Ndërlidhjet

KRYEADMINISTRATORI PETERSEN TAKON GJENERALIN BRITANIK MICHAEL JACKSON


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përmbushja e standardeve dhe rruga drejt statusit është pothuajse krejtësisht në duart e institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ka deklaruar sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Ai i ka bërë këto deklarata sot pasdite në aeroportin e Prishtinës, me t’u kthyer nga Nju Jorku, ku javën e kaluar ka prezantuar raportin tremujor për Kosovën, para Këshillit të Sigurimit.
Petersen është shprehur i kënaqur nga takimet që ka pasur gjatë javës në Bruksel dhe në Nju Jork:
"Nëse do të ketë vlerësim pozitiv të standardeve, ne jemi në rrugë të mirë që të fillojmë bisedimet për statusin në vjeshtë të këtij viti," tha zoti Jessen Petersen, duke theksuar se kishte kërkuar nga BE-ja një qasje gjithëpërfshirëse ndaj Kosovës, qoftë në periudhën e vlerësimit të standardeve, qoftë në periudhën e paszgjidhjes së statusit. Mirëpo, tha Petersen, ndërkohë mbetet ende punë për t’u bërë:
"Rruga përpara është e qartë, afatet janë të qarta dhe tani u takon pothuajse ekskluzivisht institucioneve vendore, komunave dhe qytetarëve të Kosovës që të sigurojnë se do t’i përmbushim këto afate dhe të mos i humbin ato," tha Petersen. Ai tha se deklaratat e tij nuk janë në kundërshtim me raportin e Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan, i cili ka thënë se asnjëri nga standardet nuk është përmbushur. Petersen tha se kjo është e vërtetë, pasi, edhe pse ka përparime të ndryshme në standardet, asnjëri prej tyre nuk është përmbushur tërësisht:
"Ka deklarata të mira, qëllime të mira dhe përpjekje të mira, por e gjitha duhet të përkthehet në veprime konkrete në terren, posaçërisht në fushën e lirisë së lëvizjes dhe kthimit të të zhvendosurve," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen.
Zoti Jessen Petersen, raporti i të cilit është vlerësuar lart nga institucionet e Kosovës, tha se ftesa për përfshirjen e serbëve të Kosovës mbetet e hapur, mirëpo bëri të qartë se Kosova po ecën përpara me afate të qarta dhe Beogradit i mbetet ta kuptojë këtë. Ndërkohë, në prag të vizitës së nesërme të kryeministrit të Maqedonisë Vlado Buçkovski në Kosovë, shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, tha se demarkimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë nuk guxon të lihet e pazgjidhur deri në zgjidhjen e statusit.
Zoti Petersen paraprakisht ka takuar komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Britanike, gjeneralin Michael Jackson, i cili ka qëndruar mbrëmë dhe sot në Prishtinë, me ç’rast ka takuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, komandantin e TMK-së, gjeneralin Agim Çeku, zyrtarë të KFOR-it, si dhe ushtarë e policisë nga Britania e Madhe, që janë me mision në Kosovë. Gjenerali Jackson tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të mendojë më shumë për të ardhmen e Kosovës:
"Mendoj se është e qartë se egziston një botëkuptim në bashkësinë ndërkombëtare se statusi aktual i Kosovës nën rezolutën 1244 nuk mund të zgjasë pafundësisht, prandaj ka ardhur koha që të bisedohet për statusin," tha gjenerali Jackson, i cili në Kosovë pati ardhur në qershor të vitit 1999 në krye të forcës paqëruajtëse KFOR.


XS
SM
MD
LG