Ndërlidhjet

KOSOVA, NJË TEST I PJEKURISË


INTERNATIONAL HERALD TRIBUNE

Aktakuza e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj nga Tribunali Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë nuk erdhi si ndonjë befasi e veçantë. Spekulimet për ngritjen e aktakuzës dhe shpërthimin e mundshëm të trazirave, aventurizmi i Serbisë dhe reagimi i dhunshëm i ish guerilës së UÇK-së, me muaj të tërë përfoleshin nëpër kafenetë e tymosura të Prishtinës.
Reagimi i kosovarëve dhe i bashkësisë ndërkombëtare më shumë u përqëndrua në çështjen nëse Kosova do të futej në një qark tjetër të frustrimit dhe dhunës etnike. Për momentin, çdonjëri e mban frymën dhe shpreson që kriza të jetë e shkurtë, ndërsa sinjalet e para janë të mira. Por të gjitha palët në teren, përfshirë Kombet e Bashkuara, NATO-ja, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Serbia fqinje, si dhe shqiptarët dhe serbët e Kosovës, tash përballen me testin e rreptë të pjekurisë së tyre.
Sigurisht që akuza u ngrit në një kohë jashtzakonisht të vështirë. Për shumë shqiptarë të Kosovës, ajo u interpretua se shenjë e fatit të keq, përkundër fjalëve të qeta të kryeministrit para nisjes në Hagë. Ata druajnë se bashkësia ndërkombëtare ka përjashtuar çdo mundësi që Kosova të dalë nga gjendja e tashme si protektorat ndërkombëtar dhe të fitojë pavarësinë. Përse mendojnë ata, bashkësia ndërkombëtare do ta akuzonte një kryeministër, i cili kishte simpati të gjerë? Shqiptarët e Kosovës dyshojnë seTribunali ka luajtur sipas valles së "fuqive të mëdha" dhe se asnjë masë e bashkëpunimit nuk do të mjaftonte për të fituar pavarësinë.
Nga ana tjetër, pothuaj të gjithë zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe të huajt tjerë në Kosovë, mendojnë se Haradinaj ishte politikani më kompetent, më serioz dhe më i aftë me të cilin mund të punohej, kurse aktakuzën e shohin si humbje serioze. Shumica e ndërkombëtarëve mendojnë se Haga nuk e pa pyllin nga drunjtë kur vendosi ta akuzojë.
Për rastin duhet të vendosë gjykata, por duhet ndërmarrë hapa të qartë që situata të mos dalë nga kontrolli. Para së gjithash, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre Evropianë duhet ta ngrejnë më lart agjendën për statusin final të Kosovës. Status quo-ja e Kosovës thjesht është e papërshtatshme, dhe vetëm bashkësia ndërkombëtare mund ta zgjidhë situatën.
Përkundër mosgatishmërisë së kryeqyteteve perëndimore dhe rezistencës së prerë të Moskës dhe
Beogradit, megjithate vazhdon të mbizotërojë bindja se Kosovës duhet t'i jepet pavarësia e kushtëzuar, e shoqëruar me sigurimin e mbrojtjes së pakicës serbe, me prani të fuqishme të vëzhguesve ndërkombëtar dhe me garanca se kufijtë e tashëm të saj do të shndërrohen në kufij të pandryshueshëm ndërkombëtarë.
Ndërkaq shqiptarët e Kosovës, duhet ta kuptojnë se duke e përmbajtur zemërimin, duke shmangur sulmet ndaj pakicës serbe dhe duke formuar qeveri, e cila do të bënte progres real në standardet ndërkombëtare, do të tregonin se janë të gatshëm ta pretendojnë mantelën e shtetësisë.
Kjo do të kërkonte nga Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi, liderët e dy partive më të mëdha, të ngriten mbi historinë e gjatë të animozitetit të ndërsjellë dhe rivalitetit politik. Megjithëse këta mund t'i shtypin njerëzit e vet, që do t'i rrekeshin dhunës, ata duhet të tregojnë lidership të vërtetë dhe ta mbajnë nivelin e reformave që e krijoi Haradinaj.
Paralizat politike dhe përplasja e egove do të ishin katastrofë dhe mund të shfrytëzoheshin si letër e drejtpërdrejtë nga duart e atyre që pohojnë se çështja e Kosovës mund të presë.

John Norris, këshilltar special i kryetarit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
XS
SM
MD
LG