Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

IMZOT MARK SOPI:"PAPA BËRI SHUMË PËR KOSOVËN DHE SHQIPTARËT"



RADIO EVROPA E LIRË
Papa Gjon Pali i Dytë do të mbahet në mend si personalitet i angazhuar jashtëzakonisht shumë rreth çështjeve bazike të katolicizmit, përkatësisht atyre që kanë të bëjnë me moralin njerëzor dhe nevojat sociale. Cilat kanë qenë karakteristikat tjera të Papa Gjon Palit të Dytë?

IMZOT MARK SOPI
Papa Gjon Pali i Dytë ka shumë karakteristika, por ne do t’i cekim vetëm disa prej tyre. Është një nga papët, që ka udhëtuar më së shumti, gati që nuk ka vend (shtet) në botë ku nuk ka mbërritur.
Me këto udhëtime ai ka dashur të jetë sa më afër katolikëve, por edhe gjithë njerëzve vullnetmirë që kanë dëshiruar ta shohin dhe dëgjojnë papën sa më për së afërmi.
Karakteristikë tjetër e tij është se ka dëshiruar dhe gjithmonë ka pasur lidhje të forta me rininë, ka organizuar takime të rinisë në nivelin botëror. Duke iu falënderuar njohjes së shumë gjuhëve, shumë të rinjve u është drejtuar në gjuhën e tyre amtare dhe i ka dhënë porositë e veta për të rinjtë si për sotmen ashtu edhe për të ardhmen - si duhet të përgatiten dhe se bota mbetet te të rinjtë. Ai ka treguar interesim të madh për çdo popull qoftë i vogël apo i madh, është angazhuar edhe në raste tjera të nevojshme, jo vetëm ato fetare, por gjithashtu edhe ato sociale e politike, sepse këto janë ngushtë të lidhura.
Me veprimet e veta, me marrjen në konsideratë të të gjitha këtyre rrethanave, ai ka dëshiruar që të japë një kontribut të vetin që është shumë i çmueshëm dhe i vlefshëm.
Ne jemi dëshmitarë edhe të shembjes së komunizmit. Sipas mendimit të dijetarëve botërorë, një prej protagonistëve të këtij procesi ka qenë edhe Papa Gjon Pali i Dytë. Në aspektin ideologjik dhe shpirtëror e krahasojnë nganjëherë edhe me presidentin e SHBA-ve Ronald Reganin.

RADIO EVROPA E LIRË
Papa Gjon Pali i Dytë është i njohur edhe për faktin, që punoi shumë në afrimin e besimeve të ndryshme?

IMZOT MARK SOPI
Kjo është një vazhdimësi e tij, sepse iniciativën e ka qysh prej koncilit të dytë të Vatikanit, i cili përpos deklaratave tjera që i ka sjell dhe mësimet fetare ose adaptimit të mënyrës së paraqitjes së të vërtetave fetare besimtareve dhe të tjerëve në aspektin social është edhe ajo që bën fjalë për ekumenizmin.
Ekumenizmi është dëshira e afrimit të të krishterëve dhe mundësisht bashkimi i të gjithë të krishterëve, sepse ka kisha katolike, ortodokse, reformiste anglikane dhe të tjerat, por me një fjalë që të gjithë të krishterët të kenë një gjuhë të përbashkët, një afrim e mundësisht edhe një bashkim.
Gjithashtu ai është angazhuar shumë edhe për dialog në mes të besimeve të ndryshme siç është islami dhe besimet tjera. Pra të ketë dialog, të ketë kontakte, sepse ne të gjithë kemi pika të përbashkëta. Secili besim ka të përbakshët Zotin, ndërsa Zoti dëshiron që njerëzit të jetojnë në paqe e harmoni me njëri-tjetrin për të mirën e te gjithëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Papa Gjon Pali i Dytë për shumë vite tregoi interesim dhe përkujdesje të madhe për zhvillimet në Kosovë. Është lutur dhe ka pritur delegacione të Kosovës. Çfarë e ka lidhur Papa Gjon Palin e Dytë me Kosovën?

IMZOT MARK SOPI
Kosova në një kohë është gjetur në një situatë shumë të vështirë, dhe si njeriu kur është i sëmurë, që ka nevojë për një përkujdesje pak më të madhe, në atë kohë Kosova ka pasur nevojë për mbështetje, kështu që Papa ka pritur delegacione të ndryshme dhe i ka inkurajuar. Por, Papa ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë dhe apele të ndryshme duke u bërë thirrje të dyja palëve, por sidomos palës tjetër që të mos përdorin dhunë, por mundësisht me dialog të gjendet një zgjidhje e përbashkët e cila do të sillte deri te paqja, mirëqenia dhe përparimi i të gjithëve. Ai nuk ka pushuar kurrë lidhur me këtë dhe kurdo që i është dhënë rasti ai ka bërë apel. Ju kujtohet ndoshta edhe gjatë bombardimeve e ka dërguar sekretarin e vete në Beograd duke tentuar, që edhe në ato momente ekstreme dhe të vështira të gjendet ndonjë mundësi që të zgjidhet problemi në mënyrë paqësore, por jo me dhunë dhe me luftë.
Papa ka bërë shumë për Kosovën edhe në aspektin kishtar. Ne si Kishë më parë ishim së bashku me Shkupin, Maqedoninë, por me formimin e shteteve të reja, shpërbërjen e ish - Jugosllavisë, formohet shteti maqedonas, bëhen kufijtë duke u krijuar vështirësi të administrimit, ashtu që Kisha e Kosovës është e pavarur krejtësisht prej çfarëdo kishe tjetër, përveç lidhshmërisë si çdo kishe tjetër që e ka me Vatikanin.
Kështu që edhe kjo është një meritë e Papës, por edhe e unitetit dhe etnitetit tonë këtu në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund, çfarë do të shtonit ju për jetën dhe veprën e Papa Gjon Palit të Dytë?

IMZOT MARK SOPI
Çdo papë duhet të jetë i tillë, që me të vërtetë të ketë aftësitë njerëzore, por ne nuk bazohemi vetëm në ato, por bazohemi edhe në dhuntitë mbinatyrore, se ne si të krishterë themi se njeriu është një faktor, kurse faktori kryesor shpirtëror është shpirti i shenjtë, i cili ka vepruar dhe vepron.
Nëse shikojmë në aspektin njerëzor ai ka pasur një dinamikë shumë të madhe. Gjithashtu pontifikati i tij ka zgjatur mjaft, 26-27 vjet, meqë rregullisht papët zgjedhën me të vjetër dhe ndoshta nuk u lejon koha me qenë aq gjatë Papë.
Pastaj ka qenë nga Polonia e cila ka vuajtur shumë nga komunizmi dhe rrjedhimisht ka mundur t’i kuptojë më mirë njerëzit dhe shtetet që kanë qenë nën prangat e komunizmit dhe ata që kanë vuajtur. Për ne si popull shqiptar është i rëndësishëm, sepse përveç asaj që thashë për Kosovën, ai ka një meritë të madhe edhe për Shqipërinë, sepse me shembjen e komunizmit Papa në Shqipëri formon kierarkinë kishtare, emëron ipeshkvit në Shqipëri. Papa shkon dhe e bën një vizitë në Shqipëri që është një gjë shumë e rëndësishme për popullin tonë. Pastaj emëron kardinal Koliqin, kardinali i parë shqiptar.
Ka pasur lidhje shumë të ngushta me bijën tonë të madhe Nënë Terezën dhe e ka përcjellë veprimtarinë e saj. Ajo përherë ka qenë e pranishme dhe e pritur në Vatikan, e ka përkrahur përherë veprimin e saj, punën që e ka bërë. Dhe pas vdekjes me një procedurë shumë të shkurtër, që nuk bëhet rregullisht në kishë, ai e ka beatifikuar Nënë Terezën, pra e ka lartësuar në rangun, në rrugën drejt shenjtërimit, sepse beatifikimi është shkalla e parafundit para shenjtërimit. Rrjedhimisht, për ne shqiptarët ka qenë shumë Papë i rëndësishëm dhe prej të cilit kemi pasur shumë dobi.

Intervistoi: Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG