Ndërlidhjet

KONSENZUSI I DOMOSDOSHËM PËR ÇËSHTJET MADHORE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës janë marrë vesh sot që të arrijnë një konsenzus formal lidhur me çështjet me rëndësi madhore për Kosovën, thanë sot udhëheqës të institucioneve të Kosovës dhe të opozitës. Këto deklarata ata i kanë bërë pas një takimi që kanë pasur me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, para se ky i fundit të fillojë një turne dhe një pushim në Evropë. Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se sot kishte dy lajme të mira, njëri prej të cilëve ishte se do të shkonte në Shqipëri me ftesë të kryeministrit Nano.
"Lajmi i mirë është se jemi takuar bashkë me partitë e pozitës dhe të opozitës dhe kemi biseduar për çështjet ku mundemi dhe duhet të bashkëpunojmë pozita me opozitën- ato janë çështjet që kanë të bëjnë me statusin përfundimtar të Kosovës, apo siç po e përdorin bisedat për pavarësinë e Kosovës. Në ato çështje do të jemi bashkarisht."
Edhe përfaqësuesi i presidencës së Kosovës, zoti Skënder Hyseni, tha se për çështjet me rëndësi kombëtare, bashkëpunimi është i domosdoshëm:
"Ka një gamë të çështjeve tepër të rëndësishme me rëndësi kombëtare, që kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave politike të Kosovës dhe unë besoj se do të gjenden format më adekuate për të gjetur gjuhë të përbashkët në çështjet madhore kombëtare".
Edhe Hashim Thaçi, lider i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike, tha se kishte kërkuar që lidhur me standardet, reformimin e pushtetit lokal dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës, të formohet sa më parë një komision dhe të arrihet një marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës që do të ratifikohej në parlamentin e Kosovës.
"Edhe çështja e negociimit të pavarësisë duhet kuptuar qartë se kjo çështje nuk duhet të negociohet por duhet të implementohet vullneti i qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, dhe këtu dallon edhe PDK nga kabineti qeveritar i Kosumit", tha zoti Thaçi, duke e kundërshtuar gadishmërinë e kryeministrit Kosumi për të shkuar në Beograd:
"E kuptoj vullnetin e zotit Kosumi dhe dëshirën e madhe të tij, por tani dihet se Beogradi është i izoluar edhe nga Uashingtoni edhe nga Brukseli, Beogradi është strehë e kriminelëve të luftës, Beogradi ka luajtur rol vendimtar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe kjo dëshirë e Kosumit për të shkuar në Beograd duhet të studjohet mirë nga kabineti i tij qeveritar dhe nga parlamenti i Kosovës", tha zoti Thaçi, për të shtuar në vazhdim se ndërmjet Kosovës dhe Beogradit, nuk ka çështje teknike dhe se gjithçka është politike, prandaj duhet pasur, sipas tij, një platformë të hartuar nga spektri politik, që do të votohej në parlamentin e Kosovës.
Duke e sqaruar qëndrimin e tij në raport me Beogradin, ndërkohë që partnerët e koalicionit nga LDK-ja kërkojnë njohje të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Kosumi tha se qëndrimi i tij ishte i qartë se bisedimet për statusin mund të bëheshin ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare:
"Nuk besoj se ka divergjencë qëndrimesh. Unë mendoj që ajo që është krijuar në Kosovë para luftës, e sidomos gjatë dhe pas luftës, është vepër e popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, prandaj kjo vepër duhet të përfundohet dhe finalizimi i kësaj vepre duhet të bisedohet ndërmjet popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare".
Në anën tjetër përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si partia më e madhe politike, zoti Kolë Berisha pas takimit tha:
"Ajo që është me rëndësi është që Grupi i Kontaktit më 12 prill do të deklarojë në Prishtinë se nuk do të ketë ndarje dhe nuk do të ketë kthim mbrapa në vitin 1999".
Edhe pjesëmarrësit e tjerë të takimit thanë se mbledhja e 12 prillit e drejtorëve politikë të vendeve të Grupit të Kontaktit që mbahet në Prishtinë, do të jetë e rëndësishme për të definuar këto qëndrime themelore, moskthimin në gjendjen e ’99-shit dhe mosndarjen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG