Ndërlidhjet

UNMIK-U PËRGATIT BARTJEN E PËRGJEGJËSIVE PËR FUSHAT E DREJTËSISË DHE SIGURISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova nuk mund të krijojë shtetin e vet sovran dhe të pavarur, nëse është në armiqësi me vendet fqinje, ka thënë sot kryeministri Bajram Kosumi. Këto komente ai i bëri gjatë takimit të parë në postin e kryeministrit me shefin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Kryeministri i ri i Kosovës, shprehu gadishmërinë e qeverisë së tij që të bisedojë dhe zgjidhë të gjitha çështjet kontestuese me Beogradin, në rrugën e ndërtimit, siç tha ai, të shtetit të pavarur të Kosovës:
“Unë dëshiroj të them këtu se jam i gatshëm bashkë me qeverinë, që t’i diskutoj të gjitha çështjet teknike, do të thotë të gjitha problemet që ekzistojnë në mes të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, që të gjejmë zgjidhje për ato probleme, të ulemi në çfarëdo kohë e rrethana të dëshiruara që t’i zgjidhim ato probleme. Jo vetëm këtë, por dëshiroj të them se ne duhet të bisedojmë dhe për çështjet që s’janë probleme, por që mund të krijojnë raporte miqësore në mes të dy vendeve, sepse nuk mund të mendohet krijimi i shtetit të Kosovës në armiqësi me Serbinë. Ne duhet të kemi politikë paqësore dhe besojmë se do ta arrijmë këtë”, tha Kosumi.
Në anën tjetër Petersen tha se do të udhëtojë të hënën për në Beograd, për t’u prezantuar autoriteteve të atjeshme gadishmërinë e qeverisë së re të Kosovës që të dialogojë me Beogradin. Ndërkohë që qeverisë së re të Kosovës, Petersen i ka premtuar një bartje kompetencash edhe nga fusha e sigurisë dhe e drejtësisë:
“Ne në UNMIK po hartojmë një plan veprues për bartjen e përgjegjësive në fushën e drejtësisë dhe policisë, të cilin presim që t’ia paraqesim qeverisë gjatë muajit prill”, tha Petersen, duke shtuar se kjo paraqet bartjen e fundit të përgjegjësive të rëndësishme që UNMIK-u do të transferojë te qeveria vendore. Këtë hap të administratës ndërkombëtare e ka mirëpritur kryeministri Kosumi, i cili tha se gradualisht po krijohen kushtet, që qeveria e tij të formojë për herë të parë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë:
“Ne ende nuk e kemi në dorë dhe jemi në fazën kur po e diskutojmë këtë plan. Deri në mes të prillit do ta kemi në dorë këtë plan dhe do ta vlerësojmë; pastaj bashkë me UNMIK-un do ta gjejmë gjuhën e përbashkët dhe më tej do të fillojë edhe implementimi i tij”, theksoi Kosumi.
Kryeministri Kosumi tha po ashtu se është duke mbajtur kontakte me zotin Ramush Haradinaj në Hagë. Kosumi dhe Petersen edhe sot e çmuan lartë veprimin e Haradinajt për t’u dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Bashkëpunimi i Haradinajt me Hagën si edhe sjelljet e matura të subjekteve dhe qytetarëve të Kosovës, sipas zotit Petersen kanë ndikuar shumë që Kosova të ketë një imazh më të mire te bashkësia ndërkombëtare.




XS
SM
MD
LG