Ndërlidhjet

MYRNA FLOOD: KTHIMI I ROMËVE QË JETOJNË NË KAMP ËSHTË PENGUAR PËR SHKAK TË SITUATËS POLITIKE DHE SIGURISË


Myrna Flood, zëdhënëse e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të OKB-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Flood, çfarë ka bërë UNHCR-ja për të kthyer ose rehabilituar romët që jetojnë në kampin e Zhitkovcit, afër komunës së Zveçanit?

MYRNA FLOOD
UNHCR është e përfshirë në procesin e kthimit në këtë rajon dhe rajonet e tjera të Kosovës që nga vitit 1999. Sa i përket të zhvendosurve romë, ashkalinj dhe egjiptas, që aktualisht janë të vendosur në veri të Kosovës, UNHCR ka qenë e angazhuar që ata të kthehen kryesisht në Mëhallën e Romëve, që është e vendosur në jug të Mitrovicës.
Për të gjithë romët që duan ta ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u kthyer janë mbledhur të dhënat bazike, ku përfshihen informatat mbi statusin pronësor të tyre dhe kjo ka qëllim që të kontribuojë që kthimin tyre të jetë zgjidhje afatgjate. Fatkeqësisht, përpjekjet janë zvarritur në zbatimin e kthimit të romëve për shkak të situatës politike dhe të sigurisë.
Ka pasur një përparim të rëndësishëm në fund të vitit të kaluar, ku komuna arriti pajtueshmëri për kthimin e të zhvendosurve, në përputhje me programin për zbatimin e standardeve. UNHCR atëherë ka qenë edhe më aktive në koordinimin e iniciativave të ndryshme të ndërmarra për kthimin së bashku me përgjegjësit, përfshirë OJQ-të ndërkombëtare, të cilat po ashtu mundoheshin të vinin në jetë rindërtimin e shtëpive në Mëhallën e Romëve. Ka pasur takime të shumta mes përgjegjësve relevantë, përfshirë organizatat ndërkombëtare, autoritetet lokale si dhe komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas. Si rezultat , komuna ka propozuar një plan urbanistik për ish banorët e Mëhallës Rome. Plani nuk u pranua nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, pasi ai parashihte zhvendosjen nga pronat e tyre në një lokacion tjetër.
Pastaj, komuniteti ndërkombëtar në Mitrovicë e përkrahu dëshirën e romëve dhe filloi negociata direkte me komunën. Një grup punues për Lagjen e Romëve (RMTF) qe krijuar me përgjegjësit ndërkombëtarë dhe zyrtarët e komunës, që të punojnë së bashku një draft për një plan urbanistik të pranueshëm, që do t’u garantonte të drejtat e romëve, ashkalive e egjiptasve për t’u kthyer. Ky grup punues tani është afër një marrëveshjeje përfundimtare me komunën. Marrëveshja do të garantojë këtyre individëve të drejtën për t’u kthyer, pa diskriminuar statusin pronësor të tyre në Mëhallën e Romëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka raporte se për shkak të substancave toksike që gjenden afër zonës ku jetojnë romët, shumë fëmijë janë sëmurë dhe disa njerëz përfshirë edhe fëmijë kanë vdekur. Kush në të vërtetë duhet të rehabilitojë këta njerëz?

MYRNA FLOOD
Të zhvendosurit e brendshëm janë përgjegjësi e komunës. Nuk ka shifra specifike për raste të sëmundjeve ose të vdekjeve që janë të lidhura me helmimin me plumb; megjithatë, për shembull disa romë kanë vdekur për shkak të bronkitit kronik, por ekipet mjekësore nuk kanë mundur të thonë se vdekja ishte pasojë e helmimit me plumb.
Atje është situatë emergjente mjekësore dhe UNHCR-ja e ka theksuar këtë krizë në nivelet rajonale dhe qendrore. UNHCR është e angazhuar në Komitetin për Krizën nga Helmimi me Plumb, që udhëhiqet nga UNMIK-u, për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur. UNHCR ka punuar me Zyrën për Kthim dhe Komunitete dhe përgjegjësit e tjerë, për të përgatitur një buxhet për lehtësimin e gjendjes në kamp, megjithatë, ende nuk janë ndarë mjete nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës ose UNMIK-u për këtë qëllim.
Ndërkaq, në nivelin rajonal, UNHCR dhe OSBE-ja po kërkojnë nga UNMIK-u që të zgjidhë urgjentisht këtë krizë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka UNHCR ose dikush tjetër ndonjë plan konkret për zhvendosjen e kampit, pasi institucionet e përkohshme qendrore thonë se nuk kanë qasje në atë rajon?

MYRNA FLOOD
Zyrtarisht, komuna e Zveçanit, ka shprehur qëllimin e saj që të mbyllë kampin në qershor. Ndërkohë, komuna do të bëjë atë që mundet me burimet e kufizuara. Megjithatë mbyllja e kampeve është e lidhur me zgjidhjen e problemit dhe zgjidhja është kthimi; rindërtimi i Mëhallës së Romëve dhe rivendosja e të zhvendosurve në shtëpitë në vendet nga të cilët vijnë. Duke marrë parasysh vështirësitë në gjetjen e një lokacioni adekuat për rivendosjen e romëve, ashkalive dhe egjiptasve, që do të ishte vend i sigurt për këta të zhvendosur, UNHCR po vazhdon përpjekjet e saj që të fillojë rindërtimin e Mëhallës së Romëve dhe që të sigurojë kthimin vullnetar dhe të sigurt të të gjithë të zhvendosurve.

RADIO EVROPA E LIRË
Po ka ndonjë bashkëpunim mes UNHCR-së dhe UNMIK-ut që të zgjidhet ky problem?

MYRNA FLOOD
UNHCR ka bërë të qartë se helmimi me plumb është një krizë, një situatë emergjente mjekësore dhe se situata atje duhet të përmirësohet.
Rivendosja e romëve nuk duhet të bëhet në kontejnerë ose lokacione jo të sigurta. Për më tepër, të zhvendosurit romë, ashkali dhe egjiptas nuk dëshirojnë që të lëshojnë kampet, derisa të mos kthehen në shtëpi të tyre. UNMIK për momentin nuk mund të gjejë ndonjë lokacion në veri, por po vazhdojnë që të kërkojnë zgjidhje.
Sa i përket kthimit , UNHCR është tërësisht e angazhuar së bashku me agjencitë e tjera ndërkombëtare dhe besojnë se do t’i kthejnë të zhvendosurit në Mëhallën e Romëve këtë vit. Në javën e fundit të prillit do të organizohet një konference e donatorëve nga Zyra për Kthim dhe Komunitete, ku priten zotime të veçanta për projektin e Mëhallës së Romëve.

Intervistoi Albana Isufi



XS
SM
MD
LG