Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SOLANA: DUHET PROCES GJITHËPËRFSHIRËS, POR NUK IMPONOJ ZGJEDHJEN E QEVERISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Bashkimi Evropian pret që Kosova sa më shpejt të ketë qeverinë e saj të re dhe që procesi i formimit të saj të jetë gjithëpërfshirës, ka thënë sot në Prishtinë, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Javier Solana, pas takimeve që ka pasur me udhëheqës të institucioneve dhe me liderë politikë të Kosovës. Ai tha se qeveria e re e Kosovës ka shumë punë për të bërë dhe pak kohë për të humbur:
"Unë po them se procesi gjithëpërfshirës është thelbësor. Secili duhet të ndihet që ka marrë pjesë në shqetësimet e përbashkëta, por përbërja e qeverisë është një çështje që duhet të dakordohet në marrëveshje ndërmjet vetë liderëve," tha Solana, për të shtuar se askush nuk guxon të lihet jashtë procesit. Solana tha po ashtu se Bashkimi Evropian ka të drejtë të japë këshilla pasi Kosova po shkon drejt integrimit evropian, por nuk ka ardhur këtu për të imponuar zgjidhje. Ndërkohë që shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, që e shoqëronte në konferencën për gazetarë, tha se UNMIK-u respekton qëndimet e atyre që janë zgjedhur me votën e lirë në zgjedhjet demokratike, por mendon se procesi si i tillë duhet të jetë vërtet gjithëpërfshirës:
"Unë pajtohem plotësisht se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës. Nuk ka kohë për t’u humbur, por procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës," tha zoti Jessen Petersen.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se qeveria po vazhdon punën aktualisht, mirëpo ai do të përmbushë detyrat kushtetuese për qeverinë e re:
"Ndërkohë, unë sipas detyrave kushtetuese dhe në konsultim me të gjitha partitë, do të caktoj me kohë kryeministrin e ri," tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, i cili ishte takuar me zotin Solana vetëm një çerek ore pas një sulmi kundër tij, ndërsa po shkonte në këtë takim. Zoti Solana e ka dënuar fuqishëm sulmin dhe ka thënë se bombat janë pjesë e të kaluarës dhe nuk i takojnë Kosovës që ka të ardhme evropiane.
Ndërkohë, Bajram Kosumi, përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i nominuar nga kjo parti për kryeministër të Kosovës, pas dorëheqjes së zotit Ramush Haradinaj dhe shkuarjes së tij në Tribunalin e Hagës, tha se i kishte shpjeguar zotit Solana arsyet pse duhet të vazhdojë koalicioni i njëjtë qeverisës në Kosovë.
"Ka sugjerime të ndryshme, por nuk ka qëndrime të prera të askujt, përpos partnerëve të koalicionit natyrisht. Ne biseduam edhe për sugjerimet, argumentuam qëndrimet tona se përse duhet të vazhdojë qeveria që ka egzistuar".
Veton Surroi, kryetar i partisë opozitare Ora, tha se kjo parti mbron qëndrimin e shprehur edhe pas zgjedhjeve, se për disa çështje duhet të ketë konsenzus:
"Qëndrimi ynë, të cilin e dini, është se duhet të kemi një qeveri efikase, e cila jo vetëm e vazhdon dinamikën e imponuar nga zoti Haradinaj personalisht, por i zgjeron disa prej këtyre çështjeve, posaçërisht në sferën e ekonomisë."
Përfaqësuesit e serbëve, ndërkohë thanë se Solana kishte kërkuar nga ata të jenë pjesë e institucioneve:
"Solana sot erdhi me porosi të qartë se pjesëmarrja jonë në institucione është e domosdoshme dhe se të gjitha problemet e bashkësisë serbe më së miri zgjidhen në institucione," tha Goran Bogdanoviq, nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë.
Sidoqoftë, Solana ka çmuar sjelljet e institucuioneve dhe të qytetarëve të Kosovës në ditët e vështira nëpër të cilat ka kaluar Kosova, siç u shpreh ai, duke aluduar në ditët pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Petersen ndërkaq tha se 100 ditët e ardhshme janë vendimtare për Kosovën, pasi do të vendosin nëse është bërë përparimi i mjaftueshëm për shqyrtimin pozitiv të standardeve, në mënyrë që bisedimet për statusin të fillojnë herët në vjeshtë.




XS
SM
MD
LG