Ndërlidhjet

UNICEF: RRITET NUMRI I TRAFIKIMIT TË FËMIJËVE NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Aktualisht Kosova është vend i origjinës, tranzitit dhe destinacionit, si vend i trafikimit të brendshëm të vajzave e grave me qëllim të shfrytëzimit seksual. Kështu u tha sot gjatë promovimit të një studimi “Trafikimi i fëmijëve në Kosovë”, të cilin e ka përgatitur Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, së bashku me zyrën e kryeministrit. Gjatë këtij promovimi është theksuar se numri i viktimave të identifikuara që vijnë nga vendet e tjera, ka shënuar rënie në dy vitet e fundit, përderisa numri i femrave e fëmijëve kosovarë të trafikuar brenda kufijve të Kosovës, ka shënuar një rritje drastike. Në raport gjithashtu thuhet se është vështirë të ofrohen shifrat e sakta, por supozohet se prej vitit 1999 e deri më tani 101 viktima fëmijë janë ndihmuar nga organizata të ndryshme që merren me mbrojtjen e fëmijëve, edhe pse organizatat vendore pohojnë se ky numër është shumë më i madh.
Robert Fuderich, shef i zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, tha se trafikimi i qënieve njerëzore paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Ai tha se në rajon dhe në pjesën juglindore të Evropës, trafikimi zhvillohet në dy forma. Vajzat nën 18 vjeç, më se tepërmi të moshave 15-18 vjeç trafikohen për qëllime seksuale, kurse vajzat e djemtë nën moshën 13 vjeçe trafikohen për qëllime të krijimit të parave, duke i shfrytëzuar ata si lypës, pastrues veturash apo shitës të gjërave të ndryshme.
Për këtë zoti Fuderich, kërkoi që institucionet përkatëse të krijojnë bazë ligjore për mbrojtjen shoqërore të fëmijëve dhe të rriturve nën 19 vjeç.
“Nëse të gjitha elementet janë në vend, përfshirë këtu legjislacionin, stabilitetin familjar dhe shkollat funksionale, çdo fëmijë do të mund të ishte i mbrojtur nga rreziqet e tilla,” tha zoti Fuderich, duke shtuar se arsyet për trafikim janë të ndryshme. Në të shumtën e rasteve viktimat vijnë nga familjet me gjendje të rëndë ekonomike, me nivel të ulët të arsimit, fëmijë, të cilët janë rritur në jetimore, por ka raste kur viktima ka përjetuar dhunë fizike dhe dhunë seksuale në familje, tha zoti Fuderich.
Adile Basha, nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ndërkaq tha se kjo ministri, është duke zhvilluar një sistem, nëpërmjet të cilit do të përcillen rastet e të gjithë fëmijëve që kanë nevojë për shërbime sociale, përfshirë këtu edhe viktimat e trafikimit.
“Në kuadër të Ministrisë së Mirëqenies Sociale egzistojnë edhe 31 qendra për punë sociale në gjitha komunat e Kosovës, institucione këto që ofrojnë shërbime direkte për gjithë njerëzit që kanë nevoja sociale, gjithashtu edhe për viktimat e trafikimit”.
Sidoqoftë, disa nga të intervistuarit kosovarë në raport thonë se kanë pasur oferta nga trafikantët që të udhëtojnë jashtë Kosovës dhe të gjejnë punë atje. Kjo dukuri për organizatat që merren më këtë çështje, e rrit më shumë brengën se trafikantët mund të kërkojnë metoda të reja për trafikimin e vajzave dhe grave kosovare jashtë vendit. Dhe ajo që më së shumti shqetëson autoritetet, është izolimi në të cilin jetojnë viktimat e trafikimit, pas ribashkimit me familjet e tyre dhe pamundësia për t’u riintegruar në shoqërinë kosovare.

XS
SM
MD
LG