Ndërlidhjet

RIFILLON DIALOGU PRISHTINË – BEOGRAD PËR ENERGJETIKËN


Albana Isufi, Prishtinë



Të mërkurën më 27 prill në Beograd do të vazhdojë dialogu për çështje të energjetikës mes grupeve punuese nga Prishtina dhe Beogradi.
Këtë njoftim e konfirmuan për Radion Evropa e Lirë, zyrtarët e Ministrisë për Energjetikë dhe Miniera dhe ata të UNMIK-ut.
Këshilltari politik në Ministrinë për Energjetikë dhe Miniera, Januz Januzaj, ministri kjo, që këtë herë do ta udhëheqë delegacionin kosovar, njoftoi për përbërjen e delegacionit.
“Në delegacionin e Kosovës do të marrë pjesë Sabri Limari, këshilltar i ministrit, unë Januz Januzaj, po ashtu si këshilltar i ministrit dhe Rangjel Nojkiq si deputet i Kuvendit. Do të jenë të pranishëm edhe dy përfaqësues të UNMIK-ut, një i Shtyllës së Katërt dhe një i rregullatorit”.
Komisioni Evropian si bartës i takimeve ka emëruar Jolly Dicksonin që të kryesojë takimin e 27 prillit.
Zëdhënësja e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë Mechtilde Henneke, thotë se pjesëmarrësit e takimit janë pajtuar që agjenda të mos publikohet para takimit.
“Mund të them se kryesuesi i grupeve punuese Jolly Dickson, që është i angazhuar në emër të Komisionit Evropian, do të deklarohet pas takimit dhe do të japë detaje rreth rrjedhës së bisedimeve” tha Mechtilde Henneke.
Takimi i parë mes grupeve punuese për energjetikën u mbajt në Prishtinë vitin e kaluar, por për shkak të shpërthimit të trazirave të marsit, takimet e tjera u anulluan.
Zëdhënësja Henneke nuk pret që bisedimet e të mërkurës të sjellin rezultate konkrete.
“Siç e dini, grupet punuese nuk janë takuar për më shumë se një vit dhe ky takim pikësëpari ka të bëjë më shumë me sjelljen e sërishme në tavolinë të grupeve punuese, ku pjesëmarrësit do t’i shkëmbejnë pikëpamjet e tyre, ndërkaq rezultate konkrete do të priten më shumë në takimet e ardhshme”, tha Henneke.
Kosova, së bashku me vendet e rajonit është palë nënshkruese e Memorandumit për Energjetikë të Athinës. Duke marë parasysh këtë fakt, kohë më parë, Ministri i Energjetikës dhe Minierave Et'hem Ceku, pati deklaruar se kjo do të jetë rrethanë lehtësuese edhe për takimet e grupeve punuese, pasi me memorandumin në fjalë, vendet e rajonit janë të obliguara që t’i kontribuojnë integrimit në tregun rajonal energjetik.

XS
SM
MD
LG