Ndërlidhjet

NË KOSOVË VAZHDON PËRKRAHJA PËR KËRKESAT E MBROJTJES SË HARADINAJT NË LIRI


Albana Isufi, Prishtinë

Me muzikë rok dhe rep, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë shprehur sot përkrahjen dhe solidaritetin me ish kryeministrin Ramush Haradinaj.
Të mbledhur para Fakultetit Filologjik, hyrja e të cilit ishte mbuluar nga një fotografi e Ramush Haradinajt, qindra studentë kanë ndjekur koncertin e organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Armend Limani:"Thjesht, është një shenjë solidariteti për kryeministrin dhe si të gjithë shokët e studentët tjerë desha t’i bashkohem”.
Studentja Muzefere Rifati, e veshur me një fanelë me fotografinë e Haradinajt, vlerëson se mbajtja e koncertit është një formë moderne e shprehjes së pakënaqësisë ndaj ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i Hagës kundër Haradinajt.
“E përkrahim Ramushin dhe po i japim një përkrahje të fortë, se është padrejtësi kjo që i është bërë”.
Anëtari i Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve Kushtrim Bajraktari, shpjegon arsyen e mbajtjes së koncertit.
“Universiteti i Prishtinës e ka parë si më të arsyeshme këtë formë të shprehjes së pakënaqësisë dhe solidarizimit dhe kjo është një metodë e re që po përdoret në Kosovë. Në këtë periudhë nuk do të ketë ligjërata”.
Por, nuk është vetëm koncerti, përmes së cilit qytetarët kanë shprehur përkrahjen dhe solidaritetin ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj.
Vetë stafi i kryeministrisë ditë më parë është paraqitur në punë me fanellat, që mbanin fotografinë e Haradinajt. Ndërkohë që posterët me sloganin "Kryeministri ynë ka punë për të bërë këtu" dhe fotografinë e Haradinajt në të, tashmë përveç në ndërtesën e Kuvendit, vërehen në pothuajse të gjitha lokalet e Prishtinës.
Në anën tjetër hap konkret në kërkesën që Haradinaj të mbrohet në liri ka marrë një grup i të rinjve të Prishtinës, të cilët kanë organizuar një peticion në të gjitha qytetet e Kosovës.
Shefi i Kabinetit qeveritar Jahja Lluka, tregon se deri tani janë arritur të grumbullohen 200 mijë nënshkrime.
“Unë shpresoj se deri në rrumbullakësimin do të mblidhen afër 300 mijë nënshkrime dhe është hera e parë që mblidhen kaq shumë nënshkrime”.
Lluka thotë se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave. Ai theksoi se peticionin e kanë nënshkruar edhe pjesëtarë nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë.
”Mund t’ju them se kemi shumë nënshkrime edhe nga qytetarë të Kosovës, që janë minoritet dhe ato janë të mirëseardhura, sidomos një pjesë e serbëve që e kanë nënshkruar peticionin për lirimin e kryeministrit Haradinaj”.
Nënshkrimet e qytetarëve të Kosovës në formë peticioni do t’i dërgohen më pas Tribunalit të Hagës. Pritet që së shpejti, edhe ekipi mbrojtës i Haradinajt, të kërkojë nga Tribunali mbrojtjen e ish kryeministrit në liri.
Ish kryeministri Ramush Haradinaj është vetëdorëzuar në Tribunalin e Hagës më 9 mars, një ditë pasi kishte dhënë dorëheqje për shkak të aktakuzës së ngritur kundër tij.




XS
SM
MD
LG