Ndërlidhjet

AEROPLANI MË I MADH CIVIL NË BOTË BËN FLUTURIMIN E PARË


Breffney O'Rourke

Njerëzit kanë përshëndetur me brohoritje nisjen e aeroplanit të ri të udhëtarëve Airbus 380 nga aeroporti i Tuluzës në jug të Francës.
Aeroplani i ri gjigant me motorra të gjeneratës së re të Roll Rojsit, ndërmorri sot fluturimin provë mbi oqeanin Atlantik.
Zëdhënësi i projektit të ndërtimit të Airbus 380, David Velupillai për Evropën e Lirë thotë se ky fluturim provë është një moment kyç në projektin që ka kushtuar mbi 18 miliard dollarë.
"Është një pikë kyçe ky fluturim i parë i këtij aeroplani, që është vetëm një vit pas provave dhe kontrolleve", tha Velupillai.
Aeroplani i ri me kapacitet disa qindra njerëz do fillojë fluturimet për pasagjerët në vitin 2006, derisa kohëzgjatja e fluturimit të sotëm mbi Atlantik do varet nga një mori kushtesh atmosferike.
"Varet se si do të shkojë prova. Ajo çfarë do të bëhet sot është të shihet në pozicionet e ndryshme aeroplani gjatë fluturimit, reagimi në lartësi dhe shpejtësi të ndryshme", thotë Velupillai.
Suksesi i këtij fluturimi të parë është një provë psikologjike për vetë Airbus dhe pasagjerët e ardhshëm të tij. Deri tani ka kërkesa nga 15 kompani ajrore për 154 aeroplanë të tillë gjigantë, çfarë cilësohet si fillim shumë i mirë.
Airbus 380 kushton 280 milion dollarë për njësi derisa duhet të shiten 260 aeroplanë përpara se kompania të fillojë të ketë fitime.
Fillimisht do ketë 555 vende për pasagjerë që do fluturojnë në klasin e parë dhe atë ekonomik, derisa fluturimet më të lira, do kenë kapacitet prej 850 vetësh.
Me versionin e tij luksoz fluturimet me Airbus kërkojnë të kthejnë në treg ato mungesa që u vunë re kur kompanitë filluan të ofrojnë vetëm bileta për buxhete mesatare.
Kështu kompania Virgin Atlantic dëshiron një aeroplan të tillë super xhumbo me sallë gjimnastike, sallon bukurie, kazino, bare dhe shtrate dyshe.
"Unë po kërkoj aeroplanë që përmbushin të gjitha ëndrrat. Ëndrra e Virgin Atlantic është të krijojë kabina që nuk janë si të aeroplanët e tjerë dhe që nuk kanë egzistuar më parë", thotë Richard Branson, një nga bashkëpronarët e Virgin Atlantic.
Airbus 380 që është prodhim evropian, në fakt po përballet dhe me vështirësi në fushën e biznesit. Një ndër to vjen nga mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, pasi Uashingtoni beson se ndihma e shtetit për kompanitë prodhuese të aeroplanëve nuk është e ndershme, pasi tregu duhet të vendosë. Këto mosmarrëveshje mund të shkojnë për t'u zgjidhur në Organizatën Botërore të Tregtisë.
XS
SM
MD
LG