Ndërlidhjet

NUK KA LIDHJE MES VRASJES SË ENVER HARADINAJT DHE SULMIT NDAJ SELISË SË PARTISË "ORA"


Hetues të policisë ndërkombëtare dhe të Shërbimit Policor të Kosovës kanë hedhur poshtë ndonjë mundësi të ndërlidhjes ndërmjet vrasjes së Enver Haradinajt, vëlla i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të premten në rrugën Pejë-Deçan dhe shpërthimit që ka ndodhur mbrëmë në selinë e partisë Ora, por kanë pohuar se ka lidhje ndërmjet kërcënimeve që disa ditë më parë kryetarit të Orës Veton Surroi dhe tre politikanëve të tjerë, me sulmin e mbrëmshëm në zyrat e Orës.
Hetuesi i policisë së UNMIK-ut Thiery Leprivey mohoi lidhjet ndërmjet këtyre dy incidenteve të rënda që ndodhën në Kosovë vetëm brenda dy ditësh:
"Nuk ka ndonjë lidhje ndërmjet vrasjes së Enver Haradinajt dhe shpërthimit në Prishtinë", tha zoti Leprivey. Edhe shefi i hetuesve i Shërbimit Policor të Kosovës kolonel Rrahman Sylejmani, duke hedhur poshtë ndërlidhjen ndërmjet këtyre dy incidenteve tha se në rastin e vrasjes së Enver Haradinajt përjashtohet edhe ndërlidhja me ndonjërin nga disa incidente me armë zjarri që kanë ndodhur në zonën e Deçanit përafërsisht në të njëjtën kohë. Ai tha se policia deri më tash di vetëm se kundër të ndjerit Haradinaj është qëlluar me pushkë automatike që është konstatuar në bazë të gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes dhe dihet se një veturë Audi 80 me ngjyrë të kuqe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ai tha e një numër personash janë intervistuar dhe po riintervistohen nga policia, por bashkudhëtari i Enver Haradinajt, Arton Tolaj nuk ka arritur të ndihmojë për identifikimin e sulmuesve:
"Ai ka qenë bashkudhëtar i të ndjerit. Edhe ju sikur të kishit qenë, ai të vetmen mundësi që e ka pasur është shtrirë poshtë që t’i shpëtojë breshërisë së plumbave dhe nuk ka qenë në gjendje të na ofrojë shumë informacione, pasi atë që e ka bërë, është hedhur në dysheme poshtë në veturë", tha Rrahman Sylejmani, i cili duke iu kthyer shpërthimit në zyrat e partisë Ora tha se ndërlidhja ndërmjet kërcënimeve dhe vetë incidentit është e qartë:
"Aty nuk mund të themi se nuk ka pasur lidhje me kërcënimet e njerëzve, pasi është paralajmëruar një mundësi e tillë. Ne e shohim ë ka lidhje diçka ndërmjet kërcënimeve dhe asaj që është realizuar mbrëmë"
Disa ditë më parë një organizatë që veten e quan Sigurimi i Atdheut ka kërcënuar me vdekje Jakup Krasniqin nga Partia Demokratike, Bujar Bukoshin nga Partia e Re e Kosovës, Veton Surroin nga Ora dhe kryetarin e komunës së Ferizajt Faik Grainca, për shkak të akuzave ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës Adem Salihaj. Ky i fundit ndërkohë ka thënë se nuk dinte për ekzistimin e një organizate që e ka quajtur fantome, e cila e ka marrë atë nën mbrojtje sipas një komunikate të lëshuar në internet, pas akuzave të PDK-së se disa anëtarë të kabinetit të qeverisë aktuale të Kosovës, përfshirë edhe zotin Salihaj janë të përfshirë në krim të organizuar, krim ordiner dhe në korrupsion.
Kolonel Sylejmani tha se pas kërcënimeve, personave të përmendur u është ofruar mbrojtje nga policia, por zoti Surroi nuk e ka pranuar një mbrojtje të tillë deri më sot, por pritet që sot të definojë modalitetet e ofrimit të kësaj mbrojtjeje.
Zyrat e shkatërruara plotësisht të partisë Ora i ka vizituar sot zëvendëssshefi i UNMIK-ut Larry Rossin, i cili tha se ndihej i çliruar që me këtë rast askush nuk është lënduar rëndë:
"Mirëpo ka këtu një gjë që është lënduar rëndë, dhe kjo është e ardhmja e Kosovës dhe asnjë përparim që Kosova mund ta shënojë në rrugën e saj drejt zgjidhjes së statusit dhe aspiratave për të ardhmen", tha zoti Rossin duke përkujtuar se në të njëjtën gjendje i kishte parë zyrat e Surroit edhe në vitin 1999 të shkatërruara nga serbët.
Vetë zoti Surroi tha se ata që fshihen prapa këtij atentati e kanë të qartë se i drejtohen një organizate, e cila jo që nuk angazhohet për dhunë por as mbrohet nga dhuna dhe që nuk është identifikuar as me pistoleta, as me bodigardë dhe as me ndonjë formë tjetër, siç u shpreh Surroi
"Është e qartë se këto veprime të dhunshme po shkojnë paralelisht me gjuhën e dhunshme, posaçërisht me gjuhën jodemokratike me paralajmërime të tilla. Për fat të keq ne kemi një eskalim edhe të gjuhës së dhunshme edhe të veprimeve të dhunshme në Kosovë"
Në anën tjetër, sulmi kundër partisë "Ora" është dënuar nga të gjithë krerët e institucioneve të Kosovës dhe partitë politike. Presidenti Rugova dhe zyrtarët e tjerë kanë kërkuar nga policia që të gjejë dhe dënojë autorët e këtij sulmi.

Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG