Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SALIHAJ: UNMIK-U VLERËSON POZITIVISHT PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka pranuar sot draftin e vlerësimit teknik të standardeve nga ana e UNMIK-ut dhe ka vlerësuar se misioni ndërkombëtar i ka dhënë notë pozitive përmbushjes së standardeve deri në këtë fazë. Kështu është shprehur disa çaste pas pranimit të draftit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj. Ai tha se ky është një lajm i mirë, jo vetëm për qeverinë, por edhe për Kosovën, pasi që me marrjen e vlerësimit pozitiv nga ana e UNMIK-ut, sipas tij hapet mundësia reale që edhe Këshilli i Sigurimit të japë vlerësimin e vet politik pozitiv dhe me këtë Kosova të vazhdojë rrugën e saj drejt diskutimeve për statusin e saj.
“Dua t’ju them nje lajm shumë të mirë. Tani para disa minutave, mora informatën se kemi një gjasë shumë të madhe që të bëhet vlerësimi shumë pozitiv të standardeve. Pra, mendoj se është në përfundim ky vlerësim dhe do të kemi një vlerësim pozitiv, i cili na hap mundësinë që në qershor të kemi vlerësimin politik dhe menjëherë pastaj të fillojë procesi i bisedave edhe për statusin e Kosovës”, tha Salihaj.
Në anën tjetër zëdhënësja e UNMIK-ut, Marsia Pool, thotë se vlerësimi teknik në Prishtinë do të pasohet me dërgimit e versionit final për vlerësim politik te Këshilli i Sigurimit në Nju Jork.
“Ky do të jetë një vlerësim teknik, i cili do të përfshihet si aneks, në kuadër të fjalimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan që do ta mbajë në fund të muajit maj”, ka thënë zëdhënësja Marsia Pool.
Sipas saj, i tërë procesi i vlerësimit të standardeve kalon në dy faza. Atë të vlerësimit rresht për rresht që bëhet bashkërisht nga UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës, si dhe vlerësimi teknik që bëhet nga administrata e UNMIK-ut dhe ku përfshihen vetëm standardet me prioritet, që kanë të bëjnë me pozitën e pakicës serbe në Kosovë. Vlerësimi teknik i dërgohet Këshillit të Sigurimit, nga i cili më pas Sekretari i Përgjithshëm nxjerr konkluzione për vlerësimin politik të të arriturave të Kosovë në planin e standardeve.
Ndërsa një draft i vlerësimit teknik do t’i dërgohet këtë të premte Këshillit të Sigurimit, drafti final i UNMIK-ut që ka të bëjë me vlerësimin e të arriturave në standardet me prioritet, pritet t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit më 10 maj. Deri atëherë në procesin e vlerësimit do të jetë i përfshirë dhe Grupi i Kontaktit. Ndërkaq 26 maji tashmë është caktuar si data kur Këshilli i Sigurimit do të japë vlerësimin final politik sa i përket përmbushjes së standardeve. Me marrjen e notës pozitive parashihet që Kosova të kalojë në fazën e diskutimeve për statusin e saj gjatë kësaj vjeshte, kurse me marrjen e vlerësimit negativ, siç është paralajmëruar deri më tani, procesi do të ishte më i paparashikueshëm ngase këto diskutime, thuhet se do të shtyheshin.


XS
SM
MD
LG