Ndërlidhjet

MOORE:"PROTEKTORATI EVROPIAN - MODEL PËR TË MBAJTUR KOSOVËN TË LIDHUR PËR SERBINË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, gazeta "Washington Post" këto ditë ka shkruar se "formulimi i një plani dhe afati për pavarësinë e Kosovës do të kërkojë shkathtësi dhe konsenzus të bashkërenditur të administratës Bush dhe Bashkimit Evropian". A mendoni se një konsenzus i tillë është i mundur në një të ardhme të afërt?

PATRICK MOORE
Deri tash ka qenë një nivel mjaft i mirë i bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian sa i përket Kosovës, pavarësisht faktit se interesat globale të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë gjithnjë të njëjta. Pyetja qëndron se për çfarë konkretisht do të jetë ky konsenzus? Para se të bëjmë çfarë do lloj spekulimi nëse konsenzusi është i mundur, duhet të dimë se cilat janë specifikat.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se Bashkimi Evropian është duke përgatitur një plan për Kosovën. Mbështetur në këto burime Kosova do të bëhet protektorat i Bashkimit Evropian. Duke patur parasysh qëndrimin shumë pozitiv të kosovarëve ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, a mendoni se protektorati i Bashkimit Evropian në Kosovë mund të funksionoj?

PATRICK MOORE
Le të shohim më hollësisht se çfarë është Bashkimi Evropian. Për mendimin tim po i përngjan çdo ditë e më shumë një organizate të drejtuar nga Franca dhe Gjermania për promovimin e interesave të tyre. Nëse dikush mendon se po egzagjeroj u kërkoj të hedhin një vështrim se çfarë ndodhi javën e kaluar në samitin e Bashkimit Evropian, ku gjermanët dhe francezët i arritën qëllimet e tyre sa u përket rregullave të manaxhimit të EURO-s, si dhe sa i përket punës dhe migrimit. Kjo më së miri tregon se kush i drejton gjërat. E vetmja hapësirë ku nuk kanë arritur të imponojnë versionin e tyre është lejimi i shitjes së armëve Kinës. Kjo përmban një element strategjik antiamerikan, ashtu si dhe një element ekonomik dhe presidenti i Francës Shirak dhe kancelari gjerman Shrëder po përpiqen me çdo kusht që të hiqet embargoja e armëve ndaj Kinës.
Pse disa në Bashkimin Evropian do të donin protektoratin në Kosovë? Shumë prej tyre duket se duan të provojnë që mund të bëjnë diçka, që mund të zgjidhin problemet në Evropë. Kjo është arsyeja pse donin një mision në Maqedoni dhe në Bosnje. Sigurisht pasi NATO paraprakisht kishte mbaruar gjithë punën e vështirë. Ka të tjerë që e duan protektoratin si një mënyrë të redukimit të influencës amerikane në Evropë. Kjo sigurisht nuk do jetë e mirëpritur në Kosovë, sepse mendoj se njerëzit aty e duan praninë amerikane në një mënyrë apo një tjetër dhe jo vetëm për një periudhë të shkurtër kohore. Problemi që shoh me pyetjen që bëtë është ideja e protektoratit: ajo që kanë nevojë shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia apo që do dalin, është pavarësia dhe vetëvendosja dhe jo administrimi i tipit kolonial. Administrimi kolonial është i dëmshëm për të gjithë njerëzit që përfshihen, krijon një mentalitet vartësie tek njerëzit të cilët janë okupuar, ndërsa kolonizuesit mësohen me një stil jetese autoritar dhe të kushtueshëm. Pra nuk është ide e mirë. Por, ka gjithashtu një dyshim lidhur me këtë protektorat: Bashkimi Evropian e do këtë si një eksperiment të ri që do të krijonte një shtet mbase si Unioni Serbi - Mali i Zi. E di që shumë njerëz në Kosovë frikësohen që një protektorat evropian do të çonte, përkatësisht do ushtronte presion për të kthyer Kosovën në njëfarë lidhjeje me Beogradin dhe sigurisht që askush në mesin e kosovarëve nuk e do një gjë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, është krejt e qartë se nuk ka konsenzus rreth faktit se kur dhe në cilat rrethana i duhet dhënë Kosovës sovraniteti. Ku qëndron problemi sipas jush?

PATRICK MOORE
Problemi është shumë i thjeshtë. Politikanët kanë frikë të marrin vendime të vështira dhe një vendim i vështirë që duhet marrë është që gjatë këtij viti (2005) duhet të bëhet një përparim i madh drejt pavarësisë, ndonëse standardet e stilit skandinav nuk janë plotësisht të përmbushura. Ka patur diskutime në mediat amerikane muajt e fundit që meqënëse Bashkimi Evropian është jo i gatshëm apo jo i aftë të marrë timonin, tani u mbetet Shteteve të Bashkuara të prijnë. Duke bërë kështu do duhej t'ua bënim shumë të qartë miqve tanë në BE, që kemi ndërmend të mbështesim pavarësinë e Kosovës dhe jo një gjysëm pavarësi apo kthim tek njëfarë lidhjeje me Beogradin ose ndonjë lloj protektorati si dhe që kemi ndërmend të mbajmë një farë pranie të forcave amerikane në Kosovë, nëse kosovarët dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur e kërkojnë prej nesh një gjë të tillë. Duhet të bëhet e qartë që u ka ardhur fundi ditëve kur Shtetet e Bashkuara përdorin pushtetin dhe influencën e tyre për të çuar përpara interesat evropiane që jo domosdoshmërisht përputhen me interesat tona.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG