Ndërlidhjet

STEELE:"ASGJË MË PAK SE PAVARËSIA"


Jonathan STEELE, analist i gazetës GUARDIAN


RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh keni analizuar çështjen e Kosovës, duke kërkuar në përgjithësi, që komuniteti ndërkombëtar ta zgjidhë statusin final të Kosovës. Cili është argumenti juaj kryesor për këtë kërkesë?

JONATHAN STEELE
Unë ndjej se paqartësia e pranishme, në të cilën Kosova nuk ka pavarësi të plotë, po krijon shumë probleme, po krijon pakënaqësi dhe padurim në mesin e popullatës shumicë shqiptare. Kjo po krijon edhe probleme për investuesit potencialë pasi ligjet e pronësisë nuk janë të qarta, çështja e privatizimit nuk po mund të vazhdoj pasi shumë prej ndërmarrjeve juridikisht ende duket se janë të klasifikuara si pronë e qeverisë jugosllave.

RADIO EVROPA E LIRË
Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë po kërkon nga institucionet kosovare që të arrijnë standardet kryesore dhe pas kësaj të hapen diskutimet për statusin final. Ju ishit në Prishtinë dhe dëshiroj t'ju pyes për mendimin tuaj për standardet pasi liderët shqiptarë të Kosovës janë optimistë për këtë process?

JONATHAN STEELE
Me të gjithë ata që kam biseduar, përfshirë këtu edhe persona të lartë të UNMIK-ut, diplomatë të jashtëm dhe politikanë shqiptarë, thonë se ata presin që sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara së shpejti do ta emëroj një emisar për të shqyrtuar çështjen nëse janë arritur në masë të mjaftueshme standardet, për t'i arsyetuar negociatat për status. Duket se të gjithë mendojnë se ky emisar do të dale me vlerësim pozitiv. Kjo nuk do të thotë se të gjitha standardet do të implementohen sepse kjo do të ishte jorealiste…pasi janë së paku 400 standarde. Prandaj, ajo që thonë ata është se standardet kryesore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me minoritetet, pra me serbët dhe të tjerët, duhet të zbatohen. Por ata e kishin ndjenjën se kjo tash është arritur dhe se vlerësimi do të jetë pozitiv.

RADIO EVROPA E LIRË
Për statusin final të Kosovës kemi propozime nga grupet e njohura ndërkombëtare, siç janë Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) dhe Komisioni për Ballkanin. Sipas jush cili propozim është më real?

JONATHAN STEELE
Mendoj se çdo gjë më pak se pavarësia vetëm sa do ta vazhdoj paqartësinë aktuale dhe nuk e zgjidh problemin. Asgjë më pavarësi nuk do të mjaftoj sepse, çdo gjë tjetër nuk e eliminon paqartësinë pronësore, pastaj do të ndikonte negativisht te shqiptarët që do të mund të ndjenin se do të mund të ktheheshin nën pushtetin e Serbisë, pas një kohe…Pra mendoj se duhet të jetë pavarësia. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë ndonjë rol ndërkombëtar pas kësaj. Vendet e tjera të pavarura, siç është për shembull Timori Lindor ka trupa të jashtme, që pas pavarësisë kanë ndihmuar në stërvitjen e armatës së re. Ka pasur poashtu edhe monitorues ndërkombëtarë për të vëzhguar të drejtat e njeriut, ka pasur edhe gjyqtarë të jashtëm për të ndihmuar në marrjen e vendimeve të pa-anashme në rastet etnike. Pra, mendoj se do të ketë një lloj pranie të vogël të trupave të jashtme edhe në Kosovë, pastaj një prani e vogël e monitoruesve të jashtëm dhe e gjyqtarëve. Pra kjo do të vazhdoj dhe kjo duhet të bëhet pasi të jetë arritur pavarësia.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ju jeni në favor të propozimit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG)?

JONATHAN STEELE
Po, mendoj se ata janë më real se sa Komisioni që udhëhiqet nga ish kryeministri italian, Gjuliano Amato. Mendoj se propozimi i tij është i paqartë. Pra, mendoj se rekomandimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave janë më reale.

RADIO EVROPA E LIRË
Në artikullin që e përmendëm, ju patët shkruar se "qeveritë perëndimore janë në favor të një forme të pavarësisë, por nuk dinë se si ta definojnë atë". Sipas jush, Gjermania, njëherë kampion i fuqishëm i çështjes së Kosovës duket se po tërhiqet. Si e shpjegoni këtë qëndrim?

JONATHAN STEELE
Nuk jam krejtësisht i sigurtë përse ata do të mund të kenë një ndjenjë të këtillë, pasi Gjermania gjithherë do të duhej të ishte kampion i fuqishëm i çështjes së Kosovës. Ndoshta ata në një masë të vogël po tërhiqen lidhur me çështjen e zgjerimit të BE-së, pasi kur Kosova të bëhet e pavarur, atëherë ajo do të lëvizë në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj, ndoshta ky është shkak i hezitimit dhe mbase ka të bëjë me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Por, në të vërtetë nuk e dij se çfarë argumentesh ka këtu. Mendoj se koha ka ardhur. Gjashtë vjet pas fushatës së NATO-s dhe gjatshtë vjet prej se policia serbe u detyrua të largohet nga Kosova, ju nuk mund të vazhdoni me këtë qëndrim të paqartë për një kohë më të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, në fund të fundit, kush do të vendos për statusin e Kosovës?

JONATHAN STEELE
Do të emërohet emisari i Kombeve të Bashkuara për të organizuar negociatat. Në këto negociata, pos vendeve fqinje, do të marrin pjesë edhe vendet anëtare të Grupit të Kontaktit. Mendoj se këta janë faktorët kryesorë që do të vendosin. Çështja reale që shtrohet është nëse kjo do të shkoj në Këshillin e Sigurimit për rezolutë, ku, nga ana tjetër ekziston rreziku i vetos nga Rusia, për çdo gjë që i jep Kosovës pavarësi të plotë. Pra, shtrohet pyetja nëse kjo veto mund të evitohet dhe të bëhet diçka pavarësisht nga ajo. Sugjerimi im është përësëri në linjë me Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG) se do të ishte më mire që të mos shkohet për jetësim të një rezolute në Këshilline Sigurimit, në mënyrë që të mos i jepet rast Rusisë për veto. Pra, vendet kryesore të Grupit të Kontaktit, ndaras nga Rusia, do ta njihnin Kosovën si të pavarur dhe pastaj mund të shpresohet se i tërë Bashkimi Evropian do të merrte qëndrim të njejtë. Pastaj Kosova do të ishte në rrugën e saj për t'u bërë anëtare e BE-së, pavarësisht se çka thotë Rusia.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG