Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS ANGAZHOHET PËR VAZHDIMIN E PUNËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në një mbledhje te jashtëzakonshme, qeveria e Kosovës ka konstatuar sot se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile. Mbledhja e qeverisë është mbajtur pak orë pasi kryeministri Ramush Haradinaj, fluturoi për në Hagë, ku ai do të ballafaqohet me procesin gjyqësor pas aktakuzës së ngritur ndaj tij. Zëvendëskryeministri dhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Kosovës, Adem Salihaj, tha se qeveria e Kosovës nuk sheh indikacione për përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë, pas aktakuzës dhe dorëzimit vullnetar të Haradinajt në Hagë.
"Situata është e qetë dhe stabile. Padyshim se i ka kontribuar vetë zoti Haradinaj, i cili mbajti qëndrim dinjitoz dhe ofroi dorëheqje, duke u dorëzuar vullnetarisht në Hag,ë që dëshmon se ai ka qenë dhe mbetet i përkushtuar për procesin dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Salihaj
Njëkohësisht, qeveria i ka ofruar Haradinajt mbështetjen e nevojshme juridike, si dhe i ka propozuar UNMIK-ut që të ofroj garanca për mbrojtjen e Haradinajt në liri.
“Qeveria do të jetë e përkushtuar që të ofrojë ndihmën juridike dhe në aspekte të tjera që ai të ketë një mbrojtje sa më të mirë në Gjykatën e Hagës, e po ashtu qeveria do të ofroj garancione që Ramush Haradinaj të mbrohet në liri".
Në anën tjetër në administratën e UNMIK-ut, zyrtarët e saj thanë shkurt se është tepër herët që misioni ndërkombëtar të ketë një qëndrim të gatshëm lidhur me atë nëse do të ofrojë apo jo garancione për mbrojtjen në liri për zotit Haradinaj. Kryeadministratori Petersen do të takojë nesër kabinetin qeveritar, mirëpo aktualisht nuk janë dhënë më tepër informacione rreth përmbajtjes së këtij takimi.
Në anën tjetër, pavarësisht faktit se Haradinaj jo vetëm ishte kryeministër, por edhe konsiderohej si shtylla kryesore e ekzekutivit vendor dhe ishte njëri prej krijuesve të koalicionit qeverisës, Salihaj shprehu bindjen e tij se qeveria e koalicionit do të vazhdojë punën pa u tronditur themelet e saj.
“Qeveria është stabile, është kompakte dhe nuk ka elemente shqetësuese brenda saj. Ajo po i përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovë. Nëse do të ndodhte e kundërta, do të dëmtohej procesi në Kosovë dhe nuk do të fitonte askush në këtë drejtim. Jam i bindur që nuk do të ketë, jo vetëm prishje të koalicionit, por as dilema në këtë drejtim”, theksoi Salihaj.
Pas shqyrtimit të rrethanave egzistuese, qeveria e Kosovës ka vlerësuar sot gjithashtu se nuk është momenti i duhur që të fillojnë bisedimet e paralajmëruara Prishtinë – Beograd për fatin e personavë të pagjetur dhe ka sugjeruar që këto bisedime të shtyhen për një kohë të caktuar.


XS
SM
MD
LG