Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT POLITIKË SERBË ME QËNDRIME TË NDRYSHME LIDHUR ME PJESËMARRJEN NË BISEDIMET PËR STATUSIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit politikë të komunitetit serb në Kosovë, kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me përfaqësimin e tyre në diskutimet e ardhshme për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Subjektet politike serbe që kanë marë pjesë në zgjedhjet e lira, e shohin pjesëmarrjen e tyre në diskutimet rreth statusit si të domosdoshme. Kurse ata të këshillave nacionale serbe, që në Kosovë më tepër identifikohen dhe me strukturat paralele, procesin e zgjidhjes së statusit e shohin si një të drejtë ekskluzive të Beogradit. Oliver Ivanoviq, lider i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, thotë se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në diskutimet për statusin është mëse e domosdoshme:
“Gjithsesi që duhet të marrin pjesë, pasi bëhet fjalë për fatin tonë. Pjesëmarrja jonë sigurisht se kontribuon në cilësinë e marrëveshjes, pasi ne e dimë saktësisht se cili është problemi ynë, kurse sa u përket çështjeve të mëdha shtetërore, ato janë përgjegjësi për të cilat mund të vendosë vetëm Beogradi”, thotë Ivanoviq.
Ndërkohë që Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sllavisha Petkoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe të Kosovës, thotë se do të kërkojë një rol aktiv të përfaqësuesve të bashkësisë serbe në procesin e diskutimeve mbi statusin:
“Ne do të kërkojmë që të jemi pjesë e delegacionit të Beogradit. Nëse Beogradi këtë nuk e pranon do të insistojmë që atje të ketë tre delegacione, do të thotë ajo shqiptare, serbe dhe delegacioni i serbëve të Kosovës”, tha Petkoviq.
Në anën tjetër Marko Jakshiq, nga Këshilli Nacional Serb, që në aktivitetin e vet karakterizohet dhe me thirrjet e vazhdueshme për serbët e Kosovës që t’i bojkotojnë institucionet vendore, thotë se vetëm Beogradi është ai që mund të bisedojë për statusin e Kosovës:
“Beogradi është ai që vendos nëse në delegacion duhet të jenë të përfaqësuar apo jo edhe serbët e Kosovës”, thotë Jakshiq, duke e parë çështjen e Kosovës si një përgjegjësi ekskluzive të Beogradit.
Ndërkaq sipas Dragisha Kërstoviqit, nga Lista Serbe, dallimet aktuale të përfaqësuesve serb, mund të tejkalohen pasi zgjidhja e statusit të Kosovës, thotë ai, është jetike edhe për vetë këtë komunitet:
"Unë megjithatë shpresoj se do të ketë njëfarë uniteti dhe do të kemi një qëndrim të përbashkët, të paktën për sa i përket statusit të Kosovës”, tha Kërstoviq.
Ndërsa Oliver Ivanoviq, po nga Lista Serbe, mendon se diskutimet mbi statusin mund të kalojnë nëpër tre faza. Faza e parë ajo e bisedimeve shqiptaro-serbe, deri në gjetjen e ndonjë kompromisi, faza e dytë kur shqiptarët dhe serbët në kuadër të institucioneve të Kosovës do të bisedonin me Beogradin dhe faza e tretë, sipas tij, ajo e diskutimeve ndërmjet Beogradit dhe UNMIK-ut, pasi institucionet e Kosovës, sipas Ivanoviqit, nuk kanë kompetenca që të diskutojnë në lidhje me këtë çështje.
Sidoqoftë, drejtuesit e institucioneve të Kosovës, që vijnë nga shumica, mendojnë se zgjidhja më e mirë, do të ishte sikur bashkësia ndërkombëtare të njihte përcaktimin e popullatës shumicë, duke i parë diskutimet për statusin më tepër si një çështje formale. Ndërkaq shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen ka pohuar disa herë se diskutimet për statusin e Kosovës pritet të fillojnë diku në vjeshtën e këtij viti.



XS
SM
MD
LG