Ndërlidhjet

RUSIA MBRON SERBËT E AKUZUAR NGA GJYKATA E HAGËS


Guardian

Shërbimet sekrete ruse po i mbrojnë serbët e Bosnjës, të cilët kërkohen nga Gjykata e Hagës për krime gjatë luftës në Bosnje, përfshirë edhe masakrën e Srebrenicës, ku u masakruan më shumë se 8.000 boshnjakë. Gojko Jankoviq ka qenë zëvendës komandant i policisë ushtarake dhe lider paramilitar në Foça, gjatë luftës në Bosnje. Një numër i vajzave dhe grave janë mbajtur në njërën nga shkollat dhe janë përdhunuar nga ushtarët dhe paramilitarët serbë. Në vitin 2001, Gjykata e Hagës për herë të parë akuzoi tre persona për dhunime të vazhdueshme, si krim kundër njerëzimit. Sipas gazetës, Jankoviq jetonte në Rusi, nën mbrojtjen zyrtare. Gardian citon burime nga Gjykata e Hagës dhe shërbimet informative, sipas të cilave, edhe dy figura të tjera të rëndësishme ushtarake të serbëve të Bosnjes: Vinko Pandureviq dhe Vujadin Popoviq, ende gëzojnë mbrojtjen e shërbimeve sekrete ruse. Ata akuzohen për gjenocid në masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995. Jankoviq iu dorëzua Hagës në Banjallukë, pas katër viteve të kaluara në Moskë. Nuk pati ndonjë sqarim për vendimin e tij. "Një diplomat tha se ai papritur telefonoi nga Moska dhe tha se do të kthehet," shkruan Gardian. Bashkëshortja e tij, Milica tha se arsyet janë personale. Mirëpo burimet në Hagë theksuan presionin ndaj Republikës Serbe, që tani ka filluar të kuptojë se kjo nuk është mënyrë e arratisjes. Shërbimi sekret rus, ndërkaq nuk pranoi të komentojë për Gardian dhe tha se nuk dinë asgjë për këtë çështje. Në anën tjetër, qarqet diplomatike janë të frustruara me qasjen e Rusisë, që është nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje, në dhjetor të vitit 1995. "Nuk është e qartë përse të akuzuarit e bëjnë këtë. Dihet vetëm se rusët po i ndihmojnë dhe kjo e pengon procesin" citon gazeta një diplomat. Gardian thotë se mund të vërtetojë se Jankoviq ka jetuar deri tani nën mbrojtjen e autoriteteve ruse. Ajo ka siguruar deklaratën e bashkëshortes së tij dhënë Ministrit të Brendshëm të Republikës Serbe, në të cilën ajo përshkruan udhëtimin e saj për të takuar bashkëshortin në Moskë. Një njeri që mbante kartën identifikuese të shërbimit sekret rus, sipas saj vazhdimisht ka mbikëqyrur vizitën. "Ai ka paguar darka të shtrenjta dhe pastaj na ka shoqëruar në banesën luksoze që i është siguruar zotit Jankoviq. Më ka shqetësuar prania e tij e vazhdueshme, por kam vërejtur se Gojko ndihej shumë i sigurt", ka thënë ajo duke shtuar se me pseudonim bashkëshortit të saj i ishte dhënë edhe shtetësia ruse. Burime nga Haga kanë thënë se edhe Popoviq, i kërkuar për gjenocid dhe pjesëmarrje në gjenocid në masakrën e Srebrenicës, fshihet në Rusi. Burimet të tjera të shërbimeve perendimore informative, sipas gazetës, thonë të njëjtën për të kërkuarin Pandureviq. "Mbrojtja e të arratisurve nga Rusia vetëm mund të pengojë përpjekjet për mbajtjen e Republikës Serbe në federatën myslimano-kroate, të krijuar me marrëveshjen e Dejtonit. Refuzimi i Republikës Serbe për bashkëpunim me Hagës ka bllokuar hyrjen e Bosnjes në NATO dhe ka ndikuar që përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara, Pedi Eshdaun dy herë të vendosë sanksione" përfundon Gardian.
XS
SM
MD
LG