Ndërlidhjet

HARADINAJ DHE BRAHIMAJ UDHËTOJNË DREJT HAGËS TË PËRCJELLË NGA QYTETARË TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ramush Haradinaj ka udhëtuar sot për në Hagë, për t’u përballur me padinë e ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës. Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili dje ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i tij për shkak të ngritjes së aktakuzës, sot ka udhëtuar i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Anita Haradinaj, ndërkohë që në aeroplanin special me të cilin ka udhëtuar zoti Haradinaj, ka qenë edhe i akuzuari tjetër nga kjo aktakuzë, Lahi Brahimaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkohë, askush deri tani nuk e ka konfirmuar identitetin e personit të tretë nga e njëjta aktakuzë, që i është dorëzuar dje zotit Ramush Haradinaj.
Ai ka arritur në aeroportin e Prishtinës pak para orës 11, me veturat zyrtare të qeverisë së Kosovës, ndërkohë që rreth 300 veta ishin mbledhur për ta përcjellë atë. Zoti Haradinaj me këtë rast nuk ka folur për mediat por ka falenderuar të pranishmit.
Më pas zoti Haradinaj ka shkuar në aeroplanin special, ndërsa pas disa minutash atij i është bashkangjitur edhe Lahi Brahimaj nga rajoni i Deçanit, ish-bashkëluftëtar i tij, emri i të cilit ndodhet në të njëjtën aktakuzë me zotin Ramush Haradinaj.
Zyrtarë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, pjesëtar i të cilës ishte edhe Lahi Brahimaj, thanë se ai sot ka qenë në TMK. Zëdhënësi kolonel Shemsi Syla tha se ai ka udhëtuar sot bashkë me zotin Haradinaj:
"Sot na është konfirmuar se për në Hagë do të udhëtojë edhe Lahi Brahimaj. Ne u përshëndetëm me të dhe ai së bashku me Ramush Haradinajn udhëtoi për në Hagë",tha zëdhënësi i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës kolonel Shemsi Syla, ndërkohë që askush deri tani nuk ka pranuar të konfirmojë se cili është personi i tretë, emri i të cilit ndodhet në aktakuzën e Tribunalit të Hagës që i është dorëzuar dje Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë e më pas edhe zotit Haradinaj. Zyrtarët e UNMIK-ut thanë se ata nuk mund të thonë asgjë lidhur me këtë çështje dhe se çdo informacion për identitetin e personit të tretë të akuzuar dhe për mënyrën e dërgimit të tij për t’u përballur me akuzat e Hagës, duhet të jepet nga zyrtarët e Tribunalit.
XS
SM
MD
LG