Ndërlidhjet

JONES: "FRANCA NUK PRANON TË HETOJË SJELLJEN E TRUPAVE TË SAJ GJATË TRAZIRAVE TË MARSIT"


Sian Jones, Amnesty International

RADIO EVROPA E LIRË
Verën e kaluar AI ka botuar një raport për ngjarjet e marsit në Kosovë, sipas së cilit ndërkombëtarët kanë dështuar në bashkërendimin e reagimeve, ndërsa mbahen përgjegjëse dhe kontigjentet gjermane e franceze të KFOR-it për zonat përkatëse. Në atë kohë thatë se keni kërkuar shpjegime nga Parisi e Berlini. Sot pas disa muajsh a keni përgjigje?

SIAN JONES
Ka pasur reagime pozitive nga ana e Gjermanisë. Bundesveri morri një hetim të brendshëm për veprimet e forcave gjermane gjatë ngjarjeve të ndodhura në Prizren dhe kanë bërë afro 20 rekomandime për të përmirësuar aftësitë e kontigjentit gjerman të KFOR-it. Si rezultat i këtyre zhvillimeve një komision i posaçëm parlamentar u ngrit për këtë problem, kryesisht nën presionin e partive politike në opozitë. Ky komision ka mbajtur seancën e fundit në shkurt të këtij viti dhe me sa dimë rekomandimet, plotësisht apo pjesërisht, do të bëhen publike dhe do të diskutohen në parlamentin gjerman. Kjo besoj se do të ndodhë shpejt, derisa në mediat gjermane ka pasur shkrime rreth rekomandimeve në fjalë dhe ndryshimeve që do të mund të ndodhin në mënyrën e reagimit të forcave ushtarake gjermane.
Parisi ka qenë më pak i frytshëm në këtë drejtim. Kemi kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë dhe kemi rezultate negative sa i përket gatishmërisë së tyre për të hetuar rreth ngjarjeve të marsit dhe reagimit të trupave franceze. Ne jemi të shqetësuar në mënyrë të posaçme për disa raste që i kemi përmendur në raportin e verës, siç është ai i Svinjare/Frashër, ku njerëzit u evakuan sepse shtëpitë e tyre do të digjeshin. Ky fshat ishte nën mbrojtjen e trupave franceze. Banorët e këtij fshati dhe sot janë të zhvendosur në Zveçan. Shqetësimi më i madh është se francezët, as në mënyrë interne nuk ndërmorrën ndonjë hetim se përse ndodhi dhe u lejua kjo zhvendosje, ku njerëzit edhe një vit më pas nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Le të kalojmë nga përgjegjësia e vendeve tek NATO-ja dhe OKB-ja. A kanë nxjerrë këto organizata mësimet nga dhuna e marsit dhe çfarë masash janë marrë nëse ka pasur të tilla?

SIAN JONES
Edhe në këtë rast do të thosha se nuk i kemi publikisht rezultatet e ndonjë hetimi të brendshëm të ndërmarrë nga NATO-ja apo UNMIK-u.
Masat mund të themi se po duken në stërvitjet që po bëhen. Ka pasur hetime interne, sipas të gjitha gjasave serioze, të marra nga UNMIK-ut dhe KFOR-it, por nuk kemi ndonjë informacion nëse kjo është bërë në nivelet e NATO-s. Një nga problemet që paraqisnim në raport ishte mungesa e koordinimit mes policisë së UNMIK-ut, Shërbimit Policor të Kosovës dhe KFOR-it. E dimë se gjatë kësaj periudhe ka pasur stërvitje të përbashkëta në nivele të ndryshme, përfshirë dhe stërvitjen më të fundit, ku ishin të përfshira dhe forcat gjermane rezervë, për të parë se sa shpejt mund të reagonin forcat shtesë. Megjithatë në të njëjtën kohë po lexojmë raporte se NATO-ja planifikon të zvogëlojë numrin e trupave në Kosovë dhe ne nuk jemi të sigurt, duke pasur parasysh që bisedimet për statusin po afrohen, që kjo është periudha më e mirë për një hap të tillë dhe nëse një veprim i tillë dërgon sinjalet e duhura.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e ndiqni situatën në terren. Afro një vit pas marsit të 2004 cilat janë shqetësimet tuaja?

SIAN JONES
Shqetësimet tona kryesore lidhen me numrin e madh të personave të zhvendosur që nuk kanë mundur ende të kthehen në shtëpitë e tyre. Shtëpitë, në një shkallë të konsiderueshme, janë rindërtuar, por për ta mbeten problemet e sigurisë. Njëherësh ne nuk harrojmë as personat që ishin dhe më parë të zhvendosur dhe kërkojmë kthimin e tyre të sigurt dhe me dinjitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me hetimet e brendshme të ndërmarra nga UNMIK-u dhe KFOR-i, sipas informacioneve tuaja a janë zhvilluar ato si duhet dhe a keni ndonjë shqetësim rreth ecurisë së tyre?

SIAN JONES
Bëhet fjalë për hetime kriminale. Ajo që mund të themi është se veçanërisht policia e UNMIK-ut ka bërë shumë hetime lidhur me ngjarjet e marsit. Ne e mirëpresim një hap të tillë për më tepër kur gjatë gjithë këtyre viteve kemi qenë tepër kritik ndaj policisë së UNMIK-ut, pasi nuk ka qenë në gjendje të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të motivuara etnikisht. Së fundi ajo ka sjellë para drejtësisë një numër të konsiderueshëm të dyshuarish. Por ajo që na shqetëson më së tepërmi është ecuria e hetimeve të brendshme për akuzat ndaj vendeve anëtare të KFOR-it dhe për Shërbimin Policor të Kosovës. Për SHPK-në e dimë që ka pasur hetime, por akuzat janë gjetur pa baza. Një nga arsyet sipas UNMIK-ut është se dëshmitarët nuk kanë qenë të gatshëm të paraqiteshin. Ne kemi pasur akuza serioze nga anëtarët e pakicave, por mosparaqitje e tyre lidhet me faktin se ata nuk i besojnë sistemit të drejtësisë në Kosovë. Këtu gjejmë rastin të përsërisim nevojën për ngritjen e një njësie mbrojtëse për dëshmitarët, veçanërisht ata nga pakicat. Shqetësimi ynë lidhet me faktin se akuzat për disa raste dhune kundër ashkalive ku kanë qenë të përfshirë dhe anëtarë të Shërbimit policor të Kosovës kanë mbetur pa u hetuar si duhet.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG