Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

PAPA GJON PALI I DYTË - UDHËHEQËSI KARIZMATIK I KISHËS KATOLIKE


"Nuk jam i sigurt nëse mund të shprehem në gjuhën tuaj, në fakt në gjuhën tonë italiane, pa bërë gabime. Por ju do të më korrigjoni".
Ishte ky Papa Gjon Pali i Dytë duke iu drejtuar besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan më 16 tetor 1978, pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës katolike.
Ardhja e Karol Jozef Vojtilës në krye të kishës katolike ka qenë e shënuar nga një numër veçantish, mes të cilave ai ishte papa më i ri në moshë në 132 vitet e fundit dhe qe vetëm 58 vjeç kur erdhi në krye të Vatikanit. Ai ishte i pari papë sllav dhe i parë jo italian në historinë e katolicizmit në 455 vitet e fundit. Në më pak se tetë muaj pas ardhjes në krye të Vatikanit ai vizitoi vendlindjen e tij Poloninë, ku gjatë 9 ditëve të qëndrimit u prit me shumë entuziazëm, çfarë i pengonte autoritetet komuniste. Besohet se gjatë asaj vizite ai hodhi dhe farën e rezistencës ndaj komunizmit. Kjo është pohuar dhe prej vetë Papës, vite më vonë, në 1995, kur i është drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ka folur për rënien e komunizmit në Evropën Lindore.
"Revolucionet e padhunshme të vitit 1989 treguan se dëshira për liri nuk mund të shtypet. Ajo ngrihet nga pranimi i faktit se dinjiteti është i padiskutueshëm dhe bashkë me të dhe vlerat njerëzore dhe të drejtat e njeriut. Totalitarizmi modern ka qenë para së gjithash fyerje dhe sulm ndaj dinjitetit të njeriut, sulm që ka shkuar deri në mohimin e dinjitetit dhe të drejtave njerëzore. Revolucionet e viteve '89 u mundësuan nga gratë dhe burrat kurajozë me vizione të thella, të amëshuara e tepër të fuqishme", kishte deklaruar Papa në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Kurajoz ishte mënyra se si shumë njerëz e përshkruan Papën në vitin 1981, kur ai i mbijetoi një atentati në sheshin e Shën Pjetrit në Romë.
Atentatori i tij, Mehmet Ali Aga, fillimisht deklaroi se punonte për shërbimet bullgare të zbulimit, që atë botë bashkëpunonin me KGB-në sovjetike. Më pas ai u tërhoq nga ky qëndrim. Kur Papa shkoi ta falte në burg ai iu drejtua me fjalët "Si nuk të vrarva?"
Por ky sulm nuk ishte vështirësia e fundit. Në 1990 ai u operua nga tumori dhe shumë menduan se fundi i tij qe afër. Por me energjinë e tij ai vazhdoi aktivitetin në krye të Kishës katolike duke vizituar mbi 120 vende në gjysmë shekulli.
Ai përdori mjetet e botës moderne të përhapte mesazhet në të gjithë pjesët e planetit. Papa ka pasur paraqitje të shpeshta televizive, pjesëmarrje në festivale të rinjsh dhe dalje para masave, që shpesherë kanë qenë milionëshe.
Duke folur pas katastrofës së sunamit, në janar të këtij viti, Papa theksoi:
"Kur lutem për të rinjtë, viktma të sunamit në Azi, nuk harroj fëmijët që janë viktimë e urisë, sëmundjeve, luftërave dhe terrorizmit, apo të tjerë fëmijë të rrëmbyer e të trafikuar."
Por ai nuk mbeti me kaq, pasi gjatë aktivitetit të tij u përpoq të tejkalonte ndarjet etnike dhe fetare. Kështu në vitin 2000 gjatë vizitës në Jerusalem ai kërkoi ndjesë në emër të kishës katolike për anti-semitizmin e vënë rë gjatë historisë së kishës.
"E siguroj popullin hebrej se kisha katolike ndjehet thellësisht e trishtuar nga aktet anti-semite, nga aktet e urrejtjes dhe persekutimit bërë nga të krishterët kundër hebrejve, në të gjitha kohërat dhe kudo", thuhej mes të tjerash në këresë-ndjesën e Papës.
Trashëgimitë e personaliteteve nuk janë asnjëherë bardh e zi, por një gjë thuhet me siguri për Papa Vojtilën, ai e shenjoi kohën e tij po aq sa dhe koha që ai jetoi ndikoi në të.

Jeremy Bransten

XS
SM
MD
LG