Ndërlidhjet

STEFAN LEHNE: LIDERËT E KOSOVËS DUHET TË PUNOJNË SË BASHKU


Albana Isufi, Prishtinë

Të dërguarit e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Havier Solana, kanë kërkuar nga udhëheqësit kosovarë, që të ulin tensionet mes tyre dhe të punojnë së bashku në zgjidhjen e çështjeve thelbësore. I dërguari i Solanës, Stefan Lehne, pas takimit me kryeministrin Bajram Kosumi, ka thënë se Kosova tani ka nevojë për unitet.
“Kosova nuk mund të përballojë situatat përçarëse me plot tensione të brendshme, në këtë kohë shumë vendimtare për Kosovën, e cila po lëviz drejt marrjes së vendimeve shumë të rëndësishme dhe duhet të ketë një marrëveshje koherente dhe unike, të paktën në çështjet kyçe”, tha Lehne, i cili shtoi se ka marrë përgjigje pozitive nga kryeministri Kosumi, derisa ky i fundit nuk u prononcua për gazetarët.
Stefan Lehne tha se në takim me kryeparlamentarin Nexhat Daci, ka kërkuar që parlamenti të jetë vend i dialogut dhe debatit të lirë.
“Unë e inkurajova Dacin, si kryetar i Kuvendit, që të jetë më i hapur dhe të sigurojë se Parlamenti është vendi i mirëfilltë për dialog dhe diskutime të lira dhe që i mundëson opozitës që t’i shprehë shqetësimet e saj, si dhe kërkova nga ai që ta përkrahë një dialog gjithëpërfshirës me të gjithë liderët politikë, para se të hapen bisedimet për statusin përfundimtar”, tha Lehne.
Megjithatë, tensionet e ngritura kohëve të fundit në skenën politike Lehne i ka quajtur normale, pasi siç ka thënë, ai egzistimi i pozitës dhe opozitës në Kosovë është gjë e re. Ndërkaq, rreth akuzave për inkriminimin e disa zyrtarëve të qeverisë, që po i bën partia me e madhe opozitare, Lehne ka thënë se duhet të merren seriozisht dhe se i takon UNMIK-ut që të kryejë hetimet lidhur me to.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaci, tha pas takimit me zyrtarët e Bashkimit Evropian se kjo parti nuk do të lejojë që vendi, siç tha ai, të udhëhiqet nga figurat e inkriminuara.
“I informova dhe për shqetësimin dhe këmbënguljen që do ta tregojë Partia Demokratike e Kosovës, që vendi, institucionet e Kosovës, të udhëhiqen prej njerëzve të ndershëm, prej njerëzve të pastër, prej njerëzve që mund t'i zbatojnë standardet demokratike, si kusht i domosdoshëm për hapjen e zgjidhjes së drejtë të statusit politik", tha Hashim Thaçi.
Përveç këshillave për ulje tensionesh, i dërguar i Solanës, u ka sugjeruar udhëheqjes kosovare se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të zhvillohet edhe në nivelin politik.
“Unë i shpreha pikëpamjet e Solanës se duhet të ketë dialog edhe në nivelin politik, të ketë dialog mes udhëheqësve serbë dhe atyre kosovarë dhe duhet të inkurajohen udhëheqësit e këtushëm që të jenë të hapur dhe të angazhohen në këtë dialog, pasi dialogu politik mes Prishtinës dhe Beogradit është nevojë e domosdoshme”, tha Stefan Lehne, që është edhe drejtor për Ballkanin Perëndimor i Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG