Ndërlidhjet

STRESET E LUFTËS TRAJTOHEN ME TEKNOLOGJI TË LARTË


Ron SYNOVITZ

Marinsat amerikanë që kthehen nga lufta në Irak, priten si heroj në bazën e tyre në Pendleton të Kalifornisë jugore.
Disa nga ushtarët kanë luftuar dy vjet me radhë nga Basra deri në Bagdad. Të tjerët kanë marë pjesë në luftimet urbane në Falluxha nëntorin e kaluar.
Tani që kthehen në shtëpi i nënshtrohen një tranzicioni tjetër, përqafojnë familjet, paguajnë me kohë faturat elektrike, apo shkojnë nëpër pritje në lagjet e tyre.
Por, shumicën ende i ndjekin kujtimet e luftës. Ata thonë se kujtimet më të hidhura u kanë mbetur kur i kanë parë qentë duke ngrënë kufomat e njerëzve. Të tjerët thonë se kurrë s'do t'i harrojnë vuajtjet e grave dhe fëmijëve, si dhe vrasjen e bashkëluftëtarëve të tyre në betejë.
Marinsi Nate Barbosa thotë se kthimi në shtëpi ishte i vështirë.
"Kur kthehesh, nevojitet pak kohë të përshtatesh. Të duhen 30 ditë deri 6 muaj që të përshtatësh mendjen, në kuptimin që të mos kërcesh menjëherë sapo të dëgjosh ndonjë zhurmë të fortë", thotë Barbosa.
Një studim i fundit i revistës mjekësore "New England Journal of Medicine", thotë se rreth 17% e të gjithë ushtarëve amerikanë që morën pjesë në invazionin në Irak në vitin 2003, vuajnë nga sëmundje mendore. Ka patur shumë raste të divorceve, aksidenteve me automjete, zënkave, përdorimit të alkoholit apo drogës.
Ashtu si shumë ushtarë që kthehen, marinsi Thomas Barnard pranon se ndonjëherë ndien vrull të shtuar të zemërimit.
"Në fillim kur u ktheva kisha problem me karakterin tim", thotë Barnard.
Për t'ia dalë në krye me streset e luftës, shkencëtarët e ushtrisë amerikane po punojnë në një formë të re të trajtimit duke përdorur teknologjinë e "realitetit virtual". Veteranët mbajnë syze dhe dëgjuese për t'i simuluar më mirë situatat e luftës. Atë që e shohin e kontrollojnë me lëvizjen e kokës dhe reagojnë duke thënë se çfarë do të bënin në situatë të vërtetë lufte.
Që t'i kthejnë ushtarët prapë në luftë, nga dëgjueset del zëri i helikopterëve luftarakë, i përcjellë me shpërthimet e mortajave dhe zjarrin nga snajperi. Në një pjesë të simulimit, kamioni përplot luftëtarë irakienë kaplohet nga flaka, ndërsa një tjetër shkon në drejtim të vetë veteranëve.
Jesse Patacsil ka kaluar 7 muaj në Irak, dhe është në mesin e grupit të ushtarëve që u nënshtrohen testeve në Qendrën Mjekësore të Marinës në San Diego.
"Kur i mbaj syzet dhe dëgjoj shpërthimet, menjëherë më kujtohen viktimat. Kjo është ajo që më vjen ndërmend" thotë Patacsil.
Mjeku James Spira, psikolog, thotë se informatat e tilla mund t'u ndihmojnë veteranëve që të kenë kontroll më të mirë mendor ndaj situatave të cilat u shkaktojnë çregullime post-traumatike.
Sidoqoftë, realiteti virtual është vetëm një nga opsionet e ushtrisë amerikane për t'iu qasur problemit, i cili u bë i njohur pas konfliktit në Vietnam.
XS
SM
MD
LG