Ndërlidhjet

RUGOVA HEDH POSHTË THIRRJET E BE-SË PËR TAKIM ME TADIÇIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve dhe takimeve të drejtpërdrejta politike me presidentin e Serbisë Boris Tadiq. Presidenti Rugova bëri këto komente sot pasdite, pas thirrjeve drejtuar atij nga zyrtarë të Bashkimit Evropian për dialog me Beogradin, duke iu përgjigjur kështu një deklarate të presidentit të Serbisë Boris Tadiq bërë pas takimit të javës së shkuar me Grupin e Kontaktit, ku ai shprehte gadishmërinë dhe paralajmëronte bisedime të drejtpërdrejta me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.
Kërkesën për një dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe atij të Serbisë, Boris Tadiq, e ka bërë sot, në emër të Bashkimit Evropian, komisioneri për zgjerim Oli Rehn, duke nënvizuar se ky hap do të ndihmonte dialogun ndërkombëtar për statusin e Kosovës më vonë gjatë këtij viti. Mirëpo, presidenti Rugova përsëriti sot qëndrimin e tij se nuk mund të ketë bisedime të drejtpërdrejta politike me Beogradin:
"Ne kemi filluar disa biseda për çështje teknike, vitin e kaluar, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa për biseda politike, është qëndrimi ynë se nëse organizohet një tubim ndërkombëtar, mund të marrin pjesë të gjithë fqinjët tanë, pa të drejtë vetoje."
Në anën tjetër, komisionari i BE-së për zgjerim, Oli Rehn ka thënë se një takim ndërmjet dy presidentëve, presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, do të ishte i mirëseardhur dhe do të ndihmonte negociatat për statusin e Kosovës më vonë gjatë këtij viti.
Mirëpo, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova është shprehur kundër një takimi vetëm për vetëm me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq dhe kundër çfarëdo bisedash të drejtpërdrejta politike me përfaqësuesit e Serbisë, pa praninë e bashkësisë ndërkombëtare:
"Unë s'dëshiroj të bëj diçka pa bashkësinë ndërkombëtare që është këtu dhe që na ka ndihmuar dhe bisedat e drejtpërdrejta janë të vështira dhe te çështjet politike momentalisht janë shumë të vështira e s'mund të bisedohet për ato. Insistimi im është që të njihet pavarësia e Kosovës, që do të njihej edhe nga fqinjët dhe do ta qetësonte këtë pjesë të rajonit dhe të botës."
Këto deklarata presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, i ka bërë pas takimit që ka pasur me një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që kryesohej nga ambasadori turk në NATO, Vahid Erdem. Ambasadori Erdem, tha se bisedimet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë të rëndësishme për të ardhmen politike të Kosovës, pasi sipas tij një konsenzus ndërmjet vendeve të rajonit është i nevojshëm para përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës:
"Vendimi për të ardhmen e Kosovës do të merret nga Kombet e Bashkuara, por duhet që të arrihet edhe një lloj konsenzusi i vendeve të rajonit dhe duhet të ketë një lloj marrëveshje," tha ambasadori Vahid Erdem, për të shtuar se dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë.
Përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s kanë takuar krerët e institucioneve të Kosovës, në kuadër të një misioni faktmbledhës. Ata kanë thënë se Kosova është një e rëndësie të veçantë për sigurinë në rajon dhe kanë nënvizuar se e ardhmja e Kosovës është në integrimet euroatlantike.

XS
SM
MD
LG