Ndërlidhjet

IVANOVIQ: DO TË VENDOSIM PËR PJESËMARRJEN NË INSTITUCIONE PAS MBËSHTJETJES UNIKE TË BEOGRADIT


Albana Isufi, Prishtinë

Bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë Oliver Ivanoviq, deklaroi sot se për hyrjen në institucionet e Kosovës do të vendosin vetë, por qëndrimi unik i Beogradit do t’u ndihmonte shumë. Ai i bëri këto komente një ditë pasi kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ka thënë se do të presë vetëm edhe disa javë nga Lista Serbe, që të emërojë një anëtar të saj në postin e Ministrit të Bujqësisë, post ky që ka mbetur i zbrazët që nga formimi i qeverisë.
Ivanoviq ka thënë se as institucionet e Kosovës nuk kanë kanë ndonjë alternative tjetër, përveç se të presin vendimin për pjesëmarrje në institucione të subjektit që ai drejton.
“Pa marrë parasysh thirrjen e zotit Kosumi, ne për hyrjen në institucione po mendojmë që nga fillimi dhe mendojmë se kjo është rruga e vetme. Natyrisht kërkojmë një rrugë që na dërgon në një pozicion që të punojmë dhe zgjidhim problemet, por në të njëjtën kohë, në kuptimin politik të mos jemi të dëmtuar. Domethënë zoti Kosumi dhe të tjerët duhet të llogarisin në këtë. Në përgjithësi mendoj se zoti Kosumi as nuk ka ndonjë alternativë tjetër për ne, se përndryshe nuk do të na priste as edhe një ditë”.
Kryeministri Bajram Kosumi ka thënë se është e domosdoshme, që Lista Serbe të vendosë më shpejt për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës, pasi sië ka thënë ai, kjo në radhë të parë është në interes të vetë serbëve të Kosovës, që përmes institucioneve të realizojnë të drejtat e tyre për demokraci dhe liri.
Ndërkohë, Ivanoviq ka thënë sot se para çfarëdo vendimi, Lista Serbe do të bisedojë me zyrtarët e Beogradit, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe shefin e UNMIK-ut. Por, siç tha Ivanoviq, qëndrimi unik i Beogardit do të ndihmonte shumë këtë subjekt.
“Jam i bindur se qëndrimi ynë mbetet qëndrim dominant edhe në Beograd, edhe pse ndoshta atje nuk është tërësisht i unifikuar. Shpresoj që një qëndrim unik të vijë nga Beogradi dhe kur e them këtë nënkuptoj disa javë apo disa ditë”, tha Oliver Ivanoviq, duke shtuar se vendimi për pjesëmarrje ne institucione nuk është një vendim i lehtë.
“Ky është një vendim shumë kompleks dhe nuk mund të merret për një ditë. Për një vendim të tillë duhet të përgatitet opinioni publik. Kjo edhe është esenca e problemit, sepse mos harroni se zgjedhjet ishin para disa muajve dhe se në zgjedhje shumica kërkoi që të mos merret pjesë dhe një pakicë që të votojnë. Tani ka ardhur deri te një ndryshim dramatik në qëndrimet e këtyre njerëzve dhe u duhet një kohë dhe përgatitje e mëtejme”, tha Ivanoviq.
Lista Serbe për Kosovën e Metohinë dhe Iniciativa qytetare Serbia kanë qenë subjektet e vetme serbe, që kanë marë pjesë në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar.
Derisa Iniciativa qytetare Serbia tashmë i ka dërguar përfaqësuesit e saj në insitucione, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me Listën Serbe, e cila edhe më tej pret sinjale pozitive nga Beogradi.




XS
SM
MD
LG