Ndërlidhjet

PETERSEN NËNSHKROI RREGULLOREN E NDRYSHUAR TË AKM-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kjo është një ditë e madhe për Kosovën, pasi do të përshpejtohet procesi i privatizimit, ka thënë sot në Prishtinë, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, pasi ka nënshkruar rregulloren e ndryshuar të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, sipas të cilës nuk ka nevojë për përcaktimin e pronësisë së ndërmarrjeve para shitjes së tyre. Kjo rregullore njëkohësisht i zgjat mandatin Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që është e ngarkuar me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë:
"Sot kemi ndërmarrë një hap të madh përpara në procesin e privatizimit," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, menjëherë pas nënshkrimit të rregullores së ndryshuar të AKM-së, duke shpjeguar se kjo rregullore do të lejojë ndryshimin e pronësisë në të mirë të interesit të përgjithshëm të qytetarëve:
"Më nuk do të kemi nevojë ta përcaktojmë pronësinë para shitjes së ndërmarrjeve shoqërore, prandaj i gjithë procesi mund dhe do të përshpejtohet," tha zoti Petersen, duke premtuar që pas këtyre ndryshimeve do të shohim lansimin e më shumë valëve të privatizimit brenda një kohe më të shkurtër. Mirëpo, tha Petersen, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ruhen të drejtat e pronarëve:
"Nëse pronari paraqitet pas shitjes, përcaktimi i pronësisë do të bëhet nga një panel i veçantë," tha shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.
Edhe kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, që ka marrë pjesë në nënshkrimin e rregullores së re të AKM-së tha se ishte i kënaqur nga këto ndryshime, që jepnin shpresë për përshpejtimin e privatizimit:
"Këto ndryshime do të mundësojnë ecjen më përpara drejt privatizimit, hapjen e mundësive të reja, krijimin e vendeve të reja të punës dhe hapjen e mundësive të reja për investime të kapitalit. Zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, infrastruktura e duhur ligjore dhe krijimi i një kuadri të besueshëm për investimin e kapitalit janë prioritet".
Ndërkaq, shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, përgjegjëse për zhvillimin ekonomik dhe privatizimin, Joachim Ruecker, tha se kjo rregullore e ndryshuar përshpejton procesin:
"Ky do të jetë një shans për ne që ta përshpejtojmë privatizimit dhe siç e dini unë jam zotuar që të privatizoj 90 për qind të ndërmarrjeve shoqërore," tha zoti Ruecker, për të shtuar se nuk priste ankesa nga Beogradi në këtë drejtim:
"Ne nuk presim të ketë ankesa nga Serbia, pasi kjo që po bëjmë pikërisht forcon të drejtat e pronarëve potencialë," tha shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut Joachim Ruecker, ndërkohë që ankesat më të mëdha të Beogradit ndaj procesit të privatizimit kishin të bënin pikërisht me pronësinë e ndërmarrjeve publike dhe shoqërore.
Sidoqoftë, zoti Ruecker ka njoftuar po ashtu se mandati i AKM-së do të zgjatet, ndërkohë që pika që përcaktonte qershorin si kohë të përfundimit të mandatit të privatizimit është fshirë fare, por nuk është përcaktuar një kohë e jetëgjatësisë së kësaj agjencie.





XS
SM
MD
LG