Ndërlidhjet

PAPA DHE BOTA ISLAME


Gulnoza Saidazimova

Me udhëtimet në Kazakistan në vitin 2001 dhe në Azerbajxhan në maj të vitit 2002, Papa Gjon Pali i Dytë u bë papa i parë, i cili vizitoi republikat e ish Bashkimit Sovjetik të dominuara nga myslimanët.
"Qenia njerëzore e gjen dashurinë në çdo pjesë të zemrës së tij dhe kjo është vepër e zotit të plotëfuqishëm", kishte thënë Papa në Kazakistan, duke cituar poetin dhe shkencëtarin vendas, Abej Kunanbi. Para mijëra personave ai kishte folur për logjikën e dashurisë, që mund të ofrojë dy besimet dhe tha se feja nuk duhet të jetë arsye për konflikte. Ai gjithashtu ishte papa i parë që e puthi Kuranin. Këtë e bëri në Vatikan në vitin 1999 gjatë vizitës së një delegacioni nga Iraku. Ai ishte edhe papa i parë i cili hyri në xhaminë 1300 vjeçare Umajad në Damask, në maj të vitit 2001. Klerikët dhe shkencëtarët islamikë i kanë njohur përpjekjet e Papës për promovimin e dialogut ndërmjet islamit dhe katolicizmit.
Sheiku Favzi Zafzaf, shefi i komitetit universitar për dialog ndërfetar në Universitetin Azhar të Egjiptit, thotë se Papa Gjon Pali i dytë ishte forcë për ndryshime.
"Pa dyshim, që nga koha kur papa i shenjtë ka marrë kujdestarinë e Vatikanit, ai ka vendosur politikën e hapjes ndaj botës. Mendoj se është papa i parë, i cili ka vizituar disa vende me synimin e zhvillimit të raporteve të popujve të tyre me Vatikanin" thotë Zafzaf.
Raul Motika, profesor në Universitetin Heidelberg në Gjermani, i tha radios Evropa e Lirë se Papa Gjon Pali i Dytë, ka qenë i njohur edhe për qëndrimin e tij për paqe.
"Nuk është vetëm çështja e dialogut por edhe qëndrimet e tij politike. Ai ishte kundërshtar i luftës, pavarësisht nëse ajo fillohej nga amerikanët apo të tjerët. Kjo është pranuar gjërësisht në botën islamike" thotë Motika.
Në Azerbajxhan dhe Kazakistan, katolikët janë pakicë. Disa myslimanë, ashtu si ortodoksët protestuan kundër vizitës së Papës, por reagimi i përgjithshëm ishte pozitiv. Profesor Motika thotë se Papa ishte i popullarizuar në ish Bashkimin Sovjetik edhe për qëndrimin e tij kundër komunizmit.
Hikmetullah Saifullhaxha, njëri nga liderët e partisë opozitare islamike në Taxhikistan, thotë se pasardhësi i Papa Gjon Palit të Dytë duhet të ndjekë shembullin e tij.
"Ai kishte ndikim në shumë sfera të shoqërisë. Njerëzit që kanë ndjekur aktivitetet e tij shpresojnë që kushdo që do ta zëvendësojë, do të ecë gjurmëve të tij" thotë Saifullhaxha. Ndërkaq, sipas profesorit Motika:
"Standardet e larta morale që ka vendosur Papa Gjon Pali i Dytë, do të arrihen vështirë nga papa i ri. Por, nëse solidariteti, drejtësia dhe padrejtësitë do të jenë çështje kryesore për të, atëherë do të bëhet personalitet i rëndësishëm për Azinë Qendore dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura" thotë profesor Motika.
XS
SM
MD
LG