Ndërlidhjet

PAPA DHE ROLI I TIJ NË TEJKALIMIN E NDASIVE FETARE NË AFRIKË


Në vitin 1978 kur Kisha Katolike duhej të zgjidhte Papën, bota ishte e ndarë ndërmjet komunizmit sovjetik dhe perëndimit. Sipas shumë llogaritjeve Papa Gjon Pali i Dytë ka pasur rol të rëndësishëm në dhënien fund të këtyre ndarjeve, duke e fokusuar gjerësisht vëmendjen e tij në padrejtësitë në vendin e lindjes, Poloni, që ndodhej nën ndikimin sovjetik. Tani që Vatikani duhet të zgjedhë papën e ri, bota është sërish e ndarë. Krahasimi me Luftën e Ftohtë është i papërshtatshëm, mirëpo nga rritja e tensioneve dhe dhunës mund të ndodhë ajo që është cilësuar "përplasje e qytetërimeve", ndërmjet botës islame dhe perëndimit. Ndoshta kjo përplasje nuk do të ishte askund më e përgjakshme se sa në Afrikë. Mijëra persona janë vrarë gjatë viteve të fundit në luftimet në Sudan, Nigeri e gjetkë, shpesh ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve.
Robert Mojnihan është historian dhe redaktor përgjegjës në revistën mujore të Vatikanit.
"Afrika është vend ku tani konfrontohen Islami dhe krishtërimi, ndërsa raporti i tyre është shqetësues, madje nganjëherë përshkohet nga nervoziteti", thotë Mojnihan. Dialogu ndërfetar është trashëgimia kryesore e lënë nga Papa Gjon Pali i Dytë, i pari papë që u lut në xhami dhe kërkoi falje për persekutimin e hebrenjve nga të krishterët. Mojnihan dhe analistët e tjerë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë besojnë se papa i ardhshëm, duke ecur gjurmëve të pararendësit të tij do të arrijë të ndalë dhunën në Afrikë dhe të krijojë mundësi për pajtimin ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve në mbarë botën.
Gjatë viteve të fundit Afrika është bërë terren i përshtatshëm për religjionet më të mëdha. Grupet e protestantëve nga Amerika duke investuar miliona dollarë, kanë depërtuar në disa shtete si në Ugandë. Ndërkaq, numri i besimtarëve katolikë gjatë 35 viteve të fundit në Afrikë është trefishuar dhe ka arritur në 147 milionë. Atje është edhe feja islame, numri i besimtarëve të të cilës është rritur duke filluar që nga Etiopia e deri në Nigeri. Vendet e Gjirit Persik, sidomos Arabia Saudite, kanë investuar miliona dollarë në ndërtimin e xhamive, në edukim dhe në ofrimin e ndihmave të tjera. Historiani Mojnihan thotë:
"Është e qartë se Islami do të donte të shtrijë ndikimin e tij në Afrikën Qëndrore dhe Jugore, të cilën ne nganjëherë ndoshta gabimisht e quajmë Afrika e Zezë. Krishtërimi që atje ka arritur ndikimin kryesor përmes minsionarëve të fuqive kolonialiste, dëshiron të ruajë pozitën që ka. Islami po depërton në jug dhe në Nigeri përplasjet janë shumë të dukshme", thotë Mojnihan.
Prej vitit 2000 rreth 5000 persona janë vrarë në dhunën fetare në Nigeri.
Disa analistë thonë se Islami i ri që po përhapet në Afrikë është më militant se format e mëhershme që kanë ekzistuar atje për shekuj me radhë dhe kjo i bën ato territore të përshtatshme për Al Kaidën dhe grupet e tjera terroriste. Eksperti për çështje të Afrikës, David Shin nga Universiteti Xhorxh Uashington është ish ambasador në Etiopi.
"Gjatë 100 viteve të fundit të krishterët dhe myslimanët kanë qenë në gjendje të jetojnë krah për krah. Në një farë mase kjo gjendje është prishur nga ndikimi i fuqishëm i pikëpamjeve Salafi dhe Vahabi që vijnë para së gjithash nga Shtetet e Gjirit", thotë Shin.
Ai e thekson shembullin e bashkëpunimit fetar në Afrikë, duke përfshirë paqen e arritur në janar që i dha fund luftës civile 12 vjeçare ndërmjet qeverisë myslimane të Sudanit dhe kryengritësve të krishterë në jug, në të cilën janë vrarë qindra mijëra persona.
XS
SM
MD
LG