas tij, do të sjellë administratën dhe shërbimet e saj më afër qytetarëve:
“Decentralizimi ka për qëllim thjeshtësimin dhe zgjidhjen më të shpejtë të problemeve të qytetarit të rëndomtë, që komunat e mëdha të ndahen në komuna të vogla, por në të cilat do të sundojnë ligjet e Kosovës”, tha Murati.
Përndryshe, decentralizimi vlerësohet të jetë një proces i gjatë në Kosovë. Fillimisht gjatë 18 muajve të ardhshëm do të testohen pilot komunat e reja, ndërsa me miratimin e ligjeve përkatëse, pas dy viteve, mendohet të fillohet me një reformë të tërësishme në pushtetin lokal, e cila do të sjellë krijimin e një numri shumë më të madh të komunave në Kosovë.

XS
SM
MD
LG