Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

RIZA HALIMI: IMPLEMENTIMI I PROJEKTEVE - ÇËSHTJE ME RËNDËSI JETIKE PËR POPULLATËN E LUGINËS SË PRESHEVËS


Në selinë e OSBE-së në Beograd, të enjten, tre liderë politikë shqiptarë janë pajtuar që të përfshihen në komisionet e Trupit Koordinues të qeverisë së Serbisë për Komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Për këtë çështje shprehet lideri i Partisë për Veprim Demokratik në Luginën e Preshevës, Riza Halimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Halimi, ju dhe dy udhëheqës të dy partive të tjera u pajtuat për pjesëmarrje në komisionet e Trupit koordinues të qeverisë së Serbisë për komunat Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë, por këtë nuk e bëri Partia Demokratike Shqiptare. Si e shpjegoni ju këtë zhvillim?

RIZA HALIMI
Ne brenda muajit të fundit kemi pasur disa takime dhe në to kemi konstatuar që këto tri parti, që edhe e nënshkruan deklaratën e përbashkët për fillimin e punës së tetë grupeve në kuadër të Trupit koordinues që ka themeluar qeveria federative dhe republikane, apo më vonë tani qeveria apo Këshilli i Ministrave Serbi-Mali i Zi bashkë me qeverinë republikane dhe që e mori përkrahjen e Bashkësisë ndërkombëtare, të OSBE-së por edhe të NATO-s. Në takimin që patëm dje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë të ambasadës amerikane, ishte ambasadori i Britanisë së Madhe dhe diplomatë të tjerë, të cilët ishin dhe kanë qenë aktivë në përgjithësi në këtë çështje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian…agjencitë e tyre kanë qenë tërë kohën aktivë në implementimin e Marrëveshjes së Paqes të nënshkruar në vitin 2001 dhe që insistonin, pas pauzës që ne e patëm vitin e kaluar - kur ishte bllokada e qeverisë së Koshtunicës - e ushtruar ndaj planit të këtij procesi politik. Përgjithësisht, u ndodhëm në një atmosferë ku përfaqësues të lartë të Bashkësisë ndërkombëtare insistonin që, megjithatë, ky proces të vazhdojë dhe të përshpejtohet. Ne patëm arritur që tri partitë ti bëjnë vëretjet e përbashkëta, mirëpo arsyetimi i kryesisë së Partisë Demokratike Shqiptare ishte se ata nuk janë në gjendje t'u bashkangjiten vëretjeve të përbashkëta para se të formohet Këshilli Kombëtar i shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mirëpo, argumentet tona, në anën tjetër, ishin se ne Këshillin Kombëtar kemi arritur ta konstituojmë këto dy vite dhe do të ishte jo praktike dhe në dëm të interesave vitale në përgjithësi të qytetarëve në Luginën e Preshevës, por në radhë të parë të popullatës shqiptare, që edhe më tej të zvarritet zbatimi i një programi të rëndësishëm. Madje, ne kemi një përshtypje që nuk kishte edhe ndonjë interesim aq të madh dhe të vetë qeverisë, sepse ka obligime të mëdha edhe financiare, por shpesh mungon edhe vullneti politik për të hyrë në disa reforma, apo për t'ju ofruar shqiptarëve që në mënyrë më serioze të integrohen në strukturat shoqërore dhe shtetërore. Prandaj, shihet qartë, që shumica e subjekteve politike në Luginën e Preshevës vendosi që këtë pozicion ta ndërpresë dhe faktikisht të kyçet në mënyrë aktive në punën e tetë komisioneve dhe ma merr mendja se, po qe se qeveria në Beograd do të fillojë t'i zbatojë apo t'i kryejë projektet, të cilat i kishte bllokuar vitin e kaluar, sepse janë projekte të filluara gjatë vitit 2002 dhe 2003 dhe po qe se fillojnë këto grupe të punës, pra punojnë me sukses për t'i zgjidhur problemet e grumbulluara këtu, jam i bindur se do të krijohet një atmosferë ku të gjitha subjektet, në radhë të parë përfaqësuesit e pushteteve lokale, por aty në mënyrë aktive janë edhe përfaqësues të partive politike, do të ishte krijuar një atmosferë që të gjithë të kyçen në mënyrë aktive për t'i implementuar të gjitha këto projektet që janë, e përsërisë edhe njëherë, me rëndësi jetike për shqiptarët dhe në përgjithësi për popullatën e Luginës së Preshevës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat veprimtari parashihen se do t'i kryejnë këto komisione, në të cilat tash do të marrin pjesë edhe përfaqësues të pjesës më të madhe të partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës?

RIZA HALIMI
Në tërë këto grupe janë të parapara aktivitetet që edhe deri tash i kemi pasur në kuadër të investimeve në infrastrukturat komunale, në objekte, në veprimtari publike, në zhvillimin ekonomik, por edhe në fushë të arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, informimit, kulturës dhe përveç të tjerave është edhe një grup i veçantë për çështjet e sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt dua t'ju pyes për çështjen që e kanë ngritur shpesh herë partitë politike në Luginën e Preshevës, atë të grumbullimit të forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Luginë. Në këtë aspekt, a mund të pritet ndonjë lëvizje?

RIZA HALIMI
Vërejtjet tona, në radhë të parë në Preshevë, ishin se mbi 70 % e territorit të komunës, në një formë, ishte në një gjendje të jashtëzakonshme, meqë në ato pesë km të kufirit me Maqedoninë, në pesë km të zonës së sigurisë tokësore në drejtim të Kosovës, janë përqëndrimet ushtarake - policore me kompetenca të veçanta të forcave militare. Kohët e fundit, ju e dini, ishte një vendim që të ngushtohet zona kufitare me Maqedoninë në vend të pesë kilometrave në 300 metra, që është një hap pozitiv. Të njëjtën gjë kërkojmë edhe për pikën kufitare me Kosovën. Kufijtë le të ruhen por kjo të bëhet në mënyrë profesionale, pa forca aq të mëdha ushtarake në terren, e posaçërisht të atyre të xhandarmërisë. Në këto grupe do të jetë momenti, do të jetë rasti, që të bisedojmë më konkretisht për çështjet e sigurisë, për të gjitha këto probleme, të cilat normalisht kanë qenë ndër problemet më të ndjeshme. Kjo sepse ka të bëjë me qarkullimin e lirë të qytetarëve, ka të bëjë me pengesat e kryerjes së punëve të rëndomta të familjeve, çështjeve të aktiviteteve të tyre ekonomike, punimin e tokës, përdorimit të kullosave apo të maleve private. Të gjitha këto kërkojnë një diskutim serioz dhe me argumente ne do të mundohemi që edhe në punën e këtij grupi për çështje të sigurisë, t'i zgjidhim të gjitha këto probleme mjaft të ndjeshme edhe të krijohet një ambient që do të jetë i pranueshëm, që do t'u ofrojë jetë normale qytetarëve, mundësi për një zhvillim dhe për rindërtim.

Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG