Ndërlidhjet

RUPEL: BISEDIMET PËR STATUSIN S'MUND TË FILLOJNË PA U DËSHMUAR PËRMBUSHJA E STANDARDEVE


Prishtinë, Rrahman Paçarizi

Bisedimet për statusin e Kosovës nuk mund të fillojnë pa u dëshmuar se standardet janë përmbushur, ka thënë sot në Prishtinë, Dimitrij Rupel, Ministër i Jashtëm i Sllovenisë, që është kryesuese e radhës e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian, duke përsëritur qëndrimin e tij se me atë rast do të duhej ndryshuar diçka edhe në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, sipas të cilës administrohet aktualisht Kosova. Ministri i Jashtëm slloven, para së gjithash ka përgëzuar sot institucionet e Kosovës për zgjedhjen e shpejtë të qeverisë dhe për faktin se me qëndrimin që manifestuan pas shkuarjes së zotit Haradinaj në Hagë, kanë plotësuar njërin nga standardet.
Zoti Rupel tha se nuk duhet nxituar për ndryshimin e rezolutës, pasi te kjo pikë mund të vihet kur do të na duhet ta diskutojmë statusin e Kosovës dhe kjo do të jetë e mundur vetëm kur të vërtetohet se standardet janë jetësuar:
"Nuk mendoj se bisedimet për statusin do të ishin të nevojshme, sikur sot gjërat të ishin krejt të qarta lidhur me statusin e Kosovës. Prandaj këto bisedime domosdoshmërisht do të ndryshojnë diçka e ndoshta shumë," tha ministri Rupel, që shoqërohej nga shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Pascal Fieschi.
Ministri i Jashtëm slloven në cilësinë e kryesuesit të radhës të OSBE-së, tha se zoti Rupel ka takuar sot presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Kosumi dhe kryeparlamentarin Nexhat Daci, ndërsa më pas ka pasur një drekë pune me liderin e Partisë Demokratike në opozitë, Hashim Thaçin, për t’u takuar më vonë edhe me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.
Presidenti Rugova tha se e kishte njoftuar zoti Dimitrij Rupel për zhvillimet në Kosovë:
"Unë e njoftova me gjendjen në Kosovë është që stabile. Këto ditë u bë formimi i qeverisë së re të Kosovës, gjë që e kemi bërë në një afat të duhur. Po ashtu kemi edhe një proces pozitiv në Kosovë, gjithëpërfshirës të të gjitha grupeve politike."
Në anën tjetër, ministri Rupel ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kenë qajse gjithëpërfshirëse në proceset aktuale dhe në të ardhmen:
"Shpresoj se mundësitë për të pasur një proces gjithëpërfshirës nuk do të lihen pa u shfrytëzuar," tha Rupel, duke shpjeguar se me këtë nënkuptonte që të gjitha partitë të punojnë së bashku.
Ai tha se ndihej i lumtur që me gjithë pesimizmin e shumëkujt, Kosova ka arritur që në një afat të duhur të ndërtojë qeverinë e saj të re. Vetë kryeministri Bajram Kosumi tha se kjo është dëshmi e demokratizimit të Kosovës.
"Kjo që ka ndodhur këto tre javët e fundit është dëshmia më e fortë se shoqëria në Kosovë është e demokratizuar, se shoqëria në Kosovë, edhe atëherë kur beson se i bëhet padrejtësi, respekton ligjin".
Në fokusin e bisedimeve të sotme sipas kryeministrit Kosumi, ka qenë shqyrtimi i mundësive për integrimin e serbëve në institucioneve:
"Biseduam me zotin Rupel edhe për mundësitë e krijimit të një afrie më të madhe të shumicës shqiptare në Kosovë me pakicën serbe, për mundësinë që përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës të jenë të përfshirë në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të krijohet besim i fuqishëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe të krijohet besim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë."
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ashtu si edhe kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, tha se Kosova është e gatshme dhe e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, ashtu siç ka me të gjitha vendet e tjera fqinje.


XS
SM
MD
LG