Ndërlidhjet

EKSPERTËT PROPOZOJNË THEMELIMIN E AGJENCISË ANTIKORRUPSION


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Korrupsioni nëpër institucionet e Kosovës është i pranishëm dhe shkaktarët kryesorë janë kushtet e papërshtatshme ekonomike dhe pagat e ulëta të zyrtarëve që punojnë nëpër institucionet publike.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, pohon se në mungesë të legjislacionit dhe mekanizmave institucionalë, ende nuk dihen përmasat e shtrirjes së korrupsionit në Kosovë.
“Çdo shoqëri që është funksionale që egziston kudo në botë, çdo shtet që funksion në cilin do gjendje që të jetë ai, qoftë në tranzicion, qoftë me ekonomi të dobët sociale, ka korrupsion. Natyrisht që edhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe jemi një vend që ballafaqohemi me këtë dukuri të keqe”tha zoti Hajredini.
Zoti Hajredini, thotë se zyra e tij, së bashku më Programin për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNDP, vitin e kaluar ka bërë një studim mbi korrupsionin, në të cilin qytetarët e Kosovës janë të bindur se korrupsion ka në Korporatën Energjetike të Kosovës, në Post Telekomin e Kosovës, në sistemin shëndetësor, në shërbimin doganor, por edhe në institucionet qendrore dhe ato komunale. Një gjë të këtillë nuk mund ta pohojë edhe vetë zoti Hajredini, por ai thotë se egziston vullneti qenësor i institucioneve të Kosovës, që të përballen me korrupsionin para se të dalë jashtë kontrollit, ashtu siç ka ndodhur në pjesë të tjera të Evropës. Pikërisht për këtë arsye, zoti Hajredini rikujton se vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ka shpallur “ Strategjinë Kundër Korrupsionit”
“Është një dokument politik një strategji, një program. Në kuadër të saj për të implementuar dhe zbatuar jemi duke zhvilluar planin e veprimit apo planin aksionar që do të implementojë strategjinë. Kemi iniciuar një ligj anti-korrupsion, i cili është aprovuar në qeveri dhe parlament dhe pritet të aprovohet nga kryeadministratori i Kosovës. Të gjitha këto dokumente që po i citojmë këtu parashohin mekanizma parandalues dhe luftues anti-korrupsion si p.sh: strategjia parasheh themelimin e një Agjencioni Anti-Korrupsion në Kosovë, dhe ajo që është më e rëndësishmja është se standardet për Kosovën parashohin që të këtë një Agjencion Anti- Korrupsion në Kosovë”, tha zoti Hajredini.
Ligji për themelimin e këtij Agjencioni është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por për të hyrë në zbatim ai duhet të nënshkruhet nga shefi i administratës ndërkombëtare, gjë që nuk ka ndodhur ende.
Në anën tjetër, Myhater Haskuka, nga Programi për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, tha se një gjë tjetër që pengon luftimin e korrupsionit në Kosovë është edhe mungesa e përgjegjësive tek institucionet vendore.
“Pasi kompetencat janë të përziera, problemi i korrupsionit është i paevitueshëm dhe nuk kemi përgjegjësi direkte. Aspekti tjetër është se gjykatat janë në fazën fillestare dhe rastet e korrupsionit, por edhe rastet më të rënda ende nuk janë ndriçuar”, tha zoti Haskuka.
Zoti Haskuka megjithatë thotë se duke marrë parasysh gjendjen politike dhe ekonomike, korrupsioni në Kosovë nuk është aq i lartë sa në vendet tjera të rajonit.
“Por, nëse e shikojmë në baza rajonale korrupsioni në Kosovë nuk është edhe aq i lartë sa në vendet tjera të rajonit, ngase ende ekziston një lloj morali apo kodi, i cili na mbron nga përhapja e korrupsionit."
Sidoqoftë, që prej përfundimit të luftës e deri tani, rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë: 5 zyrtarë të arrestuar të shërbimit doganor, rreth 200 policë të larguar nga detyra për shkak të aktiviteteve të dyshimta dhe një zyrtar i Bashkimit Evropian, i dënuar me 4 vjet heqje lirie për përvetësimin e 4.5 milionë eurove nga Korporata Energjetike e Kosovës.

XS
SM
MD
LG