Ndërlidhjet

FISHER: PËR ZGJIDHJEN E STATUSIT TË KOSOVËS DO TË NEVOJITET KONSENZUS NDËRKOMBËTAR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Për zgjidhjen e statusit të Kosovës nevojitet dhe një konsenzus ndërkombëtar, ka pohuar sot në Prishtinë, Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Joshka Fisher. Këto komente, Fisher i bëri pas takimeve të ndara që realizoi në Prishtinë me udhëheqësit më të lartë të pranisë ndërkombëtare si dhe ata të institucioneve të Kosovës. Mirëpo, rruga që e çon Kosovën drejt zgjidhjes së statusit të saj, ka thënë Fisher, është plotësimi i standardeve, decentralizimi me qëllim të përmirësimit të pozitës së pakicave dhe demokratizimi i shoqërisë kosovare. Duke kaluar nëpër këto faza, Fisher tha se Kosova do të hynte më pas në vlerësimin e standardeve gjatë verës së këtij viti dhe rrjedhimisht nga kjo edhe në diskutimet për statusin gjatë vjeshtës:
"Për statusin e ardhshëm të Kosovës do të ketë nevojë për një konsenzus ndërkombëtar dhe sa më shpejt që të zgjidhen problemet praktike në Kosovë, aq më e lehtë do të jetë zgjidhja e çështjes së statusit”, tha Fisher, duke shtuar se për këtë qëllim duhet të punohet hap pas hapi. Në kuadër të opsioneve të shumta që përmenden, Fisher tha se Gjermania nuk e ka si opsion të vetin ndarjen e Kosovës.
Diplomati gjerman tha në vazhdim se ka disa gjëra të rëndësishme që të lëvizet drejt Evropës dhe këto janë, standardet, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit, pastaj zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një drejtësie të pavarur.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se e kishte njoftuar zotin Fisher me gjendjen në Kosovë e cila, sipas tij, është stabile dhe e mirë. Rugova tha se i ka shprehur dhe objektivat e Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe për kompetencat që kanë filluar të barten te institucionet vendore. Rugova tha se standardet me prioritet që janë mbrojtja e minoriteteve dhe integrimi i tyre, pastaj decentralizimi do të jenë në qendër të angazhimeve të institucioneve të Kosovës deri në mes të këtij viti, kur Këshilli i Sigurimit do të bëjë vlerësimin politik të tyre:
“Sivjet do të bëhet vlerësimi i progresit në Kosovë, që ne jemi optimistë se do ta përmbushim këtë progres. Ndërsa unë insistoj që pavarësia e Kosovës të njihet drejtpërdrejt nga Unioni Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë do të pranohej edhe nga fqinjët tanë dhe do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e botës”, tha Rugova.
Ndërkohë, kryeministri Bajram Kosumi, tha se e kishte siguruar shefin e diplomacisë gjermane për angazhimet e qeverisë së tij, për një Kosovë të lirë e demokratike:
“Biseduam me zotin Fisher veçanërisht për procesin e përmbushjes së standardeve, për decentralizimin e pushtetit, dhe i garantova që këto janë procese që do të ndodhin në Kosovë dhe do të kemi përparime të mëdha në këtë drejtim dhe përmbyllja e këtij procesi do të jetë, gjithsesi një Kosovë e lirë dhe evropiane”, tha Kosumi.
Joshka Fisher e ka filluar vizitën e sotme në Kosovë në Prizren, ku ndodhet baza e ushtarëve gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Më pas ai është takuar në selinë e KFOR-it në Prishtinë me zëvendës kryeadministratorin Lary Rossin dhe komandantin e KFOR-it, Iv de Kermabon. Para përmbyllës së vizitës, Fisher ka zhvilluar takime dhe me përfaqësuesit e opozitës, por të gjitha këto takime kanë qenë të mbyllura për mediat.




XS
SM
MD
LG