Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

PETERSEN: OKB LEJON KONTRATAT 99 VJEÇARE ME INVESTITORËT NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Aktualisht nuk ka ndonjë ndryshim të agjendës ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ka deklaruar sot në Prishtinë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pas një takimi me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Kryeministri Haradinaj i ka bërë këto komente duke shpjeguar kërkesën e tij bërë dy ditë më parë drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, që pas vlerësimit pozitiv teknik dhe politik të standardeve, t’i përmbahet agjendës për statusin politik të Kosovës:
"Mendoj se ndërtimi i agjendës ka qenë dypjesësh – pra ajo që ka ndodhur në Kosovë si punë dhe gadishmëria e bashkësisë ndërkombëtare për të përcjellë një dinamikë të këtushme, për ta patur edhe një orar të vetin të agjendës politike. Mendoj se kërkesa dhe qëllimi im edhe tani, është që t’i përmbahemi kësaj agjende dhe nuk shohim sinjale se do të ketë ndryshim të agjendës".
Kryeministri Haradinaj tha se tani për tani nuk ka ndonjë pengesë ,që do të mund dilte në rrugën e përmbushjes së standardeve prioritare dhe të fillimit të bisedave për statusin. Kryeministri i Kosovës tha se bashkësia ndërkombëtare ka qenë evoluese në qëndrimet e saj për statusin:
"Ajo që mund të them është se është vullneti ynë politik, i popullit të Kosovës për pavarësi. Ne i shërbejmë këtij vullneti, pra e ndërtojmë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka qenë evoluese dhe kjo është vërtetuar në qëndrimet e saj."
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, tha se e kishte njoftuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për një lajm të mirë që do të ndikojë për zhvillimin ekonomik të Kosovës:
"Kombet e Bashkuara në Nju Jork janë pajtuar me propozimin tonë, që të lejohet mundësia e kontratave 99 vjeçare për investitorët," tha zoti Jessen Petersen, duke e parë këtë një mundësi të mirë për investitorët e huaj dhe për ekonominë e Kosovës:
"Kjo ka qenë me rëndësi për investitorët dhe për sigurinë e investimeve të tyre që ato të kenë garanci afatgjatë," tha Jessen Petersen, për të shtuar se disa investitorë potencialë, të cilët janë të gatshëm të nisen që nesër, kanë insistuar për kontratat në kohëzgjatje prej 99 vjetësh.
Dy bashkëbiseduesit kanë folur sot edhe për përparimet që janë bërë në përpjekjet për nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Deri më tani Kosova ka marrëveshje të tregtisë së lirë vetëm me Shqipërinë, ndërsa ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se kjo marrëveshje ka mundësuar rritjen e eksportit të Kosovës me Shqipërinë.






XS
SM
MD
LG