Ndërlidhjet

BUGAJSKI: "RRJETET KRIMINALE RUSE NË BALLKAN JANË PËRDORUR NGA MOSKA PËR QËLLIME POLITIKE"


Janusz Bugajski, ekspert pranë Qendrës për Studime Strategjike në Uashington

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski në librin tuaj të fundit titulluar "Paqja e ftohtë", ju thoni se Moska është përpjekur të ndikojë në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë në Ballkanin perëndimor dhe të përfitojë nga trazirat në rajon për interesat e veta dhe në përpjekje për të kufizuar ndikimin amerikan. A mund ta sqaroni më gjerësisht këtë qëndrim?

JANUSZ BUGAJSKI
Libri im është kryesisht një kronikë e viteve '90-të. Veçanërisht administrata e presidentit Jelcin manipuloi konfliktet në ish-Jugosllavi për t'u paraqitur si faktor kryesor në rajon. Duhet të kujtojmë se Moska nuk ka pasur shumë ndikim mbi ish-Jugosllavinë, ç'ka ishte rezultat i shkëputjes që u bë mes Titos dhe Stalinit.
Nën drejtimin e Jelcenit ata u përpoqën që të rrisnin ndikimin përmes aleancave me Millosheviqin, duke pasur në këtë mënyrë ndikim në zhvillimet në gjithë rajonin, duke u bërë pjesë e Grupit të Kontaktit si dhe në planin ushtarak me përfshirjen e tyre në misionet paqeruajtëse në Bosnjë dhe Kosovë. Në këtë kuptim, ndonëse Rusia ishte dhe mbetet një vend i dobët, sërish u përpoq të kishte ndikim politik diplomatik e ekonomik në gjithë rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur sërish tek libri juaj i fundit, ju thoni se Rusia është furnizuesi kryesor i energjisë për shumë vende. Si e përdor Rusia këtë avantazh dhe në përgjithësi bashkëpunimin ekonomik për të kontrolluar vendet në Ballkanin Perëndimor?

JANUSZ BUGAJSKI
Po, Ballkani perëndimor, lindor, vendet e dala nga ish Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Evropës Lindore varen në shkallë të madhe nga burimet energjitike ruse, sidomos për naftë dhe gaz. Dhe nën drejtimin e Putinit ne kemi atë që është quajtur "diplomacia e burimeve energjitike", ku kompanitë më të mëdha të naftës e gazit në vend janë nën mbikqyrjen e Kremlinit për t'u përdorur nga politika e jashtme e Kremlinit. Si pasojë kemi jo vetëm monopolin mbi burimet kryesore të energjisë nga Kremlini, por dhe kontrollin mbi infrastrukturën që përfshin dhe rrugët alternative të transportit, të cilat kalojnë nëpër vende të ndryshme, që Rusia përpiqet t'i shantazhojë. Një tjetër tendencë shqetësuese në afat të gjatë është dhe rritja e varshmërisë së Bashkimit Evropian për t'u furnizuar me naftë dhe gaz nga Rusia.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni shkruar se rrjetet kriminale ruse janë elementë destabilizues në planin ekonomik dhe njëherësh një mjet në duart e Rusisë për të përmbushur interesat politike. Çfarë do të thoshit rreth futjes së rrjeteve kriminale ruse në Ballkanin perëndimor?

JANUSZ BUGAJSKI
Rrjetet kriminale ruse janë aktive në të gjithë Evropën, por ato kanë qenë veçanërisht aktive në ish Jugosllavinë, për shkak të luftërave e sanksioneve që krijonin një terren të mirë për trafik të të mirave materialeve dhe njerëzve, për shkak të lidhjeve me qarqet ushtarake serbe, me regjimin e Millosheviqit si dhe me një numër njerëzish e strukturash politike në periudhën pas Millosheviqit. Rusia ka një rrjet tepër të zgjeruar kriminal në rajon dhe ajo çfarë argumentoj në librin tim është se në shumë kuptime interesat e Kremlinit ishin të lidhura me grupet kriminale që njëherësh qenë të lidhura me shërbimet ruse të zbulimit. Futja e tyre lidhej me krijimin e trazirave në rajonet ku shtrinin aktivitetin, shantazhonin vendet dhe qeveritë e ndryshme dhe ajo që them është se Kremlini në të gjitha këto mënyra është përpjekur të përfitojë në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se këto rrjete kriminale ruse të lidhura me Kremlinin janë ende të pranishme në shkallë të gjerë në Ballkanin perëndimor?

JANUSZ BUGAJSKI
Po ato janë të pranishme dhe jo vetëm në Ballkanin perëndimor po në gjithë rajonin. Shembulli më ilustrues në librin tim vjen nga Bullgaria, ku elementët kriminalë, të njohura për strukturat e rendit dhe qeverinë, ishin përfaqësues të interesave ekonomike ruse. Kjo çoi në largimin nga vendi të një numri biznesmenësh dhe diplomatësh rusë. Shembuj të tillë gjen në gjithë rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke kaluar nga ekonomia në një çështje plotësisht politike. Si pasojë e rivaliteteve që ju përmendni në librin tuaj mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, sa larg mund të shkojë Rusia në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës dhe përse?

JANUSZ BUGAJSKI
Janë dy mënyra për t'i parë gjërat. Rusia nga një anë do të bllokojë apo do përpiqet të pengojë miratimin e një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit rreth statusit përfundimtar të Kosovës. Në këto kushte duhet gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës dhe duhet arritur konsensusi jashtë Këshillit të Sigurimit. Dhe besoj kjo formulë do jetë ajo që do përdoret, në rast se nuk do ketë shtyrje të proçesit.
Një tjetër mundësi është që Rusia të paraqesë një tjetër projektrezolutë, me anë të së cilës do kërkojë një lloj kompensimi në shkëmbim. Kjo do të thotë se Moska do kërkojë të përfitojë diçka nga Shtetet e Bashkuara, diçka nga Bashkimi Evropian, duke mos përjashtuar dhe kompromiset për statusin përfundimtar të një numri territoresh që kërkojnë shkëputje brenda territorit të Rusisë, në pjesën e Kaukazit si dhetë territoreve që tashmë nuk janë pjesë e Rusisë si në rastin e rajoneve në Moldavi. Parë nga ky këndvështrim janë një morri rrugësh që do të mund të ndikojnë në strategjinë ruse lidhur me statusin e Kosovës.


Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG