Ndërlidhjet

MINISTRAT E JASHTËM TË BE-SË DISKUTOJNË PËR BALLKANIN


Augustin Palokaj, Luksemburg

Kosova është njëra ndër temat e diskutimit në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian që po zhvillohet në Luksemburg. Për Kosovën dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor është duke u diskutuar në drekën e punës, ndërsa më parë ministrat kanë miratuar përfundimet e këtij takimi, në të cilat përmendet edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian për zhvillimin e Kosovës. Ministrat e BE-së kanë mirëpritur këtë komunikatë të Komisionit Evropian, e cila do të sqarojë edhe më shumë punën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Në anën tjetër, sot po ashtu ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë miratuar edhe studimin e fizibilitetit për Serbinë dhe Malin e Zi, të cilin e kishte përgatitur më parë Komisioni Evropian. Në këtë mënyrë ministrat e BE-së kanë pranuar se Serbia dhe Mali i Zi, kanë arritur një përparim të dukshëm në bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës dhe në plotësimin e kushteve për vazhdimin e integrimeve evropiane. Këshilli i Ministrave i BE-së i ka bërë ftesë Komisionit për nisjen e negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ndërkohë ministrat kanë shprehur keqardhje për disa parregullsi në zgjedhjet lokale në Maqedoni dhe u kanë bërë ftesë autoriteteve të Maqedonisë që të marrin masa ndaj atyre që janë përgjegjës për këto parregullsi.
Ndër temat e tjera të takimit të sotëm të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian janë posaçërisht Bullgaria dhe Rumania, sepse pritet që më vonë gjatë ditës së sotme të nënshkruhet edhe marrëveshja për anëtarësimin e këtyre dy shteteve në Bashkimin Evropian. Ato do të bëhen anëtare të plota të Bashkimit Evropian duke filluar prej 1 janarit të vitit 2007, sepse koha prej nënshkrimit të marrëveshjes deri në hyrjen në BE do të shfrytëzohet për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.



XS
SM
MD
LG