Ndërlidhjet

E: HASANI: ÇËSHTJA E SIGURISË PA AMERIKANËT, DISKUTABILE DHE ME RREZIK POTENCIAL


Enver Hasani, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, cilat vlerësoni se janë të arriturat gjatë këtyre gjashtë viteve në Kosovë?

ENVER HASANI
Në radhë të parë mendoj se të arriturat janë të shumta. Ajo që shihet më së shumti është e arritura në planin ushtarak Në planin ushtarak NATO ka arritur jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan, të bëhet faktori më serioz i sigurisë, sado që ana civile e ndërhyrjes ushtarake dhe e administratës këtu, që sot identifikohet me UNMIK-un, le shumëçka për të dëshiruar. Në radhë të parë me investimet që janë bërë mendoj se UNMIK-u ka qenë një administratë marramendëse e shtrenjtë dhe krahasuar me investimet dhe përpjekjet që janë bërë, rezultatet nga ana e administratës janë shumë të dobëta. Do të thoja që janë më shumë rezultat i prezencës ushtarake dhe fizike të sigurisë të NATO-s dhe strukturave të tjera të sigurisë, sesa është rezultat i ndonjë pune sistematike të UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Prishtinë tani po bëhen përgatitjet për fazën përfundimtare të diskutimit të statusit të ardhshëm të Kosovës. Përmendet edhe mundësia e krijimit të një kornize për bisedimet. Sa do të jetë e gjerë kjo kornizë, çfarë duhet të përfshijë dhe çfarë vlerësoni se nuk do të përfshihet në të?

ENVER HASANI
Unë besoj se ajo kornizë fundja është dhe e parashikuar me rezolutën 1244, ndryshimi i të cilës lejohet të bëhet vetëm nëqoftëse ka një marrëveshje politike për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ky proces që sapo ka filluar duhet të vejë kornizat, të cilat lidhen me respektimin e dispozitave të marrëveshjes së Unionit Serbi Mali i Zi, përkatësisht të asaj që quhet marrëveshja e Solanës dhe ngjashëm si në Rambuje, korniza besoj do të parashohë disa parime të panegociueshme, që sigurisht do t'i identifikojë me këtë marrëveshjen për Unionin Serbi dhe Mali i Zi, por edhe me parime të tjera që lidhen me procesin që ne e quajmë procesi i Helsinkit, ose Karta e OKB-së në një plan pak më universal. Kështu do të jetë mendoj formulimi dhe ai proces mendoj se do të fillojë, por do të jetë pak më i zgjatur dhe do të varet nga zhvillimet e tjera në planin për shembull të standardeve, ose në përgjithësi në procesin politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilët konsideroni se do të jenë akterët kryesorë të këtyre diskutimeve?

ENVER HASANI
Nuk ka asnjë dyshim se mandatin, ose të mandatuar për të ndërmjetësuar në transformimin e këtij konflikti shqiptaro-serb me kuptim mbylljen e tij dhe arritjen e një marrëveshjeje politike, e ka Këshilli i Sigurimit. Megjithatë Këshilli i Sigurimit nuk mund të vendosë kurrë dhe nuk besoj që guxon të mendojë të vendosë, pa patur pëlqimin e palëve në kontest, në këtë rast të shqiptarëve dhe serbëve. Kështu që unë besoj se shqiptarët, kosovarët, sepse serbët e Kosovës kanë asociuar dhe e asociojnë vetveten me regjimin e Beogradit, e atëhere do të jenë pjesë mesa duket e asaj pale, kështu që ndërmjetësues do të kenë bashkësinë ndërkombëtare që personifikon me Këshillin e Sigurimit. Unë besoj se do të ketë edhe përfaqësues specialë të vendeve të fuqishme siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vende të tjera mund të ndërhyjnë, por që Grupi i Kontaktit dhe gjithë ndërhyrësit e tjerë në fund koperturën apo mbulesën do t'ja japin Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përmendur disa herë dhe mundësia që pas administratës së UNMIK-ut Kosova t'i nënshtohet edhe një administrimi të përkohshëm, apo një protektorati të përkohshëm, ngjashëm me Bosnjen dhe Hercegovinën. Sa sipas jush janë gjasat që një model i tillë të zbatohet?

ENVER HASANI
EUMIK-u. Për Kosovën mendoj që çdo homogjenizim i anës civile, në atë kuptim që të vijë prej Nju Jorkut, pra që të ketë më pak vende të botës dhe të ketë më shumë struktura civile Euroatlantike, është më mirë, sepse organizimi politik në Kosovë do të jetë më cilësor. Fundja edhe standardet edhe korniza kushtetuese shprehimisht e ka mision të vetin arritjen e atyre standardeve, që janë euroatlantike. Problemi që është shumë serioz që duhet të adresohet është ana e sigurisë dhe unë e kam problem ta shoh efektivitetin e strukturave evropiane në çështjen e sigurisë në Kosovë. Kosova nuk është Bosnja, është shumë më e komplikuar sesa Bosnja. Prandaj në këtë drejtim mendoj se çështja e sigurisë pa amerikanët do të jetë për mua shumë çështje diskutabile dhe me rrezik potencial. Në këtë drejtim duhet të adresohen edhe shqetësimet amerikane për sigurinë rajonale dhe ata në këto çështje të sigurisë duhet të kenë të drejtën e vetos. Përndryshe misioni civil evropian në formën që është në Bosnje, nuk mund të jetë i efektshëm dhe nuk do të mund të kishte sukses në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se do të jetë i gjatë vetë procesi i diskutimeve rreth statusit të Kosovës?

ENVER HASANI
Ajo që unë gjykoj është që procesi i dialogimit sigurisht që do të jetë një proces pak më i mundimshëm dhe më i gjatë. Ajo që më shqetëson është që palët që dialogojnë, edhe në Serbi është i njëjtë problem por edhe në Kosovë, nuk kanë homogjenitet nuk kanë kohezivitet. Një ndër parakushtet themelore për të patur sukses një dialog është që palët që flasin të jenë homogjene. Pra kur të nënshkruajnë diçka, ta kenë mundësinë ta realizojnë në terren dhe kjo në rastin e kosovarëve është pak problem, sepse këtu ke institucione, të cilat nuk mund të thuhet se për çështje të statusit përfundimtar, ose edhe për biseda të statusit përfundimtar janë të mandatuara plotësisht. Ndërkohë në Serbi është i njëjti problem, sepse në Serbi ata flasin për çështjen e Kosovës ashtu siç është folur edhe në kohën e Milosheviçit, diskursi nuk ka ndryshuar dhe është me rrezik sepse në luftën politike për pushtet në Serbi, çështja e Kosovës siduket qëndron akoma lart dhe është e vështirë të arrihet ndonjë homogjenitet. Prandaj nëse dikush mendon që të arrijë ndonjë sukses apo tregim suksesi për çështjen e dialogut shqiptaro-serb, duhet të punojë më shumë për homogjenizimin e palëve, strukturave në Beograd dhe në Prishtinë. Po qe se kjo nuk bëhet ose synohet vetëm në njërën palë, vetëm në Prishtinë, atëhere unë, edhe po të arrihet ajo, jam shumë i bindur që nuk do fle si duhet dhe problemi mund të pësojë metamorfoza, të ngelet si problem, si një varrë, ta zemë siç është puna e Irlandës veriore, ose e bashkësisë së vendeve të tjera, ku vazhdon jeta, vazhdon ligji, vazhdon ekonomia, por aktivetetet terroriste dhe dhuna politike është pjesë e kësaj jete që zhvillohet në të njëjtën kohë.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG