Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI I KOSOVËS RAMUSH HARADINAJ DHA DORËHEQJEN


Zijadin Gashi, Prishtinë Ramush Haradinaj, duke komentuar aktakuzën ndaj tij tha: "Nuk mendoj se kjo është kthim prapa për Kosovën. Por është një ndërhyrje, një Pazar politik. Tribunali i Hagës po i trajton njësoj luftëtarët e lirisë dhe agresorët që kanë shkatërruar kombe të tëra, ndërsa rajonin e kanë shndërruar në gërmadha. Akuza është mbështetur në gënjeshtrat e Beogradit dhe është rezultat i tregtisë, të cilën disa e kanë bërë me qeverinë e Serbisë, në mënyrë që kriminelët serbë t'i dorëzohen Hagës".

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar sot se Tribunali Ndërkombëtar i Hagës ka ngritur aktakuzën kundër tij dhe se ai do të udhëtojë nesër për në Hagë, për t’u përballur me këtë aktakuzë. Si rrjedhojë e kësaj aktakuze, Haradinaj ka njoftuar se ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës dhe ka propozuar nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që është njëherësh dhe Ministër i Ambjentit dhe Planifikimit Hapësinor, Bajram Kosumin, për kryeministër të ardhshëm. Deri në procedurën e votimit të Kosumit për kryeministër, këtë post do ta ushtrojë zëvendëskryeministri Adem Salihaj.
Akuza, atij i është dorëzuar në ditën kur qeveria e Kosovës po shënonte dhe bënte balancin e punës 100 ditëshe, e në të cilën po merrte pjesë dhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Duke komentuar akuzën ndaj tij, Haradinaj tha se ndihet i pafajshëm dhe këtë do të dëshmojë edhe para Tribunalit të Hagës. Haradinaj tha se procesi në Kosovë dhe pavarësimi i saj është çështja kryesore, që duhet të angazhohet qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera:
“Unë nuk mendoj se ky është një kthim prapa në Kosovë, është një ndërhyrje, është një pazar politik për këtë, por ne jemi të vendosur që të bëjmë shtetin dhe jam i bindur se askush nuk mund ta ndalë rrugën drejt pavarësisë. Besoj në njerëzit që do ta vazhdojnë punën dhe besoj në popullin e Kosovës”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se dyshonte që kjo ndërhyrje politike, siç e quajti ai, paraqet dhe një lëkundje të parimeve të drejtësisë ndërkombëtare. Por sidoqoftë, sakrifica për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës kurrë nuk është e mjaftueshme, tha ai:
“Ka një lëkundje të parimeve të drejtësisë nga shumë aspekte, por ajo është shumë pak e vlefshme, në krahasim me atë që do të vazhdojmë të punojmë në Kosovë. Do të kemi shtet. Shumë nga njerëzit me të cilët kam qenë nuk janë fare në jetë dhe ata kishin pasur dëshirë ta kishin fatin tim, qoftë duke qenë në “pushim” qoftë duke qenë në punë. Them edhe njëherë se do të vazhdojmë fuqishëm në këtë rrugë, do të vazhdojmë në rrugën e pavarësisë. Bashkësia ndërkombëtare do të bënte mirë që të nxitohej për ta njohur pavarësinë e Kosovës, meqënëse është marrë një kahje e duhur, është bërë një punë e mirë, është vërtetuar orientimi demokratik i shoqërisë së Kosovës, një tolerancë ndëretnike po ashtu dhe mendoj se do të duhej të përshpejtohej procesi i pavarësisë së Kosovës. Në rast se e kam një kërkesë për bashkësinë ndërkombëtare, është që, përshpejtojeni njohjen e pavarësisë së Kosovës, pra bëheni në kohë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq në një mesazh me shkrim drejtuar qytetarëve, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër Kosovës, ka ripërsëritur se nuk është fajtor. Ai ka vënë në pah se Tribunali i Hagës po i trajton njësoj luftëtarët e lirisë dhe agresorët që kanë shkatërruar kombe të tëra, ndërsa rajonin e kanë shndërruar në gërmadha. Sipas Haradinajt, akuza është mbështetur në gënjeshtrat e Beogradit dhe është rezultat i tregtisë, të cilën disa e kanë bërë me qeverinë e Serbisë, në mënyrë që kriminelët serbë t'i dorëzohen Hagës.
Më tej në deklaratën për shtyp thuhet se lufta e fundit në Kosovë la së paku 12 000 të vrarë dhe qindra mijëra të tjerë të fyer e të përdhunuar. Më shumë se 120 000 shtëpi dhe prona të djegura dhe më se një milion qytetarë të larguar me forcë nga shtëpitë e tyre në një kampanjë brutale të spastrimit etnik. Lufta jonë për liri, thuhet në deklaratën e ish-kryeministrit, ka kërkuar tepër sakrifica. Edhe sot e kësaj dite me mijëra familje përballen me dhimbjen dhe ankthin për më të dashurit e tyre, fati i të cilëve nuk dihet dhe ne ende nuk e kemi përfunduar punën.
“Ne e kemi kaluar një rrugë të gjatë që nga viti 1999 dhe tani jemi afër arritjes së pavarësisë”, thotë Haradinaj, duke shtuar se kjo do të jetë arritja më e madhe për Kosovën dhe në të njejtën kohë edhe fillimi i rrugëtimit drejt Unionit Europian dhe NATO-s. Pavarësisht faktit se e konsideron të padrejtë dhe ndërhyrje, Haradinaj u angazhua për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare.
"Ndihem i fyer me këtë proces, ndihem i prekur thellë, ndiej se po më largojnë nga puna në kohën kur isha duke e dhënë maksimumin për vendin tim, por më duhet ta pranoj për hir të vendit dhe për hir të të gjithë neve," thuhet në deklaratën e Haradinajt. "Unë jam një njeri i Kosovës dhe me dëshirë sakrifikohem për vendin tim," thuhet në deklaratë.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Adem Salihaj tha se 100 ditët e qeverisë Haradinaj, janë ditët me të sukseshme të qeverisjes së Kosovës:
“Ne na vjen shumë keq që po ndodh kjo, sepse këto tre muaj kur zoti Haradinaj udhëhoqi qeverinë e Kosovës ishin tre muajt më të sukseshëm të qeverisë, që nga themelimi i saj e deri tani dhe proceset kanë hecur aq shpejt, sa që ishte në horizont edhe çështja e statusit të pavarësisë së Kosovës”, vlerësoi Salihaj.
Salihaj i bëri thirrje me këtë rast Kuvendit që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, për të zgjedhur sa më shpejt zotin Bajram Kosumi kryeministër të Kosovës.

XS
SM
MD
LG