Ndërlidhjet

JOHANNES LINN: ÇËSHTJA E STATUSIT TË KOSOVËS TË HAPET SA MË SHPEJTË


"Unë do t'i kisha dhënë përparësi gjetjes së një zgjidhjeje të pastër, sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kjo zgjidhje, në themel, nënkupton pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës…këtu është thelbësore se çfarë garancash mund të sigurohen për pakicën serbe, pra si të bëhet Kosova tërheqëse për ata që të jetojnë në të", thotë, pos tjerash, analisti Johannes Linn, nga instituti Brukings me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me Kosovën ekzistojnë qëndrime kundërthënëse në Bashkësinë ndërkombëtare. Disa thonë se bisedimet për statusin final duhet të fillojnë pasi të plotësohen standardet, ndërsa të tjerët mendojnë se statusi final duhet të zgjidhet sa më parë, sepse në të kundërtën ekziston rreziku i shpërthimit të sërishëm të trazirave?

JOHANNES LINN
Vështirë është të parashihet kjo gjë pasi ekzistojnë shumë palë të interesuara. Këtu janë Serbia, institucionet e Kosovës, pakica serbe, Bashkimi Evropian, në kuadër të së cilës ka pikëpamje të ndryshme lidhur me çështjen e Kosovës dhe Shtetet e Bashkura. Duke pasur parasysh se sa kjo gjendje kalimtare po zgjatë, konsideroj se do të ishte më së miri që i tërë procesi të mos shtyhet pafundësisht, por që çështja e statusit final të hapet. Kjo do ti ndihmonte Serbisë, sepse do të reflektohej në përmirësimin e pozicionit të saj ndërkombëtar, përfshirë këtu investimet e jashtme. Njëherësh, do të zvogëlohej paqartësia politike në vetë Serbinë. Kjo, kuptohet, do ti ndihmonte Kosovës që ti kthehej zgjidhjes së shumë çështjeve vendore politike dhe pronësore. Këtu është thelbësore se çfarë garancash mund të sigurohen për pakicën serbe…pra si të bëhet Kosova tërheqëse për ata që të jetojnë në të. Në këtë apsket, përgjegjësi të madhe ka Bashkësia ndërkombëtare, para se gjithash Evropa, që edhe më tutje të angazhohet në Kosovë… duke ndihmuar politikisht dhe ekonomikisht shqiptarët shumicë dhe, para se gjithash, pakicën serbe, në ripërtritje dhe në përgjithshësi në krijimin e kushteve më të mira të jetesës, në mënyrë që të mund të ndjehen të mirat ekonomike nga një, të shpresojmë, zgjidhje e shpejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë persona konsiderojnë se pavarësia e Kosovës është një përfundim i pashmangshëm i negociatave për statusin final. Por disa të tjerë, mendojnë se duhet të ekzistoj një periudhë kalimtare gjatë së cilës Kosova esencialisht do të ishte e pavarur, por nën një protektorat të Bashkimit Evropian. Sipas këtyre ideve, pavarësia e Kosovës do të pranohej formalisht në momentin kur ajo, si edhe vendet e tjera të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Serbinë, të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. A është kjo reale?

JOHANNES LINN
Unë do t'i kisha dhënë përparësi gjetjes së një zgjidhjeje të pastër sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kjo zgjidhje në themel nënkupton pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kuptohet, janë të mundshme edhe gjëra të tilla, siç është periudha kalimtare, sikur në rastin e Malit të Zi, që si rezultat do të kishte vazhdimin e paqartësisë politike. Është i mundshëm edhe varianti i protektoratit të Bashkimit Evropian, megjithqë nuk jam i sigurtë se BE-ja e dëshiron një përgjegjësi të këtillë të madhe. Por nëse Bashkimi Evropian vendos ta ndërmarrë një hap të tillë, që do të pranohej nga shqiptarët dhe serbët, kjo do të thotë se misioni i tij do ta zëvendësonte atë të Unmikut. Mirëpo, me gjasë, do të ishte e domosdoshme që i gjithë projekti të mbetej edhe mëtutje nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të ruhej legjitimiteti ndërkombëtar. Pra Kombet e Bashkuara do të vazhdonin të luanin rol.
XS
SM
MD
LG