Ndërlidhjet

BISEDIMET TEKNIKE KOSOVË-SERBI PËR ÇËSHTJEN E KTHIMIT MBAHEN MË 12 MAJ


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kthimi i personave të zhvendosur në Kosovë, nuk vlerësohet si standard për nga numri, por për nga krijimi i kushteve për kthim të qëndrueshëm, për të gjithë ata që duan të kthehen, ka pohuar sot ushtruesi i detyrës së shefit të zyrës për kthim e komunitete në administratën e UNMIK-ut, Kilian Klajndshmidt. Ai tha se Kosova duhet t’i krijojë kushtet për të gjithë ata që duan të kthehen, qoftë tani, vitin e ardhshëm, apo edhe pas dhjetë viteve dhe se këtu, sipas tij, përfshihen si të zhvendosurit brenda Kosovës, ata që janë strehuar nëpër ish-republikat jugosllave, si dhe qytetarët që e kanë lëshuar Kosovën që moti dhe tani jetojnë në diasporë. Sidoqoftë, kthimi i serbëve, edhe këtë herë ka qenë në qendër të vëmendjes së zyrtarit të UNMIK-ut. Pas vizitave të tij bashkë me Ministrin për Kthim, Sllavisha Petkoviq dhe atë të Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, nëpër kampet e refugjatëve në Mal të Zi e Maqedoni dhe premtimeve të dhëna atyre se do të kthehen në Kosovë, Klajndshmidt tha se pritet që më 12 maj të fillojnë diskutimet lidhur me të zhvendosurit edhe me Beogradin:
“Kjo do të jetë një prej çështjeve më të komplikuar dhe siç e shohim tani, do të kemi nevojë për diskutime në nivele të ndryshme, si edhe për çështje të ndryshme, ku do të përfshihen gjithashtu dhe çështjet pronësore”, tha Klajndshmidt. Ai nuk ka pranuar të thotë se cili është numri i saktë i personave të zhvendosur. Ndërsa, duke u përqëndruar vetëm në të zhvendosurit serbë, në Prishtinë tha ai, publikohen shifra për rreth 60 mijë të zhvendosur, kurse në Beograd për 200 mijë veta. Ai tha se nuk e dinë se cila prej tyre është shifra e saktë, por sipas tij e vërteta mund të jetë diku në mes këtyre dy shifrave. Deri më tani tha Klajndshmidt, janë kthyer rreth 12 mijë vetë, ndërkaq buxheti për këtë vit për kthim ka edhe 12 milion euro që mund të shfrytëzohen për këtë qëllim:
“Së shpejti do të thërrasim një konferencë donatorësh. Ne kemi rreth 12 milion euro, por ndërsa shtohet numri i atyre që duan të kthehen, do të kemi nevojë për më shumë mjete”, theksoi Klajndshmidt, i bindur se sivjet ka më tepër donatorë ndërkombëtarë që janë të interesuar ta ndihmojnë kthimin. Në funksion të kthimit të personave të zhvendosur, si një prej standardeve me prioritet, Klajndshmidt paralajmëroi që sivjet, bashkë me Ministrin për Kthim e Komunitete, do të hartohet strategjia përkatëse, realizimi i vizitave në të gjitha rajonet ku ka të zhvendosur, rregullimi i çështjeve pronësore si dhe ndërmarrja e masave për sigurinë e të kthyerve.

XS
SM
MD
LG