Ndërlidhjet

HARADINAJ KËRKON NGA BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE QË T'I PËRMBAHET AGJENDËS PËR STATUSIN POLITIK


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë sot se pret që pas vlerësimit të standardeve, bashkësia ndërkombëtare t’i përmbahet agjendës për statusin politik. Këto deklarata kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i ka bërë pas një takimi të udhëheqësve të institucioneve dhe të partive politike me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i cili, siç u tha, i ka njoftuar ata lidhur me vizitat në Bruksel dhe në Nju Jork dhe është përpjekur të sigurojë konsenzusin për decentralizimin:
"Personalisht kam dhënë edhe një herë premtimin se do të vazhdojmë punën tonë me standardet, se do të arrijmë sukses në maj me vlerësimin teknik, me vlerësimin politik, dhe presim që bashkësia ndërkombëtare t’i përmbahet agjendës për statusin politik," tha kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke e vlerësuar lart raportin e zotit Petersen në Këshillin e Sigurimit. Edhe presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se raporti i shefit të UNMIK-ut ishte pozitiv:
"Vlerësojmë si një vizitë positive dhe prezantim pozitiv për Kosovën në progresin e Kosovës. Gjithsesi do të vazhdojmë rrugën tonë të progresit," tha presidenti Rugova, duke shtuar se pavarësia e Kosovës do të ishte standardi kryesor, pas përmbushjes së të cilit, do të ishte shumë më lehtë të përmbusheshin edhe standardet e tjera.
Edhe kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, kryetar i partisë më të madhe opozitare, tha se Kosovës duhet t’i njihet pavarësia me një vendim të komunitetit ndërkombëtar:
"Mendoj se me vazhdimin e implementimit të standardeve të domosdoshme që po kalojmë në këtë proces demokratik, do të hapet edhe rruga e sigurt për zgjidhjen e statusit politik, që unë mendoj se duhet të jetë një vendim i komunitetit ndërkombëtar për të njohur pavarësinë e Kosovës."
Ndërkohë që u është bashkuar qëndrimeve të liderëve të tjerë lidhur me aktivitetet e zotit Petersen, lideri i partisë ORA, Veton Surroi kërkoi konsenzus ndërmjet qeverisë dhe opozitës për reformën e pushtetit lokal dhe decentralizimin:
"Pjesa e dytë e këtij takimi kishte të bënte me decentralizimin. Aty përsëritëm qëndrimet tona karshi decentralizimit, që ne mendojmë se është një proces që kërkon konsenzus. Nuk po shohim konsenzus të qeverisë, ndoshta e ndërtojmë tani me kryeministrin, por mendoj se është një çështje pak më serioze, për t'u tejkaluar me kaq thjeshtësi".
Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se do të gjenden forma që të debatohet lidhur me këtë proces të rëndësishëm për Kosovën:
"Ka qenë dakordim i përbashkët për vazhdimin e një debati. Siç e dini në parlament do të jetë shpejt një debat, por do të kërkohen edhe forma të tjera të debatit".
Pas takimit në selinë e UNMIK-ut, kryeministri Ramush Haradinaj dhe liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Hashim Thaçi e Veton Surroi, kanë vazhduar bisedimet në një lokal në afërsi, ku sipas Surroit, do të përpiqeshin të përafronin qëndrimet lidhur me decentralizimin, pasi lansimi i pilot-projekteve nga qeveria, ka shkaktuar polemikat më të ashpra deri më tash ndërmjet opozitës dhe pozitës.


XS
SM
MD
LG