Ndërlidhjet

A DO TË FITOJË BLAIR MANDATIN E TRETË?


Jan Jun

Më 5 maj britanikët shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur 659 deputetët që do t'i përfaqësojnë. Këto zgjedhje shihen si një votë pro ose kundër kryeministrit Toni Blair, i cili synon të arrijë një mandat të tretë dhe të fundit në këtë post.
Shumë votues janë të zemëruar nga mbështetja që Blair i ofroi luftës në Irak, megjithatë sipas vëzhguesve, Blair dhe Partia Laburiste i kanë të gjitha shanset për t'i fituar edhe këto zgjedhje.
Fushata elektorale ka hyrë në fazën më të ashpër, kur kandidatët sulmojnë kundërshtarët e tyre, në vend që të mbrojnë platformat e partive respektive. Blair, i cili është në shënjestër të vazhdueshme të rivalëve të tij në Partinë Konservatore, megjithatë ka mbetur i vendosur:
"Konservatorët le të vazhdojnë sulmet personale kundër meje. Unë do të vazhdoj të ndjek rrugën e politikave që janë në të mirë të popullit britanik", tha Blair.
Si konservatorët edhe libral-demokratët përpiqen të shfrytëzojnë rolin që ka luajtur Britania në Irak. Williams Rees-Mogg është anëtar i Shtëpisë së Lordëve dhe kryeredaktor i së përditshmes "The Daily".
"Po kthehen në një çështje personale vendimet e kryeministrit për Irakun. Ajo është çështje personale por bazohet në disa politika. Sipas liberal-demokratëve kjo luftë nuk duhej luftuar. Në rastin e konservatorëve pretendohet se shpjegimet mbi luftën nuk kanë qenë të vërteta", thotë Rees-Mogg.
Ky presion e detyroi Blair të enjten, më 28 prill, të hedhë një hap të pazakontë duke bërë publike disa rekomandime sekrete që ka marrë përpara se të merrte vendimin për të hyrë në luftë.
"Unë nuk e mora këtë vendim për të mashtruar njerëzit. E mora sepse ishte gjëja e duhur. Bëra të pamundurën që të marr vendimin e duhur për vendin tim. Nuk mund të kërkoj falje, sepse mendoj akoma që bota është më mirë me Sadam Huseinin në burg dhe jo në pushtet", tha Blair.
Sipas ekspertëve, pavarësisht nga mendimi i kryeministrit, përfshirja në luftën në Irak nuk do të jetë element kyç në zgjedhjet.
Philip White është një specialist i organizatës Bashkësia e Inteligjencës së Ekonomistëve.
"Kjo mund të jetë vendimtare te një numër i vogël zonash, atje ku shtrihet pjesa më e madhe e votuesve myslimanë, të cilët zakonisht kanë votuar për laburistët, por tani nuk i mbështesin më liberal-demokratët. Por kur i referohemi rezultateve të përgjithshme, nuk mendoj se do të ndikojë shumë", pohon White.
Sipas vëzhguesve javët e fundit të fushatës do të rihapin problemet e brendshme. Shumë votues janë pro reformave ekonomike të laburistëve, por nuk janë parë me sy të mirë taksat, emigracioni dhe siguria e shtetit. Megjithatë vëzhguesit gjithnjë e më shumë shprehen për një fitore të mundshme të laburistëve, por me më pak vende në parlament. Një forcë e rëndësishme në këto zgjedhje janë 1 milionë votuesit myslimanë. Në Britani ka një sistem të thjeshtë maxhoritar, ku çdo votë ka rëndësi. Zëdhënësi i Këshillit Mysliman të Britanisë, Inayat Bungawala, deklaron:
"Zakonisht ne nuk u tregojmë myslimanëve se për kë duhet të votojnë. Ata duhet ta vendosin vetë", thotë Bunglawala.
Në zgjedhje janë regjistruar edhe disa parti dhe grupime të vogla politike.
Rezultatet paraprake të votimeve do të deklarohen në mbrëmje ndërsa të nesërmen shpallen rezultatet përfundimtare.
XS
SM
MD
LG