Ndërlidhjet

EKSPERTËT VLERËSOJNË POZITIVISHT LEJIMIN NGA OKB-JA TË KONTRATAVE 99 VJEÇARE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Vendimi i Kombeve të Bashkuara për lejuar garantimin e investimeve në Kosovë për 99 vjet është lajmi më i mirë për Kosovën në këtë vit, por kjo duhet të përcillet me masa të qeverisë, për të joshur edhe më tepër investuesit e huaj, kanë thënë ekspertë të ekonomisë, duke e komentuar vendimin e Kombeve të Bashkuara që t’u japë lejen komunave të Kosovës të japin garancione 99 vjeçare për investimet afariste në Kosovë. Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik të Kosovës lidhur me këtë tha:
"Në një situatë kaq të rëndë ekonomike dhe shoqërore, në të cilën gjendet Kosova mund të thuhet se është një ndër lajmet më të mira të vitit 2005",tha zoti Limani, për të shtuar se ky vendim ka efekte të dyanshme dhe sa është i rëndësishëm në aspektin ekonomik, po aq është i rëndësishëm në aspektin politik:
"Në aspektin politik është i rëndësishëm, sepse me këtë nënkuptohet se pavarësia e Kosovës duhet të mbrohet për 99 vjet, ndërsa efektet pozitive janë dukshëm të mëdha në fushën ekonomike"
Në anën tjetër, drejtori i institutit Riinvest thotë se ky vendim mund të nxisë investimet e huaja, por nuk është faktori i vetëm:
"Natyrisht se kjo do të prodhojë rezultate më të mira në kuptim të krijimit të një ambjenti më të mirë biznesor, përmes politikave ekonomike që përfshijnë politikën e taksave, politikat tregtare dhe politikat e financimit të bizneseve."
Ai tha se institucionet duhet të kenë parasysh se investuesit e huaj, përpos këtij garancioni, kërkojnë edhe garanci të tjera, si zhvillimi i privatizimit pa pengesa:
"Është e njohur se në tërë rajonin investimet kanë marrë hov më të madh, nëse privatizimi bëhet pa pengesa dhe e treta ka të bëjë me një siguri më të plotë, e cila bëhet nëse funksionon shteti ligjor".
Zoti Musa Limani ndërkaq mendon se tani i mbetet qeverisë së Kosovës të ndërmarrë hapat e ardhshëm:
"Tani qeveria e Kosovës duhet ta bëjë strategjinë e zhvillimit ekonomik dhe ta përgatisë infrastrukturën për të lehtësuar dhe mundësuar që investuesit e huaj në aspektin procedural të mos kenë probleme".
Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë thonë se tani shumë shpejt qeveria duhet të përgatisë infrastrukturën juridike dhe të politikës fiskale, me çka do të mundësonte që shumë më shpejt dhe me politikë tërheqëse fiskale, të tërhiqen investitorët e huaj. Në këtë kuptim, ekspertët thonë se investuesit mund të lirohen nga doganat për pajisjet që do t’i sjellin për bizneset e tyre dhe të lirohen nga tatimet dhe elementet e tjera të politikës fiskale, që të mund të krijohet një bazë tërheqëse pos asaj që garantojnë Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të nxitet një një zhvillim ekonomik i Kosoëvs.

XS
SM
MD
LG