Ndërlidhjet

TMK AUTORIZOHEN T'I KRYEJNË AKTIVITETET CEREMONIALE GJATË MANIFESTIMEVE PUBLIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ka pohuar sot se pret një vlerësim pozitiv për standardet, ndërkaq në lidhje me pilot projektet për testimin e zbatimit të decentralizimit, ai ka thënë se ato do të shpallen pa pasur nevojë të pritet miratimi i Kuvendit të Kosovës. Këto komente, kryeministri Kosumi i bëri pas takimit të grupit të lartë punues për Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, në të cilin bëjnë pjesë strukturat më të larta të administratës ndërkombëtare, KFOR-it dhe shefat e zyrave të vendeve nga pesëshja e madhe. Në këtë mbledhje u vendos që këto trupa, tani e tutje të marrin pjesë në ceremonitë solemne në Kosovë, gjë që aplikohet për herë të parë që nga formimi i tyre. Duke u përqëndruar në standardet, kryeministri Kosumi tha se për sot ka qenë e paraparë që të përfundojë drafti i parë i vlerësimit teknik që bëhet nga ana e UNMIK-ut. Por, siç tha ai, drafti nuk ka arritur të hartohet ende për shkak të punëve të mëdha që ka në përpilimin e tij:
“Është një punë pak e mundimshme. Nuk janë çështjet politike pse është shtyrë, por është një punë e mundimshme ku duhet të analizohet dhe mblidhet informacioni rresht për rresht për gjithçka dhe kjo është arsyeja pse është shtyrë. Unë po pres që të jetë pozitiv, ka shumë të arritura, të shohim”, tha Kosumi.
Ndërkohë, kryeministri Kosumi edhe këtë herë u shpreh i bindur se pilot-projektet pavarësisht vonesave, do të shpallen dhe me këtë do të fillojë dhe testimi i decentralizimit në Kosovë. Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, Kosumi tha se për pilot projektet, qeverisë së tij nuk do t’i duhet miratimi paraprak nga Kuvendi i Kosovës:
“Unë do të takohem me të gjitha grupet parlamentare, do të bisedoj me ta, nuk është në mjegull, por jam i interesuar që t’i di opinionet e të gjitha grupeve dhe të shohim ku mund të punojmë bashkë. Për pilot-komunat nuk bëhet miratimi. Për asnjë projekt askund në botë nuk bëhet në Kuvend miratimi, por ne do të debatojmë edhe në Kuvend për projektin”, theksoi Kosumi.
Në anën tjetër shefi i Zyrës Amerikane Philip Golberg, veçoi vetëm të arriturat në TMK dhe shprehu bindjen e tij se kosovarët mund të jenë të kënaqur me arritjet në këto trupa, që janë pjesë e standardeve gjithashtu. Ndërkaq komandanti i TMK-së, gjeneral lejtnant Agim Çeku, tha se risia e këtij takimi ishte besimi që i është dhënë TMK-së për kryerjen e aktiviteteve ceremoniale në Kosovë:
“Të gjithë e uruan dhe përgëzuan TMK-në për një progres shumë të madh që ajo ka bërë edhe krejt ajo më konkrete që doli, që nga sot, TMK-ja është definitivisht e autorizuar që t’i kryej detyrat ceremoniale, ngjarje publike, vizitorëve të ndryshëm që vijnë në Kosovë”, tha Çeku.
Përveç standardit numër tetë, atij për TMK-në që tashmë ka marë komplimentet edhe nga prania ndërkombëtare në Kosovë, për të arriturat në standardet e tjera, pritet që së pari të shihet vlerësimi teknik i UNMIK-ut i paralajmëruar për javën e ardhshme. Ndërkaq pasi të jetë finalizuar ky vlerësim i drejtohet Këshillit të Sigurimit, i cili është mekanizmi i vetëm i ngarkuar për të dhënë vlerësimin politik.

XS
SM
MD
LG