Ndërlidhjet

GOLDBERG: "DUHET TEJKALUAR KLIMA AKTUALE POLITIKE"


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në Kosovë ka çështje më të rëndësishme sesa ato të politikës së ditës dhe mospajtimet në parlament, e këto çështje janë standardet dhe statusi, ka thënë sot shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg. Këto komente zoti Goldberg i ka bërë pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, në selinë e saj në Prishtinë. Zoti Goldberg me këtë rast ka vlerësuar se klima politike aktuale në parlament dhe jashtë tij ndonjëherë po nxehet tej mase, por duhen gjetur mënyrat për t’i tejkaluar këto tensione:
"Diskutuam disa ide se si ta tejkalojmë këtë klimë politike në ndonjë mënyrë që të mund të shkojmë përpara në çështjet, të cilat janë shumë të rëndësishme për të gjithë kosovarët," tha zoti Goldberg, duke porositur liderët politikë dhe qytetarët që të fokusohen në çështjet e rëndësishme për Kosovën, para së gjithash në përmbushjen e standardeve si parakusht për përcaktimin e statusit përfundimtar:
"Ka çështje që janë me rëndësi dhe shkojmë mbi politikën ditore dhe mospajtimet në parlament dhe gjithkund tjetër dhe ato janë çështje, në të cilat duhet të fokusohen të gjithë," tha shefi i zyrës amerikane, Philip Goldberg.
Ndëkaq, mikpritësi i tij, Hashim Thaçi, tha se roli i SHBA duhet të vazhdojë të jetë rol udhëheqës për standardet dhe për statusin politik të Kosovës, ndërkohë që tha se është i gatshëm për ndërtimin e një platforme të përbashkët për shtetin e pavarur të Kosovës. Ai njëkohësisht ka drejtuar një varg kritikash në adresë të udhëheqjes së parlamentit të Kosovës dhe qeverisë, për ç’gjë tha se e kishte njoftuar zotin Goldberg:
"Natyrisht e njoftova zotin Goldberg edhe për shqetësimet që ka ngritur PDK-ja me rastin e instalizimit të krimit ekonomik dhe politik në qeverinë e Kosovës. Askush nuk është mbi ligjin dhe në këtë drejtim besoj se do të ketë veprime të shpejta, veprime të drejta të drejtësisë kosovare dhe asaj ndërkombëtare, në mënyrë që Kosova të udhëhiqet nga njerëz me duar të pastra".
Në anën tjetër, shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg, duke komentuar disa kërkesa të fundit për dialog politik ndërmjet krerëve të Kosovës dhe të Serbisë, tha se pajtohej që duhet të ketë dialog, mirëpo ai dialog egziston në çështjet teknike, ndërsa kur të vijë koha për diskutimin e çështjeve politike, mendoj se gjërat do të mund të përshpejtohen, tha shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, i cili sot pasdite takon edhe kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, në përpjekje për të gjetur mënyrën më të mirë për të tejkaluar tensionet aktuale ndërmjet pozitës dhe opozitës.
XS
SM
MD
LG